Beselidhja e VjeterZanafilla: Jozefi u tregohet vëllezërve
- 1 Jozefi s`mundi më të përmbahej para të gjithë të pranishmëve, prandaj edhe bërtiti: Dilni përjashta të gjithë! Askush nuk ishte pranë kur iu dëftua vëllezërve të vet.
- 2 Por, shpërtheu në vaj e dënesje aq sa e dëgjuan egjiptianët dhe të gjithë njerëzit e shtëpisë së faraonit.
- 3 Jozefi u tha vëllezërve të vet: Unë jam Jozefi! Po a e kam ende gjallë tim atë? Por, vëllezërit nuk ishin në gjendje t`i përgjigjin prej tmerrit të madh që i kishte pushtuar.
- 4 Por, ai u tha me butësi: Ejani tek unë! E kur iu aftuan pranë: Unë jam;thoshte;Jozefi, vëllai juaj, që e shitët në Egjipt.
- 5 Mos u trishtoni! As mos t`ju duket rëndë pse më shitët në këto anë! Hyji më dërgoi para jush për shpëtimin tuaj në Egjipt.
- 6 Sepse është viti i dytë që kur filloi uria në vend dhe mbeten edhe pesë vjet të tjera në të cilat as nuk do të lëvrohet as nuk do të korret.
- 7 Andaj vetë Hyji më dërgoi këtu para jush që ju të mbeteni gjallë përmbi dhe e të shpëtojë jeta juaj për shpëtim të madh.
- 8 S`ishit ju ata që më sollët këtu, por me vullnet të Hyjit erdha. Hyji më bëri porsi prind të faraonit dhe zotëri të të gjithë njerëzve të shtëpisë së tij dhe të parin e mbarë dheut të Egjiptit.
- 9 Shpejtoni e ngjituni tek im atë e thuajini: `Kështu thotë yt bir, Jozefi: Hyji më bëri zotërinë e mbarë dheut të Egjiptit! Eja tek unë e mos vono!
- 10 Do të banosh në dheun Gesen. Do të jesh pranë meje ti dhe bijtë e tu dhe bijtë e bijve të tu, bagëtitë e imëta dhe të trasha dhe gjithçka ke.
- 11 Atje unë do të të jap gjithçka të duhet për ushqim;sepse kanë mbetur edhe pesë vjet urie;që të mos mbarosh ti, as shtëpia jote, as gjithçka ke të gjallë.
- 12 Ja, sytë tuaj dhe sytë e tim vëlla Beniaminit po shohin se ju flet goja ime.
- 13 Tregoni babait tim për lavdinë time që e gëzoj në Egjipt dhe gjithçka që po shihni. Shpejtoni dhe silleni tek unë!
- 14 Atëherë e përqafoi Beniaminin dhe u shkreh në vaj, po edhe Beniamini i kapur për qafe të Jozefit, qante gjithë si ai.
- 15 Atëherë i puthi të gjithë vëllezërit e vet dhe qante i përqafuar me secilin. Veç atëherë vëllezërit e tij filluan të bisedojnë me të.Grishja e faraonit
- 16 S`vonoi dhe u përhap menjëherë fjala në shtëpinë e faraonit: Erdhën vëllezërit e Jozefit! U gëzua faraoni dhe gjithë familja e tij.
- 17 Faraoni i tha Jozefit t`u urdhërojë vëllezërve: Ngarkoni shtazët e shkoni në dheun e Kanaanit
- 18 e silleni prej andej babain tuaj e tuajt dhe ejani tek unë! Unë do t`ju jap të gjitha të mirat e Egjiptit, të hani prodhimet më të mira të vendit.
- 19 Urdhëroju edhe: meri karroca prej dheut të Egjiptit për fëmijët e gratë tuaja. Merreni babain tuaj dhe shpejtoni të ktheheni sa më parë!
- 20 Mos u shqetësoni për rrobat tuaja, sepse mbarë pasuria e Egjiptit do të jetë juaja.Kthimi në Kanaan
- 21 Bijtë e Izraelit bënë siç u qe urdhëruar. Jozefi u dha karroca siç urdhëroi faraoni dhe ushqime për rrugë.
- 22 Secilit urdhëroi t`i jepen petka e ndërresa, Beniaminit i dha treqind para argjendi dhe
- 23 pesë palë petka ndërresash. T`et i dërgoi gjithashtu dhjetë gomarë të ngarkuar me prodhimet më të mira të Egjiptit, po edhe aq gomarica të ngarkuara me drithë, me bukë dhe me ushqime për rrugë.
- 24 Duke i përcjellë vëllezërit e vet për rrugë, u tha : Mos u ngatërroni udhës ndër vete!
- 25 Kështu, ata u kthyen prej Egjiptit dhe arritën në dheun e Kanaanit te Jakobi, i ati i tyre.
- 26 I treguan lajmin e gëzueshëm: Jozefi është gjallë dhe ai e sundon mbarë dheun e Egjiptit! Por, zemra e tij mbeti shtang: nuk mund u besonte!
- 27 Atëherë ia përsëritën çdo fjalë të Jozefit, që ua kishte thënë. Por, kur i pa karrocat dhe gjithçka i kishte dërguar për ta çuar atje, atëherë i erdhi fryma babait të tyre, Jakobit.
- 28 Ai tha: S`më duhet tjetër! Djali im Jozefi qenka ende gjall! Do të shkoj ta shoh para së të vdes!