Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretërimi i Amasiut në Judë
- 1 Në vitin e dytë të mbretërimit të Joasit, birit të Joakazit, mbretit të Izraelit, mbret i Judës u bë Amasiu, biri i Joasit, mbretit të Judës.
- 2 Ishte njëzetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe në Jerusalem mbretëroi njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Joadenë. Ishte nga Jerusalemi.
- 3 Bëri çka është e drejtë para syve të Zotit, megjithëse jo krejtësisht si Davidi, baba i tij. Në gjithçka i përngjau Joasit, babait të vet,
- 4 përveç nuk i zhduku lartësirat. Edhe më tutje populli kushtonte fli dhe digjte kem në lartësira.
- 5 Kur e forcoi mbretërinë në duart e veta, i vrau shërbëtorët e vet, që kishin vrarë mbretin, babain e tij.
- 6 Porse nuk i vrau të bijtë e atyre që ia kishin vrarë babain, sipas asaj që shkruan në Librin e Ligjit të Moisiut, siç urdhëron Zoti, kur thotë: Të mos vdesin prindërit për faj të fëmijëve, as fëmijët për faj të prindërve: secili le të vdesë për shkak të mëkatit të vet.
- 7 Ky e mundi Edomin në Luginën e Kripërave: i vrau dhjetë mijë vetë, e pushtoi Qetën me luftë dhe i vuri emrin Jecetel deri në ditën e sotme.
- 8 Amasiu pastaj i dërgoi kasnecë Joasit, birit të Joakazit, birit të Jehuit, mbretit të Izraelit. Tha: Eja të shikohemi në ballë të luftës!
- 9 Joasi, mbreti i Izraelit, iu përgjigj Amasiut, mbretit të Judës, kështu: Ferrca e gomarit në Liban i çoi shkues cedrit të Libanit e i tha: `Ma jep vajzën tënde për nuse të djalit tim.` Por kaluan egërsirat e Libanit dhe e shqelmuan ferrcën e gomarit!
- 10 Bëre luftë dhe e munde Edomin dhe të është rritur mendja! Kënaqu me lavdinë që fitove e rri në shtëpinë tënde! Pse shkakton të keqen që të sharrosh ti dhe mbarë Juda me ty?
- 11 Por Amasiu nuk i vuri veshin.Atëherë Joasi, mbreti i Izraelit, e sulmoi. U ndeshën ai e Amasiu, mbreti i Judës, në Betsames, qytet i Judës.
- 12 Juda u thye para Izraelit dhe ikën secili në çadrat e veta.
- 13 Amasiun, mbretin e Judës, birin e Joasit të Okozisë, Joasi, mbreti i Izraelit, e zuri rob në Betsames dhe e çoi në Jerusalem. Pastaj e rrënoi murin e Jerusalemit prej Derës së Efraimit deri në Derën e Këndit: katërqind kute gjatë.
- 14 Mori të gjithë arin, argjendin dhe të gjitha enët që u gjetën në Shtëpinë e Zotit dhe në thesaret mbretërorë si dhe disa pengje dhe u kthye në Samari.
- 15 Veprat e tjera të Joasit, çka ndërmori, si dhe trimëritë e tija që i bëri në luftë kundër Amasiut, mbretit të Judës, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 16 Joasi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Samari me mbretërit e Izraelit. Jeroboami, biri i tij, u bë mbret në vend të tij.
- 17 Amasiu, biri i Joasit, mbret i Judës, pasi vdiq Joasi, biri i Joakazit, mbreti i Izraelit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet.
- 18 Veprat e tjera të Amasiut, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 19 Kur u bë një përbetim kundër tij në Jerusalem, ky iku në Lakis. Por dërguan pas tij në Lakis dhe atje e vranë.
- 20 Prej andej trupin ia prunë në kuaj dhe e varrosën në Jerusalem me etërit e tij në Qytetin e Davidit.
- 21 Atëherë mbarë populli i Judës e mori Azarinë, që ishte gjashtëmbëdhjetëvjeçar, dhe e bënë mbret në vend të babait të tij, Amasiut.
- 22 Ai e rindërtoi Elatin pasi ia ktheu Judës, pasi fjeti mbreti Amasi me etërit e vet.Mbretëria e Jeroboamit II në Izrael /783-743/
- 23 Në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Amasiut, birit të Joasit, mbretit të Judës, në Samari u bë mbret Jeroboami, biri i Joasit, mbretit të Izraelit. Mbretëroi dyzet e një vjet.
- 24 Bëri ç`është e keqe para syve të Zotit. Nuk u shmang nga asnjë mëkat që bëri Jeroboami, biri i Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë.
- 25 Ai i rivendosi kufijtë e Izraelit prej Hyrjes në Emat deri në Detin Arabë, sipas fjalës së Zotit, Hyjit të Izraelit, të cilën e tha me gojë të shërbëtorit të vet Jonës profet, birit të Amatit, që ishte prej Getoferit.
- 26 Zoti, në të vërtetë, e kishte parë mjerimin e tmerrshëm të Izraelit, sepse kishin mbaruar me të madh e të vogël e s`kishte mbetur kush t`i gjendej në ndihmë Izraelit.
- 27 Porse Zoti nuk kishte vendosur ta zhdukë emrin e Izraelit për nën qiell, por e shpëtoi atë me dorën e Jeroboamit, birit të Joasit.
- 28 Veprat e tjera të Jeroboamit si dhe gjithçka ndërmori, trimëritë e tija që i bëri në luftë, si dhe si ia ktheu Izraelit Damaskun dhe Ematin;që më parë i takonin Judës -, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
- 29 Jeroboami pushoi me etërit e vet, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij u bë mbret Zakaria, i biri i tij.