Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Davidi dhe Siba
- 1 Sapo Davidi e kaloi paksa majën e malit, dhe ja, Siba, shërbëtori i Meribaalit, po i del në takim. Kishte dy gomarë të ngarkuar. Bartnin dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një rrëshiq me verë.
- 2 Mbreti i tha Sibës: Çfarë t`u deshën këto? Siba iu përgjigj: Gomarët do t`u vlejnë anëtarëve të familjes së mbretit për të udhëtuar me ta, buka dhe pemët djelmoshave për ushqim e vera për pije atyre që do të lodhen duke ecur nëpër shkretëtirë.
- 3 Atëherë mbreti i tha: Ku është biri i zotërisë tënd? Siba iu përgjigj mbretit: U ndal në Jerusalem, sepse i thotë mendja: `Sot shtëpia e Izraelit do të ma kthejë mbretërinë e tim eti`.
- 4 Mbreti i tha Sibës: Ja pra, gjithçka ka pasur Meribaali, le të jenë të tuat! E Siba tha: Po bie në nderim para teje! Oh, sikur të mund të gjeja hir para syve të tu, Imzot, o mbret!Semei e mallkon Davidin
- 5 Davidi mbret po arrinte në Bahurim, dhe ja, prej andej dilte një burrë prej vëllazërisë së familjes së Saulit, me emrin Semei. Ishte biri i Gerës. Ecte e mallkonte
- 6 dhe gjuante pesha kundër Davidit dhe kundër të gjithë shërbëtorëve të mbretit David. E pra, mbarë populli dhe trimat e zgjedhur ecnin djathtas e majtas përreth mbretit.
- 7 E Semei kështu fliste duke e nëmur mbretin: Ik, ik o gjakësor, o i poshtër!
- 8 Zoti e solli mbi ty gjithë gjakun e familjes së Saulit, sepse ti e pushtove mbretërinë e tij. Por Zoti e lëshoi mbretërinë në dorën e Absalomit, djalit tënd! Ja, po të ndrydhin të zezat e tua, sepse je njeri vrastar!
- 9 Atëherë Abisai, biri i Sarvisë, i tha mbretit: Pse po e mallkon ky qen i ngordhur zotërinë tim mbretin? Po shkoj e po ia shkurtoj kokën.
- 10 Por mbreti i tha: Po ç`po na bën mua e ty, o djali i Sarvisë? Nëse mallkon e nëse Zoti i ka urdhëruar ta mallkojë Davidin, kush është ai që ka guxim t`i thotë: `Pse po bën ashtu?`.
- 11 Prandaj Davidi i tha Abisait dhe mbarë oborrtarëve të vet: Ju po shihni se im bir, që ka dalë prej barkut tim, po e kërkon jetën time, po aq më tepër ky tashti që është beniaminas. Lëreni le të mallkojë në qoftë se Zoti i ka thënë të më mallkojë.
- 12 Ndoshta Zoti e merr parasysh mjerimin tim e mallkimin e sotëm ma sjell në bekim.
- 13 Kështu Davidi dhe shokët e tij e vazhduan rrugën, kurse Semei shkonte shpatit të malit, krahas me të duke e mallkuar e duke hedhur pesha kundër tij e duke ngritur pluhur.
- 14 Mbreti dhe mbarë populli që ishte me të, erdhën deri tek ujët të lodhur e të këputur dhe aty pushuan.Kusai arrin tek Absalomi
- 15 Ndërkaq Absalomi dhe mbarë njerëzit e tij, burrat e Izraelit, hynë në Jerusalem. Me të hyri edhe Akitofeli.
- 16 E kur Kusai Arakiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, i tha: Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!
- 17 Absalomi iu përgjigj: Kjo është besnikëria jote ndaj mikut tënd a? Pse nuk shkove me mikun tënd?
- 18 Por Kusai iu përgjigj Absalomit: Assesi! Por me atë që e ka zgjedhur Zoti dhe ky popull madje edhe mbarë Izraeli, i tij do të jem dhe me atë do të qëndroj.
- 19 Por, që ta shtoj edhe këtë, kujt do t`i shërbej unë? Pse vallë jo birit të mbretit? Sikurse dëgjova babain tënd, ashtu do të të dëgjoj edhe ty.Absalomi dhe shemrat e Davidit
- 20 Atëherë Absalomi i tha Akitofelit: Këshillohuni tani ç`na duhet të bëjmë.
- 21 Akitofeli i tha Absalomit: Hyr te ja e tët eti që i la për ta ruajtur shtëpinë, që kur ta marrë vesh mbarë Izraeli se je në armiqësi me tët atë, t`u forcohet krahu të gjithë atyre që janë me ty.
- 22 Atëherë e shtrinë çadrën e Absalomit në tarracën e pallatit dhe Absalomi hyri te ja e të atit në sy të mbarë Izraelit.
- 23 E këshilla që jepte asokohe Akitofeli, vlente porsi përgjigjja e Zotit. Për të tillë e mbanin këshillën e Akitofelit dhe kur ishte me Davidin edhe kur ishte me Absalomin.