Beselidhja e Vjeter2 i Samuelit: Dhembja e Davidit
- 1 U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd! Absalom, biri im, biri im!
- 2 E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin.
- 3 Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: Mbreti po e qan djalin e vet.
- 4 Atë ditë ushtria u kthye fshehtazi në qytet, ashtu siç hyn fshehtas ushtria e turpëruar kur ikën prej luftës.
- 5 Mbreti e kishte mbuluar fytyrën e vet e thërriste me gjithë zë: Biri im, Absalom; Absalom, biri im, biri im!
- 6 Atëherë Joabi hyri te mbreti në shtëpi e tha: Sot ua more fytyrën të gjithë shërbëtorëve të tu që sot ta shpëtuan jetën tënde dhe jetën e djemve, të vajzave, të grave e të shemrave të tua.
- 7 I do ata që të urrejnë e i urren ata që të duan. Sot e dëftove se nuk ke kujdes për prijësit e tu e për ushtarët e tu. Me të vërtetë tani po e kuptoj se ty do të të pëlqente të vdisnim të gjithë ne, mjaft që të ishte gjallë Absalomi!
- 8 Prandaj ngrihu tani, dil e folu ushtarëve të tu, se pëdryshe po të përbetohem me Zotin, nëse nuk del, asnjë sonte nuk do të mbesë me ty dhe kjo e keqe do të jetë për ty më e madhe se të gjitha të këqijat që të kanë ndodhur prej rinisë sate e deri më sot!
- 9 Atëherë mbreti u ngrit dhe erdhi e u ul te dera. Lajmëtari i shpalli mbarë ushtrisë se mbreti është ulur te dera e qytetit. Mbarë ushtria u afrua te mbreti.Përgatitjet për kthimin e DaviditIzraelitët kishin ikur secili në çadrën e vet.
- 10 Të gjithë izraelitët grindeshin nëpër fiset e tyre e thoshin: Mbreti na ka çliruar nga duart e armiqve tanë, ai na shpëtoi nga duart e filistenjve; e tani iu desh të ikë nga vendi prej Absalomit.
- 11 Por Absalomi, të cilin ne e shuguruam për mbretin tonë, ai u vra në luftë. Çfarë prisni tani që nuk e ktheni mbretin? Këto fjalë të të gjithë izraelitëve arritën deri te mbreti në shtëpinë e tij.
- 12 Atëherë mbreti David dërgoi t`u thuhej priftërinjve Sadokut e Abiatarit: Thoniu krerëve të Judës kështu: `Pse jeni të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e vet?
- 13 Ju jeni vëllezërit e mi, jeni ashti im e mishi im, a të fundit do ta ktheni mbretin`?
- 14 E Amasës m`i thoni: `A nuk je ti ashti im e mishi im`? Kështu e kështu ma bëftë mua Zoti e edhe më zi, nëse ti s`do të jesh komandanti i ushtrisë sime për sa të jesh gjallë në vend të Joabit`!
- 15 Dhe i përfitoi zemrat e të gjithë burrave të Judës si të një burri të vetëm. Këta dërguan njerëz te mbreti e i thanë: Kthehu ti dhe të gjithë njerëzit e tu.Ngjarjet në të kthyer: Semei
- 16 U kthye, pra, mbreti e arriti te Jordani. Arritën në Galgalë edhe judenjtë për ta takuar mbretin e për ta kaluar përtej Jordanit.
- 17 Semei, biri i Gerës, beniaminas prej Bahurimit, nxitoi dhe zbriti bashkë me trimat e Judës për ta pritur mbretin David.
- 18 Me të ishin një mijë burra beniaminas dhe Siba, shërbëtori i shtëpisë së Saulit, pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe të njëzet shërbëtorët e tij. Ata shpejtuan e ranë në Jordan para mbretit,
- 19 i kishin kaluar vatë për ta kaluar në anë tjetër familjen e mbretit e për të bërë çka t`i pëlqente mbretit. Semei, biri i Gerës, i përkulur para mbretit, kur po donte të kalonte Jordanin,
- 20 i tha: Imzot, mos ma merr për faj të keqen dhe të mos i bjerë ndër mend fyerja e shërbëtorit që i bëra Imzotit ditën kur doli imzot mbreti prej Jerusalemit. Le ta harrojë zotëria im, mbreti.
- 21 Sepse unë, shërbëtori yt, e pranoj fajin tim dhe prandaj erdha i pari prej gjithë shtëpisë së Jozefit sot dhe zbrita në takim të zotërisë tim mbretit.
- 22 Por u përgjigj Abisai, biri i Sarvisë, e tha: A thua Semei nuk e meriton vdekjen pse e ka nëmur të shuguruarin e Zotit?
- 23 Por Davidi u përgjigj: Ç`punë keni me mua ju, o bijtë e Sarvisë, që sot po më nxitni të bëj keq? Po a bën të vritet sot ndonjë izraelit? Mu sot kur po shoh se përsëri jam mbreti i Izraelit?
