Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Vaji i vejushës
- 1 Një grua, prej grave të bijve të profetëve, i lutej Ehlizeut e i thoshte: Shërbëtori yt, burri im, ka vdekur, e ti e di se shërbëtori yt ka qenë njeri që e ka dashtur Zotin. Dhe ja, ka ardhur huadhënësi për të m`i marrë dy djemtë e mi për t`i bërë skllevër.
- 2 Elizeu iu përgjigj: Po çka do që të bëj për ty? Çka ke në shtëpinë tënde? Më trego! Ajo iu përgjigj: Shërbëtorja jote s`ka asgjë tjetër në shtëpinë e vet përveç një poçi të vogël me vaj.
- 3 Ai i tha: Shko e merr hua prej të afërmve të tu enë të zbrazëta sa më shumë që të mundesh.
- 4 Hyr në shtëpi dhe mbylle derën pas vetes. Kur të jesh brenda ti dhe fëmijët e tu, diko prej tij në to. Secilën enë që ta mbushësh nxirre në një anë.
- 5 Shkoi, pra, gruaja, e mbylli derën pas vetes e pas fëmijëve të vet. Ata i sillnin enët e ajo i mbushte.
- 6 Kur i mbushi enët, i tha djalit të vet: Më sill edhe një enë. Ai iu përgjigj: S`kam më! Vaji u ndal.
- 7 Gruaja erdhi e i tregoi njeriut të Hyjit. Ai i tha: Shko e shite vajin e ktheja detyrën huadhënësit tënd, kurse ti e djemtë e tu jetoni me vajin që do t`ju teprojë.Elizeu, sunamitja dhe djali i saj
- 8 Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë që kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë.
- 9 Ajo i tha burrit të vet: Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë.
- 10 Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje.
- 11 Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty.
- 12 Elizeu i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: Thirre këtë sunamite. Ky e thirri dhe, kur erdhi ajo,
- 13 Elizeu i tha shërbëtorit: Thuaji: Ti po kujdesesh shumë për ne. Çfarë do që të bëj edhe unë për ty? A mos e ke ndonjë nevojë e do që të flas një fjalë me mbretin ose me të parin e ushtrisë? Ajo iu përgjigj: Jetoj e qetë në mes të njerëzve të mi.
- 14 Ai tha: Po ç`dëshiron që të bëj për të, E Gjiezi tha: E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar.
- 15 Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës.
- 16 Elizeu i tha: Në këtë kohë, sot një vjet, djalin do ta shtrëngosh në parzmin tënd! Por ajo u përgjigj: Jo, zotëria im, jo, mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Hyjit!
- 17 Por gruaja me të vërtetë ngjizi dhe vitin e dytë po në atë kohë, lindi djalin, ashtu siç i tha Elizeu.
- 18 Fëmija u rrit dhe një ditë doli të shkonte tek i ati ndër korrtarë.
- 19 I tha t`et: Koka ime! Koka ime! Ai i tha shërbëtorit: Merre djalin e çoje tek e ëma. .
- 20 E mori dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mori djalin në prehër dhe e mbajti ashtu deri në mesditë dhe atëherë i vdiq.
- 21 Ajo u ngjit dhe e vendosi djalin në shtratin e njeriut të Hyjit dhe e mbylli derën. Doli jashtë,
- 22 e thirri burrin e vet dhe i tha: Çoje, po të lutem, me mua njërin prej shërbëtorëve dhe gomaricën që të vrapoj deri te njeriu i Hyjit dhe do të kthehem.
- 23 Ai i tha: Pse po shkon sot? S`është as hëna e re as e shtunë! Ajo iu përgjigj: Lametë nzonë!
- 24 E shaloi gomaricën dhe i urdhëroi shërbëtorit: Prij e grahu këmbëve! Mos u ndal askund pa të thënë unë.
- 25 U nis pra, dhe arriti te njeriu i Hyjit në malin e Karmelit. Kur e pa së kundrualli njeriu i Hyjit, i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: Ja, po vjen ajo sunamitja.
- 26 Shpejto dili përpara dhe thuaj: A je mirë ti? Si është burri dhe si e ke djalin? Ajo iu përgjigj: Mirë!
- 27 Por kur arriti te njeriu i Hyjit në mal, ra përmbys te këmbët e Elizeut dhe ia pushtoi. Gjiezi u afrua për ta larguar, por njeriu i Hyjit i tha: Mos e luaj, se e paska shpirtin në pikëllim të madh e Zoti ma ka fshehur mua e nuk më ka treguar.
- 28 Ajo i tha: Vallë, a kam kërkuar unë djalë prej imzotit?Pse, a nuk të pata thënë: Mos luaj me mua!?
- 29 Elizeu i tha Gjiezit: Shtrëngo ijët e tua, merre shkopin tim dhe nisu! Nëse takon një njeri, mos e përshëndet; nëse të përshëndet kush, mos iu përgjigj. Vër shkopin tim mbi djaloshin.
- 30 Porse nëna e fëmijës tha: Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, nuk të lëshoj. Ai u ngrit dhe shkoi me të.
- 31 Gjiezi kishte shkuar përpara dhe e kishte vënë shkopin përmbi fëmijën, por fëmija s`kishte dhënë zë as shenja jete.U kthye ta takojë dhe i tha: Djaloshi nuk u zgjua!
- 32 Elizeu hyri në shtëpi dhe, ja, fëmija i vdekur ishte vig në shtratin e tij.
- 33 Hyri dhe e mbylli derën pas vetes e djaloshit dhe iu lut Zotit.
- 34 Hipi në shtrat dhe ra përmbi djaloshin, gojën e vet e vuri në gojën e djaloshit, sytë e vet mbi sytë e tij, duart e veta mbi duart e tij dhe u shtri mbi të. Trupi i djaloshit u nxeh.
- 35 Atëherë u ngrit dhe eci nëpër dhomë andej-këndej, ra përsëri në shtrojë dhe u shtri përmbi fëmijën. Djaloshi teshi shtatë herë dhe i hapi sytë
- 37 Ajo u afrua, ra përmbys te këmbët e tij dhe e nderoi me fytyrë përdhe. E mori djalin e vet e doli jashtë.Kusia e helmuar
- 38 Elizeu u kthye në Galgalë. Vendin e kishte kapur uri e madhe. Bijtë e profetëve banonin tek ai. Elizeu i tha sherbëtorit të vet: Vëre kusinë e madhe e ziej diçka për të ngrënë bijtë e profetëve.
- 39 Njëri prej tyre doli në fushë për të mbledhur barishte të egra. Gjeti një pemë kacavjerrëse si hardhi e egër dhe mblodhi prej saj fruta të idhëta. Me to e mbushi leshnikun e vet, u kthye dhe i thërmoi në kusi: por nuk dinte se ç`ishin.
- 40 Pastaj ua zbrazën njerëzve që të hanë. Kur e kërkuan hajen, bërtitën e thanë: Vdekja në kusi, njeri i Hyjit! Dhe nuk mundën të hanin.
- 41 Elizeu u tha: Më sillni miell! Kur ia sollën, e qiti në kusi e tha: Zbrazu njerëzve le të hanë! Dhe në kusi s`pati më asgjë të keqe.Shumëzimi i bukëve
- 42 Erdhi një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu tha: Ndaju njerëzve të hanë!
- 43 Shërbëtori iu përgjigj: Si t`ua vë para këto njëqind njerëzve? Por ai i tha sërish: Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: `Do të hanë dhe to t`u teprojë`!
- 44 Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit.