Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Mbretëria e Abiamit në Judë
- 1 Në të tetëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, të birit të Nabatit, Abiami u bë mbret i Judës.
- 2 Mbretëroi në Jerusalem tre vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë. Ishte e bija e Abesalomit.
- 3 Ai u dha pas të gjitha mëkateve që kishte bërë i ati para tij. Zemra e tij nuk qe e ndershme ndaj Zotit, Hyjit të vet, siç ishte zemra e Davidit, stërgjyshit të tij.
- 4 Por, për dashuri të Davidit, Zoti, Hyji i tij ia dha një dritëz në Jerusalem duke e ngritur birin e tij pas tij për ta mbajtur gjallë Jerusalemin.
- 5 E kjo sepse Davidi kishte bërë ç`është e drejtë para syve të Zotit dhe gjatë krejt jetës së tij nuk iu shmang asnjë urdhri, që Zoti ia kishte dhënë, përveç në çështjen e Uri Heteut.
- 7 Veprat e tjera të Abiamit dhe gjithçka bëri, pse a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të Judës? Ndërmjet Abiamit e Jeroboamit u bë luftë e vazhdueshme.
- 8 Abiami fjeti me të parët e vet. Qe varrosur në Qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi Asa, i biri.Mbretëria e Asës në Judë /911-870/
- 9 Në të njëzetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, mbret i Judës u bë Asa.
- 10 Ky mbretëroi në Jerusalem dyzet e një vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë, bija e Abesalomit.
- 11 Asa bëri ç`është e drejtë para syve të Zotit, si Davidi, stërgjyshi i tij.
- 12 Ai i dëboi nga vendi laviret e kushtuara dhe i zhduki të gjithë idhujt që i punuan të parët e tij.
- 13 Për më tepër i hoqi të drejtën e Nënës-Mbretëreshë nënës së vet, Maakës, sepse ajo kishte punuar një idhull të turpshëm të Aserës. Asa e copëtoi të turpshmin idhull dhe e dogji në përruan Cedron.
- 14 Porse lartësirat nuk i zhduku, megjithëse zemra e Asës ishte e përsosur para syve të Zotit gjatë gjithë jetës së tij.
- 15 Ai i solli në Shtëpinë e Zotit të gjitha gjërat e kushtuara prej t`et e prej tij: argjend, ar dhe enë.
- 16 Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre pati luftë.
- 17 Baasa, mbreti i Izraelit, e sulmoi Judën dhe zuri ta forcojë Ramën për t`ia penguar lëvizjet Asës, mbretit të Judës.
- 18 Atëherë Asa mori të gjithë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesarin e Shtëpisë së Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, ua dha shërbëtorëve të vet dhe i çoi te Benadadi, biri i Tabremonit, të birit të Hezionit, mbretit të Sirisë, i cili banonte në Damask. I çoi këtë porosi:
- 19 Mbetet në fuqi besëlidhja ndërmjet meje e teje sikurse ndërmjet babait tënd e babait tim. Prandaj të dërgova dhuratë argjend e ar. Të lutem prishe besëlidhjen që ke me Baasën, mbretin e Izraelit, që të më hiqet qafe!
- 20 Benadadi e dëgjoi mbretin Asë. Kundër qyteteve të Izraelit i dërgoi krerët e ushtrisë së vet dhe pushtuan Ahionin, Danin, Abelbetmaakën dhe mbarë Keneretin me tërë tokën e Neftaliut.
- 21 Kur e mori vesh Baasa, e ndërpreu fortifikimin e Ramës dhe u kthye në Tersë.
- 22 Atëherë mbreti Asë, bashkoi mbarë Judenë pa përjashtuar askënd; i mori gurët e lëndën e Ramës që e kishte fortifikuar Baasa. Mbreti Asë me ta fortifikoi Gabanë e Beniaminit dhe Masfën.
- 23 Të gjitha veprat e tjera të Asës, trimëritë e tija dhe gjithçka bëri tjetër, si dhe qytetet që i fortifikoi, pse a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? Në të vërtetë në pleqërinë e tij vuajti nga një sëmundje këmbësh.
- 24 Pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, babait të tij. Në vend të tij mbretëroi Jozafati, djali i tij.Mbretëria e Nadabit në Izrael /910-909/
- 25 Nadabi, biri i Jeroboamit, mbretëroi mbi Izrael në vitin e dytë të Asës, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet.
- 26 Bëri ç`është e keqe ndër sy të Zotit, eci udhës së babait të vet dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri të mëkatojë edhe Izraelin.
- 27 Baasa, biri i Ahisë, prej shtëpisë së Isaharit, i vuri pritë dhe e vrau në Gebeton, që është qytet i filistenjve, kur Nadabi e mbarë Izraeli po mbanin në rrethim Gebetonin.
- 28 Baasa e vrau në të tretin vit të mbretërimit të Asës në Judë dhe mbretëroi në vend të tij.
- 29 Pasi e mori mbretërinë në dorë, e vrau mbarë shtëpinë e Jeroboamit. S`la gjallë asnjë frymë të vetme prej farës së tij derisa ia shoi farën sipas fjalës së Zotit që e kishte thënë me anë të shërbëtorit të vet Ahisë nga Siloja
- 30 për shkak të mëkateve të Jeroboamit që i kishte bërë vetë, dhe të mëkateve që e kishte bërë Izraelin t`i bënte, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Hyjit të Izraelit.
- 31 Veprat e tjera të Nadabit dhe të gjitha trimëritë që i ka bërë, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 32 Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, u bë luftë gjatë gjithë jetës së tyre.Mbretërimi i Baasës në Izrael /909-886/
- 33 Të tretin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë u bë mbret mbi mbarë Izraelin Baasa, biri i Ahisë e mbretëroi njëzet e katër vjet.
- 34 Ai bëri ç`është e keqe para syve të Zotit dhe eci udhës së Jeroboamit e në mëkatin e tij me të cilin e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.