Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Disa hollësi mbi Absalomin
- 1 Joabi, biri i Sarvisë, pa se zemra e mbretit po kthehej nga Absalomi.
- 2 Atëherë dërgoi në Tekua, e solli një grua të mençur dhe i tha: Bëj sikur je në zi dhe vishu me petka zie. Mos u lyej me vaj që të dukesh si një grua që për një kohë të gjatë je në zi për të vdekurin.
- 3 Hyr te mbreti e thuaj kështu. Dhe Joabi i tregoi çka duhej t`i thoshte.
- 4 Gruaja nga Tekua, kur hyri te mbreti, ra përpara tij me fytyrë përdhe, u përkul në nderim dhe tha: Ndore tënde, o mbret!
- 5 Mbreti i tha: Po ç`të ka gjetur? E ajo iu përgjigj: Heu, unë e mjera jam një grua e ve: burri më ka vdekur.
- 6 Shërbëtorja jote ka pasur dy djem, por këta zunë të grinden në fushë dhe askush nuk ndodhi që t`u hynte ndërmjet e kështu njëri i ra tjetrit dhe e la të vdekur.
- 7 Po tani u ngrit e mbarë vëllazëria kundër shërbëtores sate e thotë: `Qite atë që e vrau vëllanë e vet e ta vrasim për gjakun e të vëllait, të cilin e vrau dhe t`ia humbim farën`. Kështu duan ta shuajnë edhe atë shkëndijë që më ka mbetur, me qëllim që të mos i mbetet emri asfarë shenje mbi tokë burrit tim.
- 8 Mbreti i tha gruas: Shko ti në shtëpinë tënde e unë do të jap urdhra lidhur me çështjen tënde.
- 9 Gruaja nga Tekua i tha mbretit: Imzot mbret! E keqja rëntë mbi mua dhe mbi shtëpinë e tim eti, kurse mbreti dhe froni i tij mos paçin farë faji!
- 10 E mbreti vijoi: Atë që të guxojë të të thotë gjë, sille tek unë e më nuk do të guxojë të të prekë!
- 11 Por ajo shtoi: Le ta ketë mirësinë mbreti të përmendë emrin e Zotit, Hyjit të vet, se kërkuesi i gjakut nuk do t`i shumojë vrasjet dhe se assesi nuk do të ma vrasin djalin. E mbreti u përgjigj: Pasha Zotin fije floku s`do t`i bjerë në tokë djalit tënd.
- 12 Atëherë gruaja vazhdoi: Më lejo që shërbëtorja jote t`ia thotë zotërisë së vet një fjalë. I tha: Fol!
- 13 E gruaja tha: Atëherë e pse mendon kështu kundër popullit të Hyjit? Ndërkaq mbreti duke e dhënë një vendim të tillë e ka rrëfyer veten si fajtor, pasi mbreti nuk bën që të kthehet i arratisuri.
- 14 Neve na duhet të vdesim dhe jemi porsi uji kur derdhet në tokë, më nuk mund të mblidhet, e Hyji nuk do që ndokush ta humbasë jetën, por tërheq vëmendjen që të mos humbasë plotësisht i dëbuari.
- 15 Tashti erdha për t`ia thënë mbretit zotërisë tim këtë fjalë, sepse populli ma futi frikën. Shërbëtorja jote tha me vete: `Do të flas me mbretin, ndoshta mbreti ia dëgjon fjalën skllaves së vet.
- 16 Sepse mbreti do ta dëgjojë e do ta shpëtojë shërbëtorin e vet prej dorës së atij që do ta shlyejë atë dhe të birin e saj prej trashëgimit të Hyjit.
- 17 Prandaj edhe mendoi skllavja jote: `Fjala e mbretit, zotërisë tim, le të ma kthejë qetësinë e shpirtit`. Sepse porsi engjëlli i Hyjit i tillë është mbreti, zotëria im, që e dëgjon të mirën e të keqen. Zoti, Hyji yt, qoftë me ty.
