Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Takimi i Elisë me Abdinë
- 1 Pas shumë kohe, fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë në vitin e tretë me këto fjalë: Shko e paraqitu tek Akabi, sepse dua të lëshoj shi mbi sipërfaqen e tokës.
- 2 U nis pra, Elia për t`u takuar me Akabin.Në Samari mbretëronte një uri e madhe fort.
- 3 Atëherë Akabi e thirri drejtorin e shtëpisë së vet, Abdinë. Abdia e dronte shumë Zotin.
- 4 E njëmend, kur Jezabela i vriste profetët e Zotit, Adbia i mori njëqind profetë dhe i fshehu nga pesëdhjetë në shpellë dhe i mbante me bukë e me ujë.
- 5 Kështu, pra, Akabi i tha Abdisë: Dil nëpër vend e shko gjithkund ku ka burime të gjalla uji e në të gjitha luginat, në mos gjejmë ndokund bar që të mund t`i shpëtojmë gjallë kuaj e mushq e të mos na duhet të presim ndonjë prej bagëtive.
- 6 I ndanë krahinat, të cilat do t`i kalonin njëri edhe tjetri: Akabi shkonte veçmas në njërën anë, e Abdia veçmas në anën tjetër.
- 7 Ndërkohë që Abdia ishte në udhëtim, dhe ja, përpara në takim i doli Elia. Abdia, pasi e njohu, ra me fytyrë përdhe e tha: Po a mos je ti, imzot, Elia?
- 8 Elia iu përgjigj: Unë vetë! Por shko e i thuaj zotërisë tënd: `Është këtu Elia`!
- 9 Kurse ai i tha: Po ç`mëkat kam bërë që po më dorëzon shërbëtorin tënd në dorë të Akabit për të më vrarë?
- 10 Pasha jetën e Zotit, Hyjit tënd, s`ka popull as mbretëri, ku nuk ka dërguar zotëria im njerëz për të të kërkuar dhe, pasi të gjithë iu përgjigjën: `Nuk është këtu`, i ka bërë të përbetohen popuj e mbretëri se nuk të kanë gjetur askund.
- 11 E tani po më thua: `Shko e i thuaj zotërisë tënd: Ja, Elia`!
- 12 Posa të largohem prej teje, shpirti i Zotit do të të çojë në një vend që unë nuk e di, kurse unë do të shkoj e do ta lajmëroj Akabin dhe kur nuk do të të gjejë ai, do të më vrasë. E pra, shërbëtori yt e dron Zotin që prej fëmijërisë së vet!
- 13 Vallë, a nuk do ta kenë vënë në dijeni imzotin çfarë kam bërë kur Jezabela i vriste profetët e Zotit: se i fsheha prej profetëve të Zotit njëqind vetë, pesëdhjetë në një shpellë e pesëdhjetë në një tjetër dhe se i kam mbajtur me bukë e me ujë?
- 14 E tani po më urdhëron: `Shko e thuaj zotërisë tënd: `Ja, ku është Elia`!, që të më vrasë!
- 15 Elia i tha: Pasha jetën e Zotit të gjithëpushtetshëm, në shërbimin e të cilit jam unë: sot do të dal para tij!Elia dhe Akabi
- 16 Shkoi, pra, Abdia në takim me Akabin dhe i tregoi.Akabi erdhi të takohej me Elinë.
- 17 Posa e pa, i tha: Këtu qenke a, o ogurziu i Izraelit?
- 18 Ai iu përgjigj: Unë nuk i sjell të keqe Izraelit, por ti dhe shtëpia e tët eti, që i keni lënë urdhërimet e Zotit dhe po i ndjek baalët!
- 19 Por tani mblidhe para meje mbarë Izraelin në malin e Karmelit si dhe katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit, edhe katërqind profetët e Aserës që ushqehen prej tryezës së Jezabelës.Flia e Karmelit
- 20 Akabi çoi e thirri të gjithë bijtë e Izraelit e i bashkoi profetët në malin Karmel.
- 21 Atëherë Elia doli para mbarë popullit e tha: Deri kur do të çaloni në të dyja anët? Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë! Por populli nuk iu përgjigj asnjë fjalë.
- 22 Atëherë Elia vazhdoi: I vetmi kam mbetur unë si profet i Zotit, kurse profetë të Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë!
- 23 Le të na jepen dy mëzetër. Ata le ta zgjedhin njërin mëzat, le ta ndajnë pjesë-pjesë e le ta vënë mbi dru, por të mos i shtien zjarr. Edhe unë do ta përgatis mëzatin tjetër dhe do ta vë mbi dru; zjarr s`do t`i shtie.
