Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretëria e Joasit në Judë
- 1 Joasi ishte shtatë vjeç kur u bë mbret.
- 2 Joasi u bë mbret në të shtatin vit të mbretërimit të Jehuit. Mbretëroi në Jerusalem dyzet vjet. Nëna e tij quhej Sebi. Ishte nga Bersabeja.
- 3 Joasi bënte ç`është e drejtë para Zotit gjatë të gjithë jetës së vet, sepse e kishte mësuar Jojada prift.
- 4 Megjithatë lartësirat nuk i zhduku; populli vazhdonte të flijonte e të digjte kem në lartësira.
- 5 Joasi u tha priftërinjve: Të gjitha paratë nga të ardhurat e kushtuara që do të vijnë në Tempullin e Zotit, që kushtohen si çmim i jetës, ose që kushtohen me qëllim e me vullnet të kujtdo e sillen në Tempullin e Zotit,
- 6 le t`i marrin priftërinjtë secili nga i njohuri i vet dhe me to le ta ndreqin Shtëpinë e Zotit kudo që të shohin se ka nevojë.
- 7 Porse deri në të njëzetetretin vit të mbretërimit të Joasit, priftërinjtë nuk e kishin ndrequr Tempullin në ato pjesë që ishte dëmtuar.
- 8 Atëherë Joasi e thirri Jojadën prift dhe priftërinjtë e tjerë e u tha: Përse nuk i ndreqni pjesët e prishura të Tempullit? Pas tashi mos meri më para prej të njohurve tuaj, por duhet t`i jepni ju për ndreqjen e Tempullit.
- 9 Priftërinjtë pranuan që të mos marrin më para prej popullit dhe të mos kujdesen më për përmirësime të pjesëve të prishura të Tempullit.
- 10 Atëherë Jojada prift mori një arkë, i bëri në kapak një vrimë, e vendosi në anë të lterit, në të djathtë të atij që hyn në Tempullin e Zotit. Priftërinjtë, rojtësit e pragut, paratë që silleshin në Tempull i qitnin në të.
- 11 Kur dukej se ishin mbledhur shumë të holla në thesar, vinte shkruesi i mbretit me kryepriftin, i mblidhnin dhe i numëronin paratë që gjendeshin në Shtëpinë e Zotit.
- 12 Paratë, pasi i kishin numëruar e peshuar, ua jepnin kryepunëtorëve që i drejtonin punimet në përmirësimin e Shtëpisë së Zotit. Këta i shpenzonin në pagesën e gdhendësve të drurit e të ndërtuesve, që punonin në Shtëpinë e Zotit,
- 13 të muratorëve e të gurgdhendësve; për të blerë dru e gurë të gdhendur, për meremetime në Shtëpinë e Zotit dhe për shpenzime të tjera lidhur me meremetime të Shtëpisë.
- 14 Porse me paratë e falura në Tempull të Zotit, nuk punoheshin as kupa të argjendta të Tempullit të Zotit, as thika, as trumbeta, as kusi: asnjë enë e artë as e argjendtë.
- 15 Këto para u jepeshin punëtorëve për të ndrequr Tempullin e Zotit.
- 16 E njerëzve që u lihej në dorë kjo punë, paratë u jepeshin pa i numëruar për të paguar punëtorët, sepse ata punonin me ndërgjegje.
- 17 Të hollat që vinin nga flitë e shpërblimit ose të pajtimit, nuk shtiheshin në Shtëpinë e Zotit, por u takonin priftërinjve.
- 18 Atëherë u çua Hazaeli, mbreti i Sirisë, e sulmoi Getin; pasi e pushtoi atë, vendosi ta sulmojë edhe Jerusalemin.
- 19 Për këtë arsye Joasi, mbreti i Judës, i mori të gjitha gjërat e kushtuara që i dhuruan etërit e tij Jozafati, Jorami, Okozia, mbretërit e Judës, dhe ato që i kishte dhuruar ai vetë, mbarë arin që mundi të gjendej në thesaret e Tempullit të Zotit dhe në pallatin mbretëror, dhe ia dërgoi Hazaelit, mbretit të Sirisë: atëherë ai u largua nga Jerusalemi.
- 20 Veprat e tjera të Joasit si dhe të gjitha që bëri, pse a nuk janë të gjitha këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 21 Oficerët e tij u përbetuan kundër tij dhe e vranë në pallatin Melo, kur po zbriste në Selë.
- 22 Ishin Isahari, biri i Semaatit, dhe Jozabadi, biri i Somerit, oficerët e tij, që e goditën dhe Joasi vdiq. Qe varrosur me etërit e vet në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Amasiu, i biri.