Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Testamenti dhe vdekja e Davidit
- 1 Kur iu afrua dita e vdekjes, Davidi i urdhëroi birit të vet Salomonit. I tha:
- 2 Unë po nisem për rrugën që do ta bëjnë të gjithë njerëzit mbi tokë. Ji i fortë dhe ji njeri!
- 3 Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh,
- 4 që Zoti ta çojë në vend fjalën që e ka folur kur m`u zotua: `Nëse bijtë e tu në jetën e tyre do të kujdesen që të ecin në praninë time me besnikëri me gjithë mend e zemër, mbi fronin e Izraelit do të rrijë gjithmonë njëri prej pasardhësve të tu`.
- 5 Edhe ti e di se çfarë më ka bërë mua Joabi, biri i Sarvisë, ç`u bëri dy prijësve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasës, birit të Jeterit, të cilët i vrau. E derdhi gjakun në kohë të paqes siç bëhet në luftë, dhe e njollosi me gjak lufte brezin që kishte rreth ijës së vet dhe sandalet që i kishte në këmbët e veta.
- 6 Vepro me zgjuarsi e mos lejo që thinjat e tija të zbresin në paqe në banesën e të vdekurve.
- 7 Përkundrazi, ndaj bijve të Bezelait galaadas, sillu me mirësi; le të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse ata m`u gjetën në ndihmë kur ikja prej vëllait tënd Absalomit.
- 8 Tek ti është Semei, biri i Gerës, beniaminas, prej Bahurimit. Ky më mallkoi me një mallkim të tmerrshëm, kur po shkoja në Mahanaim. Por, meqenëse zbriti tek Jordani për të më përshëndetur, prandaj unë iu përbetova në Zotin: `Unë nuk do të të vras me shpatë.`
- 9 Por ti tani mos e lër të pandeshkuar mëkatin e tija. Ti e merr vesh vetë, se je i mençur e di si duhet të sillesh me të. Bëj të zbresin thinjat e tija në dhe me gjak.
- 10 Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit.
- 11 Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.Vdekja e Adonisë
- 12 Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babait të vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë.
- 13 Adonia, biri i Hagitës, shkoi te Betsabeja, nëna e Salomonit. Ajo i tha: A është ardhja jote me qëllim paqeje? Ai iu përgjigj: Me qëllim paqeje.
- 14 Dhe shtoi: Kam diçka për të të thënë. Ajo i tha: Fol! Ai vazhdoi:
- 15 Ti e di se mua më ka takuar mbretëria dhe se mbarë Izraeli më kishte parashikuar për mbretin e vet, por tani mbretëria më shpëtoi prej dore dhe i takoi vëllait tim, sepse i qe dhënë prej Zotit.
- 16 Tani s` kam veçse një lutje të vetme tek ti; ma plotëso të lutem. Ajo i tha: Fol!
- 17 Ai vazhdoi: Të lutem, i thuaj mbretit Salomon;ai s` mund të të mohojë ty asgjë;të ma japë për grua Abisagën sunamite.
- 18 Atëherë Betsabeja i tha: Mirë, për ty do të flas me mbretin.
- 19 Shkoi, pra, Betsabeja te Salomoni mbret për të biseduar me të për Adoninë. Mbreti u ngrit në këmbë dhe i doli para, e përshëndoshi dhe u ul të rrijë mbi fronin e vet. Urdhëroi atëherë që të vihet edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij.
- 20 Ajo i tha: Kërkoj një nder të vogël prej teje, mos ma moho. Mbreti iu përgjigj: Kërko, nëna ime, se s` ka hije të mos ta dëgjoj kërkesën.
- 21 Ajo i tha: A bën t`i jepet për grua Adonisë, vëllait tënd, Abisaga sunamite?
- 22 Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së vet e i tha: Pse e kërkon për Adoninë Abisagën sunamite? Kërkoje për të edhe mbretërinë! Pse a nuk e di ti se ai është vëllai im më i madh dhe e përkrah prifti Abiatar dhe Joabi, biri i Sarvisë?.
- 23 Atëherë u përbetua Salomoni mbret në Zotin e tha: More kështu e kështu ma bëftë Zoti mua e edhe më zi, nëse Adonia nuk e ka folur këtë fjalë sot në dëm të jetës së vet!
- 24 Pasha Zotin e gjallë, që më ka përforcuar dhe më ka vendosur mbi fronin e tim eti, Davidit, dhe që më ka dhënë të hyj në radhën mbretërore, ashtu sikurse ai vetë ka thënë: mu sot Adonia do të vritet!
