Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Zëri i madh i Salomonit
- 1 Salomoni kishte nën sundim të gjitha mbretëritë prej Lumit deri në tokën e filistenjve e deri në kufij të Egjiptit. Ato i paguanin të dhjetat dhe i shërbenin Salomonit gjatë krejt jetës së tij.
- 2 Ushqimet e Salomonit ishin për çdo ditë: tridhjetë korë majë mielli dhe gjashtëdhjetë korë miell të rëndomtë,
- 3 dhjetë qe të majmë, njëzet qe nga kullota, njëqind dele, pa marrë parasysh kaprojtë, shutat, dhitë e egra, e shpendët e majmë.
- 4 Sepse ai sundonte mbarë krahinën që është përtej Lumit, prej Tafsës e deri në Gazë dhe të gjithë mbretërit e atyre krahinave. Ishte në paqe në kufijtë përreth.
- 5 Juda dhe mbarë Izraeli jetonte pa farë frike, secili nën hardhinë e vet e nën fikun e vet, prej Danit e deri në Bersabejë gjatë gjithë jetës së Salomonit.
- 6 Salomoni kishte dyzet mijë kuaj për karroca dhe dymbëdhjetë mijë për shalë.
- 7 Qeveritarët e lartpërmendur e nozullonin Salomonin mbret me gjithçka i lypej për tryezën e mbretit e të gjithë atyre që kishin pjesë në tryezën e tij, secili në muajin që i takonte.
- 8 Po ashtu edhe elb e ushqim për kuaj dhe gjedhë karroce sillnin në atë vend ku i ishte caktuar secilit.Zëri i madh i Salomonit
- 9 Hyji i dha Salomonit edhe dije e urtësi të madhe shumë e mendje të gjerë porsi rëra që është në bregun e detit.
- 10 Urtësia e Salomonit ishte më e madhe se urtësia e të gjithë orientlëve e të gjithë egjiptianëve.
- 11 Ishte më i dijshëm se të gjithë njerëzit. Më i urtë se Etan Ezrahiti, se Hemani, Kalkoli e Dorda, bijtë e Maholit dhe përmendej ndër mbarë popujt përreth.
- 12 Salomoni ka thënë tri mijë fjalë të urta, kurse këngë të tija kishte një mijë e pesë.
- 13 Foli edhe për lëndë: që prej cedrit që është në Liban deri te hisopi që mbin në mur; ka folur për kafshë, për shpendë, për zvaranikë e për peshq.
- 14 Vinin prej të gjitha kombeve për të dëgjuar urtësinë e Salomonit, prej të gjithë mbretërve të botës që kishin dëgjuar për urtësinë e tij.2. SALOMONI NDËRTIMTARPërgatitjet për ndërtimin e Tempullit
- 15 Hirami, mbreti i Tirit, dërgoi shërbëtorët e vet te Salomoni, sepse kishte dëgjuar se e kishin shuguruar mbret në vend të babait të vet. Hirami ka qenë gjithherë mik me Davidin.
- 16 Atëherë edhe Salomoni dërgoi për t`i thënë:
- 17 Ti e di mirë se im atë Davidi nuk mundi të ndërtonte një shtëpi për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të tij, për shkak të luftërave të pandërprera përreth derisa Zoti bëri që armiqtë e tij t`i vinte nën thembrën e këmbëve të veta.
- 18 Por tani Zoti, Hyji im, më dha paqe gjithkund përreth: nuk kam kundërshtarë as ndonjë vështirësi të veçantë.
- 19 Për këtë arsye mendoj të ndërtoj një tempull për nder të Emrit të Zotit, Hyjit tim, ashtu siç i ka thënë Zoti Davidit, babait tim, kur i tha: `Biri yt, të cilin do ta vë mbi fronin tënd në vendin tënd, ai do ta ndërtojë tempullin për nder të Emrit tim`.
- 20 Prandaj jep urdhër që të presin për mua cedra të Libanit. Shërbëtorët e mi do të jenë me shërbëtorët e tu. Unë do t`i shpërblej shërbëtorët e tu ashtu si ta caktosh ti: sepse ti e di mirë se tek ne nuk ka njerëz që dinë të presin lëndë si sidonët.
- 21 Kur dëgjoi Hirami fjalët e Salomonit, u gëzua shumë e tha: Qoftë bekuar sot Zoti që i dha Davidit një djalë shumë të dijshëm për të sunduar një popull kaq të shumtë.
- 22 Dhe Hirami dërgoi te Salomoni e tha: E kam marrë vesh gjithçka më ke kërkuar. Po, unë do ta plotësoj dëshirën tënde lidhur me lëndën e cedrit e të bredhit.
- 23 Shërbëtorët e mi do t`i sjellin prej Libanit në det. Unë do t`i rregulloj në trap, do ta nis nëpër det deri në vendin që ta caktosh ti dhe do t`i qes aty e atëherë ti do t`i marrësh. Prej anës sate dëshiroj që ti të m`i japësh nozullime shtëpisë sime.
- 24 Kështu Hirami i jepte Salomonit dru cedri e bredhi gjithsa dëshironte.
- 25 Salomoni, prej anës së tij, i jepte Hiramit njëzet mijë korë grurë për ushqim për shtëpinë e tij dhe njëzet korë vaj të pastër. Kaq i jepte Salomoni Hiramit çdo vit.
- 26 Zoti i dha Salomonit dijen, ashtu siç i kishte premtuar.Ndërmjet Hiramit e Salomonit mbretëronte paqja dhe së bashku lidhën besëlidhje.
- 27 Atëherë Salomoni mbret hapi angarinë në mbarë Izraelin: në angari u morën tridhjetë mijë vetë.
- 28 I dërgonte në Liban me ndërrime nga dhjetë mijë në muaj, kështu që një muaj ishin në Liban e dy muaj në shtëpi të veta. Përgjegjës mbi angari ishte Adonirami.
- 29 Salomoni kishte edhe shtatëdhjetë mijë mbartës barre dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në mal,
- 30 pa llogaritur përgjegjësit që ishin në krye të çdo vepre e ishin tri mijë e treqind që urdhëronin popullin që punonte.
- 31 Mbreti urdhëroi që të nxirreshin gurë të mëdhenj të zgjedhur për themelet e Tempullit, gurë katrorë.
- 32 Punëtorët e Salomonit, të Hiramit dhe giblinjtë ia hynë punës për të prerë dru e gurë e për t`i përgatitur për të ndërtuar Shtëpinë.