Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretëria e Akazit në Judë
- 1 Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Faceut, birit të Romelisë, u bë mbret Akazi, biri i Joatamit, mbretit të Judës.
- 2 Akazi ishte njëzetvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. Nuk bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit të vet, porsi Davidi, baba i tij,
- 3 por eci udhës së mbretërve të Izraelit. Madje e kaloi deri edhe djalin e vet nëpër zjarr sipas zakonit të urryeshme të paganëve që Zoti i çrrënjosi para bijve të Izraelit.
- 4 Gjithashtu flijonte e ndizte kem në lartësira, në majë kodrash dhe nën çdo lëndë të gjelbër.
- 5 Atëherë Rasini, mbreti i Sirisë, e Faceu, biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, u ngjitën për të luftuar kundër Jerusalemit. E rrethuan Akazin, por nuk e mundën.
- 6 Asokohe Rasini, mbreti i Sirisë, ia riktheu Edomit Ailën dhe i dëboi judenjtë nga Aila. Në Ailë erdhën idumeasit e banuan atje deri në ditën e sotme.
- 7 Por Akazi dërgoi kasnecë te Teglatfalasari, mbreti i Asirisë me këtë porosi: Jam shërbëtori yt dhe djali yt. Eja e më çliro nga kthetrat e mbretit të Sirisë e të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje.
- 8 Akazi mori arin e argjendin që gjeti në Shtëpinë e Zotit e në thesarin e pallatit mbretëror dhe ia çoi dhuratë mbretit të Asirisë.
- 9 Mbreti i Asirisë pranoi dhe ai vetë shkoi në Damask dhe e rrafshoi, banorët i treti në Cir, kurse Rasinin e vrau.
- 10 Mbreti Akaz shkoi në Damask për ta takuar Teglatfalasarin, mbretin e Asirisë. Pasi e pa lterin në Damask, Akazi mbret ia dërgoi Urisë prift gjedhen e lterit me përshkrim të hollësishëm të krejt punimit të tij.
- 11 Prifti Uri e ndërtoi lterin, krejtësisht ashtu sipas gjedhes që Akazi i kishte dërguar nga Damasku. Kështu që Uria prift e ndërtoi derisa arriti Akazi prej Damaskut.
- 12 Kur u kthye mbreti prej Damaskut, iu afrua, hipi në të,
- 13 i dogji flitë e shkrumbimit të vetat, kushtimoret, kushtoi njomjet dhe derdhi gjakun e flive të veta pajtimore.
- 14 Kurse lterin e bronztë që ishte në praninë e Zotit, e hoqi prej përpara Tempullit që ishte ndërmjet lterit të ri dhe Shtëpisë së Zotit dhe e qiti në kënd të lterit, në veri.
- 15 Atëherë mbreti Akaz i dha priftit Uri këtë urdhër: Mbi lterin e madh kushto flinë e shkrumbimit mëngjesore dhe kushtimin e mbrëmjesores, flinë e shkrumbimit të mbretit dhe kushtimoren e saj, flinë e shkrumbimit të mbarë popullit të vendit, kushtimoren e tyre dhe njomjet e tyre. Po ashtu edhe gjithë gjakun e flisë së shkrumbimit si dhe gjithë gjakun e flive, derdhe mbi të. Lidhur me lterin e bronztë, do të vendos vetë.
- 16 Prifti Uri bëri gjithë si i urdhëroi mbreti Akaz.
- 17 Mbreti Akaz i demontoi bazat: hoqi terthorcat, hoqi legenat. Edhe detin e bronztë e uli prej qeve, mbi të cilët pushonte, dhe e vendosi mbi truall të kalldrëmuar.
- 18 Për shkak të mbretit të Asirisë ndryshoi në Shtëpinë e Zotit edhe Musahun /d. m. th. Tremen/ e së shtunës, që ishte ndërtuar në Tempull, si dhe hyrjen e mbretit nga jashtë.
- 19 Veprat e tjera të Akazit që i bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 20 Akazi pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret biri i tij, Ezekia.