- 24 Dhe mbreti i tha Semeit: Ti s`do të vritesh!, dhe iu përbetua.Meribaali
- 25 Po edhe Meribaali, nipi i Saulit, doli ta presë mbretin. Nuk i kishte larë këmbët, nuk i kishte prerë thonjtë, nuk e kishte qethur mjekrrën as i kishte larë petkat e veta prej ditës që mbreti e kishte lëshuar qytetin deri në ditën kur u kthye shëndoshë e mirë.
- 26 Kur i doli para prej Jerusalemit në takim mbretit, mbreti i tha: Meribaal, pse nuk erdhe me mua?
- 27 Ai iu përgjigj: O mbret, zotëria im, më gënjeu shërbëtori im! Në të vërtetë, unë shërbëtori yt, i pata thënë: Po e shaloj gomarin dhe po shkoj me mbretin, sepse unë, shërbëtori yt jam i çalë.
- 28 Ai për më tepër i është shpifur shërbëtorit tënd para zotërisë tim, mbretit. Porse ti, Imzot o mbret, je porsi engjëlli i Hyjit: bëj gjithë si të të pëlqejë ty me mua.
- 29 Sepse mbarë familja e tim eti nuk ka merituar tjetër para zotërisë tim mbretit përveç vdekjes; porse ti më vure mua, shërbëtorin tënd, me ata që hanë në tryezën tënde. Po a kam unë më ndonjë të drejtë? Ç`do të kisha unë t`i ankohesha mbretit?
- 30 Prandaj mbreti i tha: S`është nevojë të shtosh të tjera fjalë. Unë e kam caktuar: Ti e Siba ndani pronat!
- 31 Meribaali iu përgjigj mbretit: Le t`i marrë të gjitha, në dashtë, pasi imzot mbreti u kthye në shtëpinë e vet shëndoshë e mirë!Berzelai
- 32 Po ashtu zbriti prej Rogelimit Berzelai i Galaadit. Ai e kaloi bashkë me mbretin Jordanin për t`u përshëndetur e për t`u ndarë nga mbreti në Jordan.
- 33 Berzelai Galaadas ishte shumë i moshuar: ishte tetëdhjetëvjeçar. Derisa mbreti po qëndronte në Mahanaim, ky i kishte sjellë mbretit ushqime: ishte njeri shumë i pasur.
- 34 Mbreti i tha Berzelait: Eja me mua dhe unë do të të mbajë në Jerusalem.
- 35 Por Berzelai iu përgjigj mbretit: Po edhe sa vjet jete më mbesin që të vij unë me mbretin në Jerusalem?
- 36 Unë jam sot tetëdhjetëvjeçar! A thua mund të dallojnë tanimë shqisat e mia të ëmblën nga e hidhura? A thua mund ta kënaqë shërbëtorin tënd haja e pija? A thua mund të dëgjoj më zërin e këngëtarëve e të këngëtareve? Përse shërbëtori yt do t`i bëhej barrë më tutje zotërisë tim mbretit?
- 37 Po eci, shërbëtori yt, me ty edhe pak prej Jordanit. Pse të ma japë mbreti një shpërblim të tillë?
- 38 Por, po të lutem, unë shërbëtori yt, që të kthehem e të vdes në qytetin tim aty afër varrezës së tim eti e sime nënë. Por ja, shërbëtori yt Kamaami: le të vijë ai me ty, imzot mbret, e bëji atij çka të të pëlqejë.
- 39 E mbreti tha: Le të vijë, pra, me mua Kamaami e unë do të bëj për të gjithçka të të pëlqejë ty. Gjithçka të më kërkosh për të, për hatrin tënd, do t`ia plotësoj.
- 40 Kur e kaloi Jordanin mbarë populli bashkë me mbretin, mbreti u përqafua me Berzelain dhe e bekoi. Ai u kthye në vendin e vet.Juda dhe Izraeli grinden rreth mbretit
- 41 Mbreti e vazhdoi kështu rrugën drejt Galgalës e Kamaami udhëtonte me të. Mbretin e përcillte mbarë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit.
- 42 Kur ja, mbarë izraelitët u bashkuan e dolën para mbretit. I thanë: Pse vëllezërit tanë, bijtë e Judës, të vodhën dhe e kaluan mbretin tonë, mbarë familjen e tij përtej Jordanit dhe të gjithë njerëzit që qenë me Davidin?
- 43 Judenjtë iu përgjigjën izraelitëve: Sepse e kemi më afër mbretin. Pse po hidhëroheni për këtë gjë? A mos hëngrëm gjë prej mbretit, apo na u dhanë farë dhuratash?
- 44 Atëherë izraelitët iu përgjigjën judenjve: Dhjetë pjesë të mbretit na përkasin neve në mbretin, këndej edhe në Davidin. Pastaj ne jemi të parëlindurit. Pse na përbuzët? Po a nuk qemë ne të parët që kërkuam të kthehet mbreti ynë? Por fjalët e Judës ishin më të rënda se fjalët e burrave të Izraelit.