Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Mbretërimi i Elës në Izrael
- 1 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Jehuit, birit të Hananiut, kundër Baasës:
- 2 Megjithëse unë të ngrita nga pluhuri e të bëra prijësin e popullit tim Izraelit, prapëseprapë ti ece udhës së Jeroboamit dhe bëre që të mëkatojë populli im, Izraeli, me qëllim që të më ngacmojë me mëkatet e tija,
- 3 ja, unë do ta fshij Baasën dhe do t`i fshij pasardhësit e familjes së tij. Shtëpinë tënde, Baasë, do ta bëj si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit!
- 4 Cilido prej shtëpisë së Baasës që të vdesë në qytet, do ta hanë qentë dhe cilido prej të tijve që të vdesë në fushë, do ta hanë shpendët e ajrit.
- 5 Veprat e tjera të Baasës, gjithçka bëri dhe trimëritë e tija, a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 6 Edhe Baasa fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Tersë. Në vend të tij u bë mbret Ela, biri i tij.
- 7 Por fjala e Zotit i qe drejtuar përmes gojës së profetit Jehu, birit të Hananiut, Baasës e shtëpisë së tij jo vetëm sepse i bëri të gjitha të këqijat para syve të Zotit duke e fyer atë me veprat e duarve të veta saqë u bë i ngjashëm me shtëpinë e Jeroboamit, por edhe sepse e shfarosi familjen e tij.Mbretërimi i Elës në Izrael /886-885/
- 8 Në vitin e njëzetegjashtë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbret në Tersë mbi Izraelin u bë Ela, biri i Baasës, e mbretëroi dy vjet.
- 9 Kundër tij u ngrit një shërbëtor i tij, Zambriu, prijësi i gjysmës së karrocave të luftës. Ela ndodhej në Tersë, në shtëpinë e Asës, kryetarit të pallatit në Tersë. Ishte dehur duke pirë.
- 10 U fut, pra, Zambriu brenda, i ra dhe e vrau në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, e u bë mbret në vend të tij.
- 11 Si u bë mbret dhe hipi në fron, vrau mbarë familjen e Baasës. Nuk la prej tij asnjë mashkull për be, as të afërm e as miq të tij.
- 12 Zambriu e shfarosi mbarë shtëpinë e Baasës sipas fjalës së Zotit që e kishte folur kundër Baasës me gojën e Jehuit profet.
- 13 Shkak ishin mëkatet e Baasës e të birit të tij Elës, të cilët mëkatuan dhe bënë të mëkatojë Izraeli, duke e zemëruar Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të rrejshëm.
- 14 Veprat e tjera të Elës dhe gjithçka bëri, a nuk janë këto të shkuara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?Mbretërimi i Zambriut në Izrael /885/
- 15 Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë mbretëroi Zambriu shtatë ditë. Asokohe populli e kishte rrethuar Gebetonin, një qytet i filistenjve.
- 16 Kur populli mori vesh se Zambriu ishte çuar kundër mbretit dhe e kishte vrarë, mbarë Izraeli e shpalli për mbret të vetin Amriun, që asokohe ishte kryekomandant i ushtrisë në fushim të mbarë Izraelit.
- 17 Kështu, pra, Amriu e mbarë Izraeli me të lëshuan rrethimin e Gebetonit dhe e rrethuan Tersën.
- 18 Kur Zambriu pa se qyteti do të pushtohej, hyri në pallatin mbretëror, i dha zjarr pallatit mbretëror dhe vdiq i djegur nga zjarri
- 19 në mëkatet e veta që i bëri duke bërë të keqen para syve të Zotit duke jetuar udhës së Jeroboamit dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë.
- 20 Veprat e tjera të Zambriut si dhe kryengritja që bëri, vallë a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 21 Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit përkrahte Tebniun, birin e Ginetit, për ta bërë atë mbret, kurse gjysma tjetër e donin Amriun.
- 22 Por mbizotëroi populli që ishte me Amriun kundrejt popullit që përkrahte Tebniun, të birin e Ginetit. Kur Tebniu vdiq, u bë mbret Amriu.Mbretërimi i Amriut në Izrael /885-874/
- 23 Në vitin tridhjetë e një të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbretëroi Amriu mbi Izraelin për dymbëdhjetë vjet. Në Tersë mbretëroi gjashtë vjet.
- 24 Atëherë e bleu prej Somerit malin e Samarisë për dy talenta të argjendtë. Ndërtoi një qytet dhe qytetin që e ndërtoi e quajti Samari, me emrin e Somerit, pronarit të malit.
- 25 Amriu bëri keq ndër sy të Zotit, madje veproi edhe më keq se të gjithë të tjerët që kishin qenë para tij.
- 26 Eci të gjitha udhëve të Jeroboamit, birit të Nabatit, si edhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë me qëllim që ta fyenin Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të kotë.
- 27 Veprat e tjera të Amriut si dhe luftërat e tija, që i bëri me trimëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 28 Amriu fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Samari. Në vend të tij mbretëroi Akabi, i biri.Hyrje në mbretërimin e Akabit /874-853/
- 29 Akabi, biri i Amriut, u bë mbret mbi Izraelin në të tridhjetetetin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Akabi, biri i Amriut, mbretëroi në Samari mbi Izraelin për njëzet e dy vjet.
- 30 Akabi, biri i Amriut, bëri keq ndër sy të Zotit më tepër se të gjithë ata që kishin qenë para tij.
- 31 Dhe nuk iu duk mjaft të ecë në mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, por edhe u martua me Jezabelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonëve dhe zuri t`i shërbejë Baalit e të përkulej para tij.
- 32 Ai ndërtoi një lter për nder të Baalit në tempullin e Baalit që kishte ndërtuar në Samari,
- 33 madje ndërtoi edhe banirin, bëri edhe vepra të tjera të liga duke e fyer Zotin, Hyjin e Izraelit, më tepër se të gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.
- 34 Në ditët e tija Hieli i Betelit e rindërtoi Jerikun. Mbi Abiramin, të parëlindurin e vet, i qiti themelet e mbi Segubin, djalin e vet më të voglin, i ndërtoi dyert e tija, sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë me anë të Jozuehit, birit të Nunit.