Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Në udhëtim drejt Horebit
- 1 Akabi i tregoi Jezabelës gjithçka bëri Elia dhe si i kishte prerë me shpatë të gjithë profetët.
- 2 Atëherë Jezabela nisi tek Elia një kasnec me këto fjalë: Kështu e kështu e më zi ma bëfshin zotat, në qoftë se nesër, po në të njejtën orë, nuk do të bëj me jetën tënde ashtu siç bëre ti me jetën e secilit prej tyre.
- 3 U tremb, pra, Elia, u çua e shkoi për të shpëtuar jetën. Kur arriti në Bersabenë e Judës, aty e nisi të shkojë shërbëtorin e vet.
- 4 Ai vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: S`mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!
- 5 Atëherë ra e fjeti në hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: Çohu e ha!
- 6 I hapi sytë, dhe ja, te koka e tij një bukë e pjekur në vatër të skuqur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti.
- 7 Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.
- 8 Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb.Takimi me Hyjin
- 9 Si arriti atje, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: Ç`bën këtu, Eli?
- 10 Ai u përgjigj: Jam plot zell për Zotin, Hyjin e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e lanë besëlidhjen tënde, i rrënuan lterët e tu dhe i prenë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë, po edhe mua kërkojnë të ma marrin jetën.
- 11 Ai i tha: Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet!
- 12 Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë.
- 13 Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës dhe, ja një zë që i tha: Çka po bën këtu, Eli?
- 14 Ai u përgjigj: Jam plot zell për Zotin, Hyjin e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e lanë besëlidhjen tënde, i rrënuan lterët e tu e profetët e tu i vranë me shpatë: kam mbetur vetëm unë, po edhe mua kërkojnë të ma marrin jetën.
- 15 Zoti i tha: Çohu e kthehu rrugës sate në drejtim të shketëtirës së Damaskut. Kur të kesh mbërritur atje, lyeje Hazaelin për mbret të Sirisë,
- 16 kurse Jehuin, birin e Namsiut, lyeje mbret mbi Izraelin, ndërsa Elizeun, birin e Safatit, që është në Abelmehulë, shuguroje profet në vendin tënd.
- 17 Kështu do të ndodhë: Kush t`i shpëtojë shpatës së Hazaelit, do ta vrasë Jehui, e kush t`i shpëtojë shpatës së Jehuit, do ta vrasë Elizeu.
- 18 Unë për vete do të lë në Izrael shtatë mijë vetë: të gjithë gjunjët që nuk u përkulën para Baalit dhe çdo gojë që nuk e puthi atë.Thirrja e Elizeut
- 19 U nis, pra, prej andej Elia dhe e gjeti Elizeun, birin e Safatit, duke lëvruar me dymbëdhjetë pendë qe; Elizeu ishte tek e dymbëdhjeta pendë. Kur u avit Elia tek ai, e hodhi leshnikun e vet mbi të.
- 20 Ky menjëherë i la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: Më lejo, të lutem, të përqafohem me babain e me nënën time dhe atëherë po vij pas teje. Ai i tha: Shko e kthehu! Sepse e di se çfarë kam bërë me ty.
- 21 U kthye prej tij, mori një pendë qe e i preu fli. Me veglat e lëvrimit e zjeu mishin dhe ua dha njerëzve ta hanin. Pastaj u çua, shkoi pas Elisë dhe u vu në shërbimin e tij.