Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Naboti s’dëgjon ta lëshojë vreshtin e vet
- 1 Pas këtyre ngjarjeve ja se çfarë ndodhi: Naboti prej Jezrahelit kishte një vresht në Jezrahel afër pallatit të Akabit, mbretit të Samarisë.
- 2 Akabi i tha Nabotit: Ma jep vreshtin tënd, se dua ta bëj kopsht perimesh pasi e kam afër e pranë shtëpisë sime. Unë do të të jap për të një vresht më të mirë ose, në qoftë se ty të pëlqen më tepër, vlerën e tij ta jap në të holla.
- 3 Naboti iu përgjigj: Zoti mos e thëntë që unë të ta jap trashëgimin e të parëve të mi!Akabi dhe Jezabela
- 4 Akabi u kthye në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët për shkak të fjalës që ia tha Naboti Jezrahelas: Nuk do të ta jap trashëgimin e të parëve të mi. Ra në shtrojën e vet, u kthye me fytyrë nga muri dhe nuk dëgjoi të hajë bukë.
- 5 Hyri tek ai Jezabela, gruaja e tij, dhe e pyeti: Pse je prishur kështu? Pse s` afrohesh për të ngrënë bukë?
- 6 Ai u përgjigj: Sepse bisedova me Nabotin Jezrahelas e i thashë: Ma jep vreshtin tënd e merri paratë; ose, nëse ti do, të të jap një vresht tjetër për të. Por ai m`u përgjigj: `Nuk ta jap vreshtin tim`.
- 7 Atëherë Jezabela, gruaja e tij, i tha: Hajt, o njeri! Po a s` je ti mbreti i Izraelit? Çohu dhe ha e mos e vra mendjen, sepse unë do të ta jap vreshtin e Nabotit jezrahelas!Vrasja e Nabotit
- 8 Jezabela mori e shkroi disa letra në emër të Akabit, i vulosi me unazën e tij dhe ua dërgoi krerëve dhe njerëzve me rëndësi që ishin në qytetin e tij dhe banonin me Nabotin.
- 9 Në letra ajo shkruante kështu: Shpallni agjërim dhe caktoni që në krye të vendit në mbledhje të rrijë Naboti.
- 10 Vini përballë tij dy vetë, njerëz të poshtër, që të dëshmojnë kundër tij e të thonë: `Ti e ke mallkuar Hyjin dhe mbretin!`; atëherë nxirreni jashtë e vriteni me gurë që të vdesë.
- 11 Qytetarët e Nabotit, pleqtë e krerët e tij, që banonin me të në qytet, bënë siç u kishte urdhëruar Jezabela dhe si ishte e shkruar në letrat që u kishte dërguar.
- 12 Shpallën agjërimin, e vunë Nabotin në krye të mbledhjes,
- 13 dolën dy njerëz të poshtër, u ulën përballë tij dhe këta, si njerëz të pashpirt që ishin, bënë dëshmi kundër tij para bashkësisë: Naboti e ka mallkuar Hyjin dhe mbretin. Për këtë arsye e nxorën jashtë qytetit dhe e mbytën me gurë.
- 14 Pastaj i çuan lajmin Jezabelës: Naboti u vra me gurë dhe vdiq.
- 15 Kur e mori Jezabela lajmin se Naboti ishte vrarë me gurë dhe se kishte vdekur, i tha Akabit: Çohu e zotëroje vreshtin e Nabotit jezrahelas që nuk deshi ta shiste; Naboti nuk është më gjallë, na e mori të keqen!
- 16 Kur e mori vesh Akabi se kishte vdekur Naboti, u çua e zbriti në vreshtin e Nabotit jezrahelas për ta marrë në zotërim.Elia kumton dënimin e Hyjit
- 17 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Elisë prej Tesbiut. I tha:
- 18 Çohu dhe zbrit për t`u takuar me Akabin, mbretin e Izraelit, që është në Samari. Ja, do ta gjesh në vreshtin e Nabotit, ku ka zbritur për ta marrë në zotërim.
- 19 Fol me të e thuaj: Kështu thotë Zoti: Vrave dhe tani po plaçkit! Pastaj shto: Kështu thotë Zoti: Në atë vend ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të llapin edhe gjakun tënd!
- 20 Akabi i tha Elisë: A më zure në faj, o armiku im? Ai iu përgjigj: Të gjeta, po, sepse je shitur për të bërë të keqen para syve të Zotit.
- 21 Ja, veçse ende nuk ta kam ngjeshur të keqen mbi ty, sepse do të fshij me të parë e të mbramë të Akabit gjithsa janë meshkuj, të madh e të vogël në Izrael!
- 22 Dhe do të bëj me familjen tënde siç kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe siç bëra me shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë, sepse ke vepruar për të më nxitur që të hidhërohem dhe sepse e bëre Izraelin të mëkatojë.
- 23 Po edhe për Jezabelën Zoti ka thënë: `Qentë do ta hanë Jezabelën në fushën e Jezrahelit.
- 24 Kush të vdesë në qytet prej shtëpisë së Akabit, qentë do ta hanë, e kush të vdesë në fushë, shpendët e ajrit do ta hanë.
- 25 Me të vërtetë nuk pati një tjetër të tillë si Akabi që e shiti veten për të bërë të keqen para syve të Zotit. Sepse e ngashnjeu gruaja e tij Jezabela,
- 26 u bë aq tmerrësisht i përbuzshëm, saqë i ndoqi idhujt sipas të gjitha poshtërsive që kishin bërë amorrenjtë, të cilët Zoti i shfarosi para fytyrës së bijve të Izraelit.Pendimi i Akabit
- 27 Kur i dëgjoi Akabi këto fjalë, i shqeu petkat e veta, trupin e vet e ngjeshi me grathore, agjëroi, flinte në grathore dhe ecte kokulur.
- 28 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë Tesbit. I tha:
- 29 A ke parë se si është përulur Akabi para meje? Pasi e ka përulur vetveten për shkakun tim, nuk do t`ia çoj të keqen sa të jetë gjallë, por familjes se tij do t` ia çoj të keqen gjatë ditëve të birit të tij.