Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Dënohet lteri në Betel
- 1 Dhe, ja, një njeri i Hyjit prej Judës, me urdhër të Zotit, erdhi në Betel mu atëherë kur Jeroboami kishte hipur në lter për ta djegur kemin.
- 2 Ai, me urdhër të Zotit bërtiti kundër lterit e tha: Lter, o lter! Kështu thotë Zoti: `Ja, do të lind një djalë në shtëpinë e Davidit me emrin Jozi! Ai do t`i flijojë mbi ty priftërinjtë e lartësive, që kanë flijuar mbi ty kemin dhe do të djegë mbi ty eshtra njerëzish!
- 3 Njëkohësisht dha këtë shenjë duke thënë: Dhe, ja, shenja se janë fjalët e Zotit: Ja, lteri do të çahet e hiri, që është mbi të, do të derdhe!
- 4 Mbreti, posa dëgjoi fjalën e njeriut të Hyjit, që bërtiti kundër lterit në Betel, e shtriu dorën e vet që kishte mbi lter e tha: Kapeni! Porse dora e tij që e shtriu kundër atij njeriu, iu ngri dhe s`mundi ta mbledhë më.
- 5 Po edhe lteri u ça dhe u derdh hiri që ishte mbi të, sipas shenjës që njeriu i Hyjit e kishte dhënë me urdhër të Zotit.
- 6 Atëherë mbreti mori fjalën e i tha njeriut të Hyjit: Lute Zotin, Hyjin tënd, e ndërmjetëso për mua që të mund ta mbledh dorën time. Njeriu i Hyjit iu lut Zotit dhe dora e mbretit u kthye dhe u bë siç ishte më parë.
- 7 Atëherë mbreti i tha njeriut të Hyjit: Eja me mua në shtëpi për bukë e do të të jap edhe dhurata.
- 8 Por njeriu i Hyjit iu përgjigj mbretit: Po të më jepje edhe gjysmën e shtëpisë sate, nuk do të vija me ty as s`do të haja bukë, as s`do të pija ujë në këtë vend,
- 9 sepse kështu më qe urdhëruar me fjalën e Zotit: `As mos ha, as mos pi ujë, as mos u kthe rrugës nëpër të cilën ke shkuar`!
- 10 Shkoi, pra, një rruge tjetër e nuk u kthye nëpër atë rrugë, nëpër të cilën kishte shkuar në Betel.Njeriu i Hyjit dhe profeti
- 11 Në Betel jetonte një profet i moçëm. Bijtë e tij erdhën dhe i treguan gjithçka kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Hyjit. Ia treguan t`et edhe fjalët që ia kishte thënë mbretit.
- 12 I ati i pyeti: Nga ia mbajti? Të bijtë ia treguan udhën së cilës shkoi njeriu i Hyjit që kishte ardhur nga Juda.
- 13 U tha ky të bijve: Ma shiloni gomarin! Pasi ia shiluan, hipi në gomar,
- 14 u nis pas njeriut të Hyjit dhe e gjeti duke ndenjur nën një terebentinë. I tha: A mos je ti ai njeriu i Hyjit që erdhi nga Juda? Ai iu përgjigj: Unë jam.
- 15 Ai i tha: Eja me mua në shtëpi për të ngrënë bukë. .
- 16 Ai iu përgjigj: Nuk mund të kthehem as të vij me ty. Nuk do të ha bukë, as nuk do të pi ujë në këtë vend,
- 17 sepse kështu më është thënë me anë të fjalës së Zotit: `As mos ha bukë, as mos pi ujë aty; madje as mos u kthe rrugës, nëpër të cilën të kesh shkuar`.
- 18 Por ai i tha: Edhe unë jam profet si ti; tashti edhe mua një engjëll me urdhër të Zotit më tha : `Bëje të kthejë ai njeri në shtëpinë tënde për të ngrënë bukë e për të pirë ujë`.
- 19 E gënjeu dhe e bëri të kthehej me të. Kështu hëngri bukë në shtëpinë e tij dhe piu ujë.
- 20 Ndërsa ishin në tryezë, profetit që e bëri të kthehej, i erdhi fjala e Zotit
- 21 e profeti i bërtiti njeriut të Hyjit, që kishte ardhur nga Juda e i tha: Kështu thotë Zoti: `Pasi nuk e dëgjove fjalën e Zotit e nuk e zbatove urdhrin që ta dha Zoti, Hyji yt,
- 22 dhe ktheve, hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të kishte urdhëruar të mos haje bukë as të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu`.
- 23 Pasi njeriu i Hyjit hëngri bukë e piu, e shiloi për vete gomarin e profetit që e ktheu,
- 24 u nis e shkoi. Rrugës e takoi një luan, i cili e mbyti. Kështu kufoma e tij rrinte shtrirë në rrugë. Pranë tij qëndronte gomari, po edhe luani qëndronte përskaj kufomës.
- 25 Njerëzit që kalonin, e panë kufomën e shtrirë në udhë edhe luanin që rrinte pranë kufomës. Ata erdhën dhe e përhapën lajmin në qytet ku jetonte profeti i moshuar.
- 26 Kur dëgjoi profeti që e kishte bërë të kthehej nga udha, tha: Është ai njeriu i Hyjit që nuk e dëgjoi fjalën e Zotit dhe Zoti e la ndër kthetra të luanit. Luani e copëtoi dhe e mbyti, sipas fjalës së Zotit që e ka thënë për të.
- 27 Dhe u tha bijve të vet: Shilomani gomarin! Ata ia shiluan.
- 28 Ai shkoi dhe e gjeti kufomën e tij të hedhur mes rrugës dhe gomarin e luanin që po rrinin përbri kufomës. Luani s`kishte ngrënë gjë prej kufomës as s`e kishte lënduar gomarin.
- 29 Profeti e mori kufomën e njeriut të Hyjit, e vuri në gomar. Profeti i moshuar u kthye në qytetin ku banonte për t`i bërë gjëmën dhe për ta varrosur.
- 30 Kufomën e tij e varrosi në varrin e vet dhe e vajtuan: I mjeri unë, vëlla!
- 31 Kur e varrosën, u tha bijve të vet: Kur të vdes unë, më varrosni edhe mua në varrin ku u varros njeriu i Hyjit: përbri eshtrave të tij vini edhe eshtrat e mi.
- 32 Pa farë dyshimi do të plotësohet fjala që e parafoli me urdhër të Zotit kundër lterit që është në Betel dhe kundër të gjithë tempujve të lartësirave që janë në Samari.
- 33 As pas këtyre ngjarjeve Jeroboami nuk u kthye nga rruga e vet tepër e keqe, por gjithnjë vazhdoi të bëjë priftërinj për tempujt e lartësirave njerëz të marrë thjesht prej popullit: kushdo që donte, Jeroboami i jepte pushtetin e priftërisë dhe e bënte prift lartësirash.
- 34 Kjo gjë e bëri shtëpinë e Jeroboamit të bjerë në mëkat dhe i shkaktoi rrënimin e plotë dhe e zhduki nga faqja e dheut.