Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Ëndrra në Gabaon
- 1 Salomoni lidhi krushqi me faraonin, mbre tin e Egjiptit. U martua me bijën e faraonit dhe atë e vendosi në Qytetin e Davidit derisa të kryente së ndërtuari shtëpinë e vet, Tempullin e Zotit dhe murin rrethues të Jerusalemit.
- 2 Asokohe populli kushtonte fli ende në lartësira, sepse deri atëherë ende nuk ishte ndërtuar tempulli për nder të emrit të Zotit.
- 3 Salomoni e donte Zotin dhe jetonte sipas porosive që i kishte dhënë i ati, Davidi, me përjashtim se flijonte në lartësira dhe digjte temjan.Ëndrra në Gabaon
- 4 Shkoi, pra, Salomoni në Gabaon për të flijuar atje. Atje ishte lartësira më me rëndësi. Salomoni aty, mbi atë lter kushtoi një mijë fli shkrumbimi.
- 5 Në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha : Kërko çfarë do që të të jap unë!
- 6 Salomoni tha: Ti je sjellë me shërbëtorin tënd Davidin, babain tim, me besnikëri të madhe, sepse ai ka jetuar para syve të tu me besë, me drejtësi e me ndershmëri të zemrës së vet. Ti ia mbajte besën e bëre që mbi fronin e tij të rrijë djali i tij, siç është sot.
- 7 E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar.
- 8 Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë.
- 9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?
- 10 Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri
- 11 dhe Hyji i tha Salomonit: Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi,
- 12 ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s` do ta ketë askush pas teje si ti.
- 13 Por edhe ato që ti nuk i kërkove, po t` i jap unë, d. m. th. pasuri e lavdi saqë s` ka për të qenë askush i ngjashëm me ty ndër mbretër gjatë gjithë jetës sate.
- 14 E në qoftë se ti do të ecësh udhëve të mia duke mbajtur ligjet e urdhërimet e mia, siç eci yt atë, Davidi, të shumta do t`i bëj edhe ditët e jetës satë.
- 15 Salomonit i doli gjumi dhe e mori vesh se kishte qenë ëndërr. Kur u kthye në Jerusalem, qëndroi para Arkës së Besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi, kushtoi fli pajtimi dhe u bëri gosti të gjithë shërbëtorëve të vet.Gjyqi i Salomonit
- 16 Pastaj erdhën dy lavire dhe qëndruan para tij.
- 17 Njëra prej tyre tha: Me leje, imzot! Unë e kjo grua jetonim në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi fëmija pranë saj në shtëpi.
- 18 Të tretën ditën, pasi më lindi fëmija, lindi edhe kjo. Ishim së bashku dhe askush tjetër nuk ishte me ne në dhomë, përveç ne të dyjave.
- 19 Një natë kësaj i vdiq fëmija, sepse kishte rënë mbi të ndërsa po flinte.
- 20 Kjo u çua në pellg të natës, pa zhurmë e mori djalin tim nga gjiri im, i shërbëtores sate ndërsa isha fjetur dhe e vuri pranë vetes; kurse djalin e vet që kishte vdekur, e vendosi në gjirin tim.
- 21 Kur u ngrita në mëngjes për t`i dhënë fëmijës gji, pashë se ishte i vdekur. Por kur e shikova me kujdes në dritë të qartë, pashë se s`ishte fëmija që kisha lindur unë.
- 22 Gruaja tjetër u përgjigj: S` është e vërtetë! Djali im është gjallë, kurse djali yt ka vdekur! Kurse ajo tjetra thoshte: Po gënjen! Djali yt ka vdekur, kurse imi është gjallë!Dhe kështu grindeshin para mbretit.
- 23 Atëherë mbreti tha: Kjo po thotë: `Djali im është gjallë e djali yt ka vdekur`; kurse kjo tjetra po përgjigjet: `Jo! Por djali yt ka vdekur e im bir është gjallë`.
- 24 Prandaj edhe mbreti tha: Ma bini shpatën! Kur e prunë shpatën para mbretit:
- 25 Ndajeni;tha;foshnjën e gjallë në dy pjesë dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës!
- 26 Porse gruaja, djali i së cilës ishte gjallë, sepse i theri nëzemër për djalin e vet;i tha mbretit: Po të lutem, zotëri, jepjani asaj foshnjën e gjallë dhe mos e vrisni! Përkundrazi ajo tjetra thoshte: As mua as asaj: le të ndahet!
- 27 Atëherë mbreti u përgjigj e tha: Jepjani kësaj foshnjën e gjallë e të mos vritet: kjo është nëna e saj!
- 28 Mbarë Izraeli dëgjoi për pleqërinë që bëri mbreti dhe i dhanë nderim mbretit duke parë se kishte dijen e Hyjit për të ndarë drejtësinë.