- 18 Atëherë mbreti iu drejtua gruas: Mos më fsheh asgjë nga ato që tani dua të të pyes. Gruaja i tha: Le të pyesë imzoti mbret.
- 19 E mbreti vijoi: A mos është me ty në të gjitha këto dora e Joabit? Gruaja u përgjigj e tha: Pasha jetën tënde, imzot e mbret, s`është me të vërtetë e mundur të shmanget as djathtas as majtas prej të gjitha atyre që tha imzot mbreti; vërtet shërbëtori yt Joabi më urdhëroi dhe ai vetë m`i mësoi t`i them të gjitha këto fjalë unë skllavja jote.
- 20 Për t`i dhënë çështjes një pamje tjetër, shërbëtori yt Joabi e bëri këtë. Por ti, imzot, je vetë i dijshëm, ke dijeni porsi engjëlli i Hyjit për të kuptuar gjithçka që ndodh përmbi tokë.
- 21 Atëherë mbreti i tha Joabit: Mirë, ashtu edhe po bëj. Shko, pra, e thirre djaloshin Absalom.
- 22 Atëherë Joabi ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi dhe e bekoi mbretin. Joabi tha: Sot e mori vesh plotësisht shërbëtori yt se gjeta hir para syve të tu, imzot e mbret! Ia dëgjove fjalën shërbëtorit tënd.
- 23 Kështu pra, Joabi u ngrit, shkoi në Gesur dhe e solli Absalomin në Jerusalem.
- 24 Porse mbreti tha: Le të kthehet në shtëpinë e vet, por të mos dalë para syve të mi. Kështu Absalomi u kthye në shtëpinë e vet dhe nuk doli para syve të mbretit.Disa hollësi mbi Absalomin
- 25 E në mbarë Izraelin nuk kishte një burrë tjetër aq të bukur si Absalomi për të cilin do të mund të thuheshin aq fjalë lavdie: prej fundit të këmbës e deri në majë të kresë s`kishte asnjë mungesë.
- 26 E kur i qethte flokët;e i qethte një herë në vit, sepse i bëheshin tepër të rëndë;i peshonte flokët e vet: peshonin dyqind sikla të masës së mbretit.
- 27 Absalomit i lindën tre djem e një vajzë, e cila quhej Tamarë. Ishte shumë e pashme.Absalomi fiton faljen
- 28 Absalomi qëndroi në Jerusalem dy vjet dhe mbretit nuk i doli ndër sy.
- 29 Atëherë çoi e thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por Joabi nuk dëgjoi të shkojë tek Absalomi. Dërgoi për së dyti e, kur ai prapë s`dëgjoi të vijë,
- 30 u tha shërbëtorëve të vet: Shikoni: ara e Joabit është afër arës sime dhe është e mbjellë me elb. Shkoni e jepni zjarr. Shërbëtorët e Absalomit ia dogjën elbin Joabit. Kur shkuan shërbëtorët e Joabit, i shqyen petkat e veta e thanë: Shërbëtorët e Absalomit ia futën zjarrin arës!
- 31 Atëherë Joabi u çua dhe shkoi në shtëpi të Absalomit dhe i tha: Pse e dogjën shërbëtorët e tu elbin tim me zjarr?
- 32 Absalomi iu përgjigj Joabit: Unë dërgova tek ti njerëzit e t`u luta të vije tek unë me qëllim që të të dërgoja te mbreti për t`i thënë: `Pse u ktheva ndopak prej Gesurit? Më mirë do të kishte qenë për mua të isha ende atje`. Po të lutem, pra, bëj që ta shoh fytyrën e mbretit. Nëse jam fajtor, le të më vrasë!
- 33 Joabi hyri të mbreti dhe ia tha këto fjalë. Mbreti çoi dhe e thirri Absalomin, hyri tek ai, ra më fytyrë përdhe para tij në shenjë nderimi e mbreti e përqafoi Absalomin.