Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Qortimi i Natanit. Pendimi i Davidit
- 1 Zoti e dërgoi Natanin te Davidi. Ky erdhi te Davidi dhe i tha: Në një qytet jetonin dy vetë. Njëri ishte pasanik e tjetri skamnor.
- 2 Pasaniku kishte bagëti të imëta e të trasha me shumicë të madhe.
- 3 Kurse skamnori nuk kishte asgjë tjetër përveç një deleje të vocërr. E kishte blerë dhe e kishte ushqyer. Ishte rritur tek ai bashkë me fëmijët e tij duke ngrënë bukën e tij e duke pirë prej gotës së tij dhe duke fjetur në gjirin e tij. Për të ishte sikur ta kishte pasur bijë.
- 4 Porse, kur një shtegtar erdhi te pasaniku, ky, duke kursyer bagëtitë e veta të imëta e të trasha për t`i bërë gosti atij shtegtari që kishte ardhur tek ai, shkoi e mori delen e skamnorit dhe i bëri gati bukën njeriut që kishte ardhur tek ai.
- 5 Davidi u hidhërua pa masë kundër këtij njeriu e i tha Natanit: Pasha jetën e Zotit, njeriu që ka bërë këtë punë, meriton vdekjen!
- 6 Katërfish do ta paguajë delen për arsye se ka bërë një punë të tillë dhe është dëftuar njeri i pashpirt.
- 7 Atëherë Natani i tha Davidit: Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit.
- 8 Në dorë tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër.
- 9 Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit!
- 10 Për këtë arsye kurrën e kurrës nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.
- 11 Prandaj kështu thotë Zoti: `Ja, unë do të bëj që e keqja jote të vijë mu prej familjes sate! Ndër sy të tu do t`i marr gratë e tua e do t`ua jap të afërmve të tu e do të flenë me gratë e tua në dritën e këtij dielli.
- 12 Ti, vërtet, e bëre këtë fshehtazi, por unë do ta bëj ballafaqas në sy të mbarë Izraelit, ditën për diell`!
- 13 Atëherë Davidi i tha Natanit: Kam mëkatuar kundër Zotit! E Natani i tha Davidit: Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s`do të vdesësh.
- 14 Megjithatë, pasi me këtë veprim i bëre të blasfemojnë armiqtë e Zotit, djali që të ka lindur, me siguri do të vdesë.
- 15 Atëherë Natani u kthye në shtëpinë e vet.Vdekja e djalit të Betsabesë. Lindja e SalomonitZoti e goditi djalin që gruaja e Urit ia lindi Davidit, dhe u sëmur rëndë.
- 16 Davidi iu lut Zotit për foshnjën dhe Davidi agjëronte e, kur kthehej në shtëpi, natën e kalonte shtruar për tokë.
- 17 Krerët e shtëpisë së tij qëndronin përreth tij dhe i thoshin të ngrihej nga toka, por ai nuk dëgjoi as nuk hëngri bukë me ta.
- 18 Të shtatën ditë vdiq fëmija. Shërbëtorët e tij kishin frikë t`i lajmëronin Davidit se kishte vdekur fëmija. Sepse mendonin: Derisa foshnja ishte ende gjallë, ne i thoshim, por ai s`na dëgjonte. Po tani si t`i themi: `Ka vdekur djali?` Do të bëjë edhe më zi!
- 19 Kur vuri re Davidi se shërbëtorët e tij po pëshpëritnin me njëri-tjetrin, ia preu mendja se foshnja kishte vdekur. U tha shërbëtorëve të vet: A ka vdekur fëmija? Ata iu përgjigjën: Ka vdekur.
- 20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la dhe u ja. Pasi i ndërroi petkat, hyri në shtëpinë e Zotit dhe adhuroi. Pastaj u kthye në shtëpinë e vet dhe kërkoi që t`i shtronin bukën dhe hëngri.
- 21 Shërbëtorët e tij e pyetën: Ç`po bën ashtu? Ndërsa fëmija ende ishte gjallë ti për shkak të tij agjërove e qaje, kurse tani që ka vdekur foshnja po çohesh e po ha?
- 22 Ai tha: Kur foshnja ishte ende gjallë unë agjëroja dhe qaja sepse mendoja: `Kush e di? Ndoshta Zoti do të ketë dhembshuri për mua e do të jetojë fëmija.
- 23 Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? Pse a mund ta kthej më? Unë do të shkoj tek ai, kurse ai nuk do të kthehet tek unë.
- 24 Davidi e ngushëlloi Betsabenë, gruan e vet, hyri tek ajo, ra me të dhe ajo i lindi djalin. Djalit ia ngjiti emrin Salomon. Zoti e deshi Salomonin
- 25 dhe e dëftoi këtë me anë të Natanit profet. Ky e quajti Jedidjë /domethënë: I dashuri i Zotit/, siç i urdhëroi Zoti.Pushtimi i Rabës
- 26 Ndërkaq Joabi e sulmoi Rabën e bijve të Amonit dhe e pushtoi qytetin mbretëror.
- 27 Atëherë Joabi dërgoi lajmëtarë te Davidi me këto fjalë: Luftova kundër Rabës dhe e pushtova qytetin e ujërave.
- 28 Tani bashkoje popullin tjetër, rrethoje e pushtoje qytetin që të mos pushtohet qyteti prej meje e të quhet me emrin tim.
- 29 Kështu pra, Davidi e bashkoi mbarë popullin dhe u nis kundër Rabës. E sulmoi dhe e pushtoi.
- 30 E hoqi prej kokës së Melkomit kezën, që ishte e rëndë një talent ari dhe në të cilën kishte një gur të paçmueshëm dhe keza qe vënë mbi kokë të Davidit. Mori edhe një pre të madhe prej qytetit.
- 31 Po edhe popullin që ishte, e nxori nga qyteti dhe e dënoi të punonte në skalitje të gurit, në latim me sakica e me sëpata hekuri dhe i caktoi në punim të tullave. Kështu bëri me të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Atëherë Davidi dhe mbarë ushtria u kthyen në Jerusalem.