Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Rebelimet e Absalomit
- 1 Pas kësaj Absalomi bëri karrocë e kuaj dhe i bashkoi pesëdhjetë vetë që vraponin para tij.
- 2 Absalomi ngrihej herët në mëngjes e qëndronte mbanë udhës që çon te dyert e qytetit. Secilin njeri që kishte ndonjë çështje dhe po shkonte te mbreti në gjyq, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: Prej cilit qytet je ti? Ai i përgjigjej: Jam prej këtij ose atij fisi, unë shërbëtori yt.
- 3 Absalomi i thoshte: A po sheh? Fjalët e tua janë të mira dhe të drejta, por gjë s`të vlen pasi askush s`është nga ata të mbretit i caktuar që të ta dëgjojë fjalën. Pastaj shtonte Absalomi:
- 4 Oh, sikur të më bënin mua gjykatës të vendit! Secili që do të kishte ndonjë ankesë ose gjyq, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi.
- 5 E kur i afrohej ndokush për t`i shprehur nderim me përulje, ai shtrinte dorën e vet, e kapte, e ngrinte lart dhe e përqafonte.
- 6 Kështu bënte me të gjithë izraelitët që shkonin në gjyq te mbreti. Në këtë mënyrë Absalomi i bënte për vete zemrat e izraelitëve.Kryengritja e Absalomit
- 7 Tashti, pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për t`i kryer kushtet që i kam bërë Zotit.
- 8 Sepse shërbëtori yt, kur ishte në Gesur të Sirisë, u zotua kështu: `Nëse Zoti më kthen në Jerusalem, do t`i flijoj Zotit`.
- 9 Mbreti iu përgjigj: Shko në paqe! Absalomi u ngrit dhe shkoi në Hebron.
- 10 Atëherë Absalomi dërgoi lajmëtarë në të gjitha fiset e Izraelit me këtë porosi: Posa ta dëgjoni zërin e borisë, thoni: `Absalomi është bërë mbret në Hebron`!
- 11 Porse me Absalomin kishin shkuar prej Jerusalemit dyqind vetë, të grishur, por që s`dinin asgjë për sa po përgatitej.
- 12 Absalomi çoi dhe e thirri Akitofelin prej Gilos, këshilltarin e Davidit, prej qytetit të tij, Gilos, për të marrë pjesë në flitë e tija. U bë kështu një përbetim shumë i rrezikshëm dhe numri i përkrahësve të Absalomit po shtohej.Ikja e Davidit
- 13 Atëherë ia behu te Davidi kasneci me këtë lajm: Me gjithë zemër mbarë Izraeli po shkon pas Absalomit.
- 14 Atëherë Davidi u tha oborrtarëve të vet që ishin me të në Jerusalem: Çohuni të ikim! sepse pëdryshe askush prej nesh nuk do të shpëtojë prej duarve të Absalomit! Shpejtoni të dalim që ai të mos jetë më i shpejtë e të na zërë, se atëherë do të na rrënojë e mbarë qytetin do ta kalojë me teh të shpatës.
- 15 Oborrtarët e mbretit iu përgjigjën: Gjithësi ta gjejë se është më mirë zotëria ynë, mbreti, shërbëtorët e tu janë gati!
- 16 Kështu, pra, doli mbreti dhe mbarë familja e tij pas tij dhe mbreti i la dhjetë gratë ja për t`ia ruajtur shtëpinë.
- 17 Si doli mbreti dhe mbarë populli pas tij, shkuan e zunë vend tek e sprasmja shtëpi.
- 18 Të gjithë oborrtarët e tij u ndalën pranë tij. Të gjithë keretët, feletët, mbarë geteasit;gjashtëqind burra që e kishin ndjekur prej Getit, kaluan përpara mbretit.
- 19 Mbreti e pyeti Etai Geteasin: Pse po vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe qëndro te mbreti, sepse je i huaj, madje i ikur prej vendit tënd.
- 20 Dje ke arritur e sot të të shtrëngoj të endesh me ne pasi unë po shkoj nga të më bëjnë sytë dritë. Kthehu dhe ktheji vëllezërit e tu me ty e Zoti ta dëftoftë dashurinë e vet e besnikërinë.
- 21 Por Etai iu përgjigj kështu mbretit: Pasha Zotin e pashajetën e zotërisë tim, mbretit, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë në vdekje dhe qoftë në jetë, po aty do të jetë edhe shërbëtori yt.
- 22 Atëherë Davidi i tha Etait: Mirë, pra kalo! Dhe Etai Geteasi kaloi me të gjithë trimat e tij e me të gjithë fëmijët që ishin me të.
- 23 Të gjithë qanin me zë të lartë dhe mbarë populli kalonte. Po edhe mbreti po e kalonte përroin Cedron e mbarë populli ecte përpara udhës drejt shkretëtirës.Fati i Arkës së Besëlidhjes
- 24 Erdhi edhe Sadoku dhe mbarë levitët me të duke bartur Arkën e Besëlidhjes së Hyjit. Ata e ulën Arkën e Hyjit dhe Abiatari kushtoi fli ndërkohë që mbarë populli po dilte prej qytetit.
- 25 Atëherë mbreti i tha Sadokut: Ktheje Arkën e Hyjit në qytet. Nëse do të gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë dhe do të ma dëftojë atë dhe banesën e saj.
- 26 Po nëse thotë: `Nuk më pëlqen`, jam gati: le të bëjë me mua siç është mirë para syve të tij.
- 27 Atëherë mbreti i tha Sadokut prift: Dëgjo këtu: kthehu në paqe në qytet! Le të kthehet edhe Akimaasi, yt bir, dhe Jonatani, djali i Abiatarit: këta dy bijtë tuaj me ju.
- 28 Kurse unë do të ndalem te shtigjet e shkretëtirës, derisa të më vijë ndonjë lajm prej jush.
- 29 Kështu Sadoku dhe Abiatari e kthyen Arkën e Hyjit në Jerusalem dhe qëndruan atje.Davidi siguron përkrahjen e Kusait
- 30 Davidi po ngjitej përpjetës së Malit të Ullinjve duke qarë, me kokë zbuluar e me këmbë të zbathura. Po ashtu edhe mbarë populli që ishte me të me kokë zbuluar ngjitej duke qarë.
- 31 E lajmëruan Davidin se edhe Akitofeli ishte në përbetim me Absalomin. Davidi u lut: Po të lutem, o Zot, bëji të marra këshillat e Akitofelit!
- 32 Sapo doli Davidi në majën e malit, ku adhurohet Hyji, kur ja, i doli në takim Kusai Arakiti. I kishte shqyer petkat dhe kokën e kishte bërë me pluhur.
- 33 Atëherë Davidi i tha: Nëse do të vish me mua, do të më bëhesh barrë;
- 34 por nëse kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: `Do të jem shërbëtori yt, o mbret! Më parë isha shërbëtori i tët eti, por tani do të jem shërbëtori yt`, kështu do të mund t`i sjellësh këshillat e Akitofelit në të mirën time.
- 35 Me ty janë priftërinjtë Sadoku dhe Abiatari. Gjithçka të dëgjosh se flitet në pallatin e mbretit, tregoji Sadokut e Abiatarit, priftërinjëve.
- 36 Me ta janë edhe dy të bijtë e tyre: Akimaasi i Sadokut dhe Jonatani i Abiatarit: me anë të tyre më ço fjalë për gjithçka të dëgjoni.
- 37 Kështu, pra, ndërsa Kusai, miku i Davidit, arriti në qytet, po ashtu edhe Absalomi hyri në Jerusalem.