- 24 Thirreni në ndihmë emrin e hyjit tuaj dhe unë do ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit. Hyji që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Hyji i vërtetë. Mbarë populli u përgjigj: Mirë e ke!
- 25 Elia u tha profetëve të Baalit: Zgjidheni ju njërin mëzat, e filloni ju, sepse jeni më shumë. Thirreni në ndihmë emrin e zotit tuaj, por mos shtini zjarr.
- 26 Ata e morën mëzatin që u takoi, dhe e përgatitën. E thirin emrin e Baalit prej mëngjesit e deri në mesditë e thoshin: Dëgjona ne, o Baal! Por s`dëgjohej zë as s`kishte kush të përgjigjej. E vazhdonin duke kërcyer rreth lterit që kishin ndërtuar.
- 27 Kur u bë mesditë, Elia zuri t`i vërë në lojë e u thoshte: Bërtitni më të madhe, sepse ai është hyj: do të jetë i zënë me punë, do të jetë ndokund për rrugë ose sigurisht e ka zënë gjumi e zgjojeni.
- 28 Ata zunë të bërtisnin me zë më të madh dhe, sipas ritit të tyre, thereshin me thika e me shigjeta derisa i mbuloi gjaku.
- 29 Por, pasi kaloi mesdita e, ndërsa ata ende po profetizonin, erdhi koha kur është zakon të kushtohet flia, e nuk dëgjohej zë as s`ishte askush që t`u përgjigjej e t`i dëgjonte këta që po luteshin,
- 30 Elia i tha popullit mbarë: Afrohuni tek unë! Mbarë populli iu afrua; Elia, si e ndreqi lterin e Zotit që kishte qenë rrënuar,
- 31 mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të dymbëdhjetë fiseve të Jakobit, të cilit i kishte qenë drejtuar fjala e Zotit: Ti do të quhesh Izrael!
- 32 Me gurë ndreqi lterin në Emër të Zotit, hapi përreth lterit një kanal të gjerë aq sa të mund të nxërë dy masë grurë,
- 33 i vendosi drutë, e ndau gjymtyrë;gjymtyrë mëzatin dhe e vuri mbi dru
- 34 e tha: Mbushni me ujë katër shtamba dhe derdhni mbi flinë e shkrumbimit e mbi dru. Përsëri foli: Bëni kështu edhe një herë! Këta, pasi bënë ashtu edhe herën e dytë, ai u tha: Bëni po ashtu edhe herën e tretë! Bënë ashtu edhe të tretën herë
- 35 e ujët rridhte rreth e rreth lterit, saqë u mbush kanali me ujë.
- 36 Pasi erdhi koha që të kushtohej flia, si u afrua Elia profet, tha: O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit, dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto i kam bërë me urdhrin tënd.
- 37 Më dëgjo, o Zot, më dëgjo, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri!
- 38 Dhe ra zjarri i Zotit dhe e përpiu flinë e shkrumbimit, drutë, gurët, pluhurin, e thithi deri edhe ujin në kanal.
- 39 Populli, posa e pa këtë gjë, ra përmbys me fytyrë përdhe e tha: Zoti është Hyj, Zoti është Hyj!
- 40 Elia u tha: Kapni profetët e Baalit dhe asnjë të mos ju shpëtojë! Ata i kapën të gjithë e Elia i çoi në përruan Cison dhe aty i vrau të gjithë.Mbarimi i thatësisë
- 41 Elia i tha Akabit: Ngjitu lart, ha e pi, sepse dëgjohet ushtima e shiut të madh!
- 42 Ndërsa Akabi po ngjitej lart për të ngrënë e pirë, Elia u ngjit në majë të Karmelit, u ul për tokë dhe e fshehu fytyrën ndërmjet gjunjëve,
- 43 e i tha djaloshit të vet: Ngjitu lart e shiko drejt detit. Ky u ngjit, e hodhi shikimin e tha: Asgjë nuk hetoj. Përsëri i tha: Kthehu shtatë herë!
- 44 Të shtatën herë djaloshi tha: Ja, një re e vocërr, pothuaj sa dora e njeriut, po ngrihet nga deti. Atëherë Elia i tha: Ngjitu e thuaj Akabit: Mbërthe e zbrit që të të mos zërë shiu!
- 45 Menjëherë u terratis qielli prej resh e prej duhmës dhe ra një shi i rëndë. Akabi hipi në karrocë dhe shkoi në Jezrahel. Dora e Zotit ishte mbi Elinë, si i shtrëngoi ijët, vraponte para Akabit derisa arriti në Jezrahel.