Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Vazhdimi i mbretërisë së Jeroboamit I
- 1 Asokohe u sëmur Abia, biri i Jeroboamit.
- 2 Jeroboami i tha gruas së vet: Çohu e ndërroji petkat që të mos njihesh se je e shoqja e Jeroboamit, dhe shko në Silo. Atje është Ahia profet, që më ka parathënë se do të mbretëroj mbi këtë popull.
- 3 Merr me vete dhjetë bukë, ëmbëlsira, një enë me mjaltë e shko tek ai dhe ai do të të tregojë se çfarë do të ndodhë me djalin.
- 4 Gruaja e Jeroboamit bëri ashtu. U çua, shkoi në Silo dhe hyri në shtëpinë e Ahisë. Ai më nuk shihte: sytë i ishin dobësuar për shkak të pleqërisë së thellë.
- 5 Por Zoti i kishte thënë Ahisë: Ja, po vjen gruaja e Jeroboamit që të marrë këshillë prej teje lidhur me djalin e vet që është i sëmurë. Thuaji kështu e kështu. Kur të hyjë tek ti do të shtiret se është një tjetër.
- 6 Kur Ahia i dëgjoi hapat e saj te dera, i tha: Hyr, nusja e Jeroboamit! Pse po mundohesh të më shtiresh se je një tjetër? Unë kam për ty lajme të këqija!
- 7 Shko e thuaj Jeroboamit: `Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të kam ngritur prej mesit të popullit. Unë të kam bërë prijës mbi popullin tim, Izraelin.
- 8 Unë e ndava mbretërinë prej shtëpisë së Davidit e ta dhashë ty. Por ti nuk qe si shërbëtori im Davidi. Ai i ka ruajtur urdhërimet e mia dhe ka ardhur pas meje me gjithë mend e zemër duke vepruar çka u pëlqen syve të mi.
- 9 Kurse ti ke vepruar keq, më zi se të gjithë ata që kanë qenë para teje: ke punuar zota të huaj e trupore për të më ngacmuar mua, kurse mua më hodhe pas shpinës sate.
- 10 Prandaj unë do të bëj një emnesë mbi shtëpinë e Jeroboamit: do t`i shfaros të gjithë meshkujt e Jeroboamit, të madh e të vogël në Izrael, e do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit, siç fshihet plehu derisa të pastrohet plotësisht.
- 11 Qentë do t`i hanë ata që prej familjes së Jeroboamit do të vdesin në qytet, kurse ata që do të vdesin në fushë, do t`i hanë shpendët e ajrit`.;Ja, kështu ka thënë Zoti!
- 12 Tani ti, çohu e shko në shtëpinë tënde! Pikërisht atëherë kur t`i vësh këmbët e tua në derën e qytetit, djali do të vdesë.
- 13 Mbarë Izraeli do t`i bëjë gjëmën dhe do ta varrosë: ai është i vetmi që, prej familjes së Jeroboamit, do të shtihet në varr, sepse vetëm në të është gjetur diçka në shtëpinë e Jeroboamit që i ka pëlqyer Zotit, Hyjit të Izraelit.
- 14 Zoti do të ngrejë një mbret për vete mbi Izraelin dhe ai do ta shuajë familjen e Jeroboamit.
- 15 Zoti do ta godasë Izraelin derisa të dridhet si kallami në ujë dhe do ta çrrënjosë Izraelin nga kjo tokë e mirë, që ua dha etërve të tyre e do t`i flakë përtej Lumit, sepse kanë punuar për vete banirë për ta ngacmuar Zotin.
- 16 Zoti do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve që ka bërë Jeroboami dhe që i ka bërë izraelitët të mëkatojnë`.
- 17 U çua, pra, gruaja e Jeroboamit, u nis e shkoi në Tersë. Posa hyri brenda pragut të shtëpisë, djali vdiq.
- 18 E varrosën dhe e qau mbarë Izraeli, sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të shërbëtorit të vet, Ahisë profet.
- 19 Veprat e tjera të Jeroboamit: si luftoi dhe si mbretëroi, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit.
- 20 Mbretëria e Jeroboamit zgjati njëzet e dy vjet. Paskëtaj pushoi pranë etërve të vet. Në vend të tij mbretëroi Nadabi, djali i tij.Mbretëria e Roboamit /93l-913/
- 21 Roboami, biri i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ishte dyzetvjeçar kur u bë mbret. Roboami mbretëroi shtatëmbëdhjet vjet në qytetin e Jerusalemit, të cilin Zoti e zgjodhi prej të gjitha fiseve të Izraelit për të banuar aty Emri i vet. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite.
- 22 Edhe Juda bëri ç`është e keqe para syve të Zotit. Me mëkatet që bënë, e hidhëruan Zotin më tepër se ç`e kishin hidhëruar të gjithë të parët e tyre.
- 23 Sepse edhe ata ndërtuan për vete lartësira, gugulur, banira mbi çdo kodër të lartë e nën çdo lëndë plot me blerim.
- 24 Kishte në vend madje deri edhe lavire të kushtuara. I bënë të gjitha turpet e paganëve që Zoti i kishte dëbuar para fytyrës së bijve të Izraelit.
- 25 Por të pestin vit të sundimit të Roboamit, Sesaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin
- 26 dhe i plaçkiti visaret e shtëpisë së Zotit e të palatit mbretëror dhe rrëmbeu gjithçka: madje edhe shqytat e artë që i kishte punuar Salomoni.
- 27 Në vend të tyre mbreti Roboam punoi shqyta të bronztë dhe ua dorëzoi oficerëve të rojës që ruanin në derë të pallatit mbretëror.
- 28 Kurdo shkonte mbreti në Shtëpinë e Zotit, rojtarët i merin shqytat me vete dhe pastaj i kthenin në armërojtoren e rojtarëve.
- 29 Veprat e tjera të Roboamit dhe gjithçka ka bërë, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës.
- 30 Gjatë tërë kohës së jetës së tij është zhvilluar luftë ndërmjet Roboamit e Jeroboamit.
- 31 Po edhe Roboami fjeti bashkë me të parët e tij dhe qe varrosur bashkë me ta në Qytetin e Davidit.;Emri i nënës së tij ishte Naamë. Ishte amonite. Në vend të tij u bë mbret Abiami, i biri.