Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Pasuria e Salomonit
- 1 Por edhe mbretëresha e Sabës, duke pasë dëgjuar për zërin e madh që kishte arritur Salomoni në saje të Emrit të Zotit, erdhi ta sprovojë në gjëegjëza.
- 2 Ajo erdhi në Jerusalem me një ndjekësori të madhe shumë, me pasuri, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar dhe gurë të paçmueshëm; erdhi te Salomoni dhe bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemrën e saj.
- 3 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve: s`qe asnjë çështje aq e panjohur për të, sa të mos dinte t`i jepte përgjigje.
- 4 Duke parë mbretëresha e Sabës dijen e Salomonit, shtëpinë;pallatin, që kishte ndërtuar,
- 5 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve, fisnikërinë e mëkëmbësve të tij, petkat e tyre, verëqitësit; flitë e shkrumbimit që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, mbeti pa frymë!
- 6 Ajo i tha mbretit: Paskan qenë të vërteta fjalët që i kam dëgjuar të fliteshin në vendin tim për ty e për dijen tënde.
- 7 Unë nuk u besoja atyre që më tregonin deri Tani që erdha e pashë me sytë e mi dhe po shoh se as gjysmën s`m`i paskan pasë treguar! Qenka më e madhe dija jote dhe pasuria sesa kam dëgjuar unë!
- 8 Lum njerëzit e tu dhe lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje dhe dëgjojnë urtësinë tënde!
- 9 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i paske pëlqyer dhe të paska vënë mbi fronin e Izraelit; duke qenë se Zoti e do Izraelin për amshim, ai edhe të vuri mbret që ta ushtrosh të drejtën e drejtësinë.
- 10 Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë dhe shumë gurë të paçmueshëm: kurrë nuk u sollën më aq erëra të mira, sa i dhuroi mbretëresha e Sabës Salomonit mbret.
- 11 Edhe flota e Hiramit, që mbartte ar prej Ofirit, solli nga Ofiri dru rrëshinore me shumicë dhe gurë të paçmueshëm.
- 12 Me dru rrëshinore mbreti punoi parmakët për Shtëpinë e Zotit, për pallatin mbretëror si dhe lira e cetra për këngëtarë. Kurrë më nuk u sollën aq dru rrëshinore as nuk u pa deri tani.
- 13 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Sabës sa dëshironte dhe kishte kërkuar, përveç sa i kishte dhënë si dhuratë mbretërore. Atëherë ajo u kthye e shkoi në vendin e vet bashkë me shërbëtorët e vet.Pasuria e Salomonit
- 14 Pesha e arit që i vinte çdo vit Salomonit, ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
- 15 pa llogaritur sa i vinte nga taksat e nënshtetasve, nga shitjet e tregtarëve, nga mbretërit e Arabisë dhe nga prijësit e vendit.
- 16 Mbreti Salomon i punoi dyqind shqyta ari të kulluar, për secilin shqyt i shkonte nga gjashtëqind sikla ar;
- 17 punoi edhe treqind shqyta të vegjël, ari të kulluar, për secilin prej tyre duheshin tri mina ar. Këta shqyta mbreti i vendosi në pallatin e quajtur Pylli i Libanit.
- 18 Mbreti Salomon punoi edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër.
- 19 Froni kishte gjashtë shkallë; shpinëza ishte e rrumbullakët; bërrylëzore kishte dy në këtë e në atë anë të ndenjëses e në krye të bërrylëzoreve kishte nga një luan;
- 20 në gjashtë shkallët qëndronin, këndej e andej, dymbëdhjetë luanë. Diçka si ky fron nuk qe punuar në asnjë mbretëri.
- 21 Po edhe të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Salomon, ishin të arta si dhe mbarë enët e pallatit Pylli i Libanit, ishin prej ari të pastër; asnjë s`ishte prej argjendi, sepse argjendi nuk çmohej në kohën e Salomonit.
- 22 Sepse mbreti kishte në det anijet e Tarsit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmuna e pavoda.
- 23 Kështu, pra, Salomoni mbert u bë më i madhi ndër të gjithë mbretërit e botës për nga pasuria dhe dija.
- 24 Mbarë bota dëshironte ta shihte Salomonin për t`ia dëgjuar urtësinë e tij me të cilën e kishte pajisur Hyji zemrën e tij.
- 25 Gjithkush i sillte dhuratat e veta: gjëra argjendi, gjëra ari, petka, armë, erëra të mira, kuaj e mushq dhe kështu vit për vit.Karrocat e Salomonit
- 26 Salomoni mblodhi karroca e kuaj. Kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kuaj dhe i vendosi nëpër qytete karrocash lufte dhe te mbreti në Jerusalem.
- 27 Salomoni ia arriti të kishte në Jerusalem argjend me shumicë porsi gurë; dhe dru cedri kishte aq shumë sa ç`janë fiqtë e egër në Sefelë!
- 28 Kuajt e Salomonit vinin prej Egjiptit e prej Koes, sepse tregtarët e mbretit i blinin me çmim të caktuar nga Koa.
- 29 Një karrocë e blerë në Egjipt, kushtonte gjashtëqind sikla të argjendtë, kurse një kalë njëqind e pesëdhjetë. Kështu të gjithë mbretërit e hetenjve e të Sirisë i shitnin me anë të tregtarëve.