- 25 Dhe Salomoni mbret dërgoi Banajën, birin e Jojadës.Ky e goditi dhe Adonia vdiq.Fati i Abiatarit dhe i Joabit
- 26 Priftit Abiatar mbreti i urdhëroi: Shko në pronën tënde në Anatot. E ke merituar vdekjen, por sot nuk po të vras, sepse e ke bartur Arkën e Zotit Hyj në praninë e babait tim Davidit dhe pse i ke duruar të gjitha të vështirat që i ka hequr edhe im atë.
- 27 Kështu Salomoni përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit që të shkonte në vend fjala e Zotit, të cilën e tha për shtëpinë e Heliut në Silo.
- 28 Lajmi i shkoi në vesh Joabit. Joabi kishte marrë anën e Adonisë, megjithëse nuk e kishte përkrahur Absalomin. Atëherë iku në Tendën e Zotit dhe u kap për brirë të lterit.
- 29 E lajmëruan mbretin Salomon se Joabi kishte ikur në Tendën e Zotit dhe se ishte përbri lterit. Salomoni e dërgoi Banajën, birin e Jojadës e i urdhëroi: Shko e vritie!
- 30 Banaja shkoi në Tendën e Zotit e i tha: Kështu thotë mbreti: `Dil jashtë`! Ai u përgjigj: S`dal jashtë, por do të vdes këtu! Banaja i çoi mbretit fjalën e i tha: Kështu foli Joabi dhe kështu m`u përgjigj.
- 31 Mbreti i urdhëroi: Bëj siç ka thënë: vritie e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së tim eti gjakun e pafajshëm që ka derdhur Joabi.
- 32 Zoti do të bëjë që gjaku i tij të bjerë mbi kokën e tij, sepse i ka vrarë dy njerëz të pafajshëm më të mirë se ai vetë; i preu me shpatë pa dijen e babait tim Davidit: Abnerin, birin e Nerit, prijësin e ushtrisë së Izraelit, dhe Amasën, birin e Jeterit, prijësin e ushtrisë së Judës.
- 33 Gjaku i tyre le të bjerë mbi kokën e Joabit dhe në kokën e pasardhësve të tij për amshim, kurse mbi Davidin, mbi trashëgiminë e tij, mbi shtëpinë mbretërore e mbi fronin e tij rëntë prej Zotit paqja e përhershme.
- 34 Kështu Banaja, biri i Jojadës, shkoi, iu sul dhe e vrau.Joabi u varros në shtëpinë e vet në shkretëtirë.
- 35 Në vend të tij mbreti prijës të ushtrisë e bëri Banajën, birin e Jojadës, e në vend të Abiatarit për prift vuri Sadokun.Padëgjesa dhe vdekja e Semeit
- 36 Mbreti çoi dhe e thirri edhe Semein dhe i tha: Ndërto për vete një shtëpi në Jerusalem dhe bano në të. Mos dil prej saj për të shkuar andej e këndej.
- 37 Atë ditë që të dalësh e ta kalosh përruan Cedron, dije mirë se do të vritesh: gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde!
- 38 Semei iu përgjigj mbretit: Urdhër me vend! Siç urdhëron zotëria im mbreti, ashtu do të bëjë shërbëtori yt. Dhe Semei jetoi një kohë të gjatë në Jerusalem.
- 39 Pas tre vjetësh ndodhi që dy shërbëtorë të Semeit të iknin tek Akisi, biri i Maakës, mbreti i Getit. E lajmëruan Semein se shërbëtorët e tij ishin në Get.
- 40 Atëherë Semei u çua, e shaloi gomarin dhe shkoi në Get tek Akisi për t`i kërkuar skllevërit e vet dhe i mori prej Getit.
- 41 E njoftuan Salomonin se Semei kishte shkuar nga Jerusalemi në Get dhe se ishte kthyer.
- 42 Çoi dhe e thirri e i tha: A nuk ta kam qitur për dëshmitar Zotin e nuk të kam njoftuar me kohë: `Atë ditë që të dalësh e të shkosh andej e këndej, dije se do të vritesh`? E ti m`u përgjigje: `Urdhër me vend: e kam marrë vesh.`
- 43 Pse nuk e mbajte përbetimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kam dhënë?
- 44 Mbreti pastaj i tha Semeit: Ti i di mirë dhe s`ke pasur si t`i harrosh të gjitha të këqijat që i ke bërë tim eti, Davidit; Zoti po e kthen të keqen tënde mbi kokën tënde.
- 45 Kurse Salomoni mbret do të jetë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm për amshim para Zotit.
- 46 Kështu mbreti i dha urdhër Banajës, birit të Jojadës. Ky doli, e goditi dhe Semei vdiq.Kështu mbretëria vinte e bëhej përherë e më e fortë në dorën e Salomonit.