Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Sëmundja dhe shërimi i Ezekisë
- 1 Ndër ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Erdhi tek ai Isaia profet, biri i Amosit, dhe i tha: Kështu thotë Zoti: `Rregullo ç`ke për të rregulluar në familjen tënde, sepse s`do të shërohesh, por do të vdesësh`
- 2 Ezekia u kthye me fytyrë prej murit dhe iu lut kështu Zotit:
- 3 Deh, o Zot, të bie ndër mend se si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të thjeshtë dhe se kam bërë ç`është e pëlqyeshme para syve të tu. Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.
- 4 Ende nuk e kishte kaluar Isaia tremen kryesore, dhe ja, Isaisë i qe drejtuar fjala e Zotit:
- 5 Kthehu e thuaji Ezekisë, prijësit të popullit tim: Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: E dëgjova lutjen tënde dhe i pashë lotët e tu. Mirë, pra, unë po të shëroj: brenda tri ditësh ti do të ngjitesh në Shtëpinë e Zotit.
- 6 Ditëve të tua po ua shtoi edhe pesëmbëdhjetë vjet. Gjithashtu do të të shpëtoj ty dhe këtë qytet prej duarve të mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për shkakun tim dhe për shkak të Davidit, shërbëtorit tim.
- 7 Isaia tha: Sillni një bukëfike. Ata e sollën e ia vunë mbi çibanin e tij dhe ai u shërua.
- 8 Atëherë Ezekia i tha Isaisë: Cila është shenja se Zoti do të më shërojë dhe se do të ngjitem të tretën ditë në Tempullin e Zotit?
- 9 Isaia iu përgjigj: Kjo do të jetë shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë: A do që hija të zgjatet dhjetë shkallë, apo të kthehet prapazi po aq shkallë?
- 10 Ezekia u përgjigj: Lehtë e ka hija të zbresë dhjetë shkallë, dhe nuk dua që të ndodhë kështu, por le të kthehet prapazi dhjetë shkallë.
- 11 Iu lut, pra, Isaia profet Zotit, dhe e ktheu hijen prapazi shkallëve të Akazit nëpër të cilat kishte zbritur më parë, u kthye prapa dhjetë shkallë.Të dërguarit e Merodakbaladanit
- 12 Në atë kohë Merodakbaladani, biri i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i dërgoi letër dhe dhurata Ezekisë, sepse kishte dëgjuar se Ezekia ishte i sëmurë.
- 13 Ezekia u gëzua për ardhjen e tyre dhe ua dëftoi mbarë thesarët e vet: argjend, ar, erëra të mira, vajin e erëndshëm, armatoren dhe gjithçka gjendej në magazinat e tija: nuk la asgjë pa u treguar Ezekia prej atyre që kishte në pallat e në pronësinë e vet.
- 14 Atëherë erdhi Isaia profet te Ezekia dhe e pyeti: Çka thanë këta njerëz dhe nga erdhën tek ti? Ezekia iu përgjigj: Erdhën prej një vendi të largët, nga Babilonia.
- 15 Ai e pyeti: Ç`kanë parë në shtëpinë tënde? Ezekia iu përgjigj: Panë gjithçka është në shtëpinë time. S`ka asgjë që nuk ua dëftova në thesaret e mi.
- 16 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: Dëgjoje fjalën e Zotit:
- 17 `Ja, po vijnë ditët e do të të merren të gjitha që janë në shtëpinë tënde, gjithçka kanë mbledhur etërit e tu deri më sot, e do të çohen në Babiloni: s`do të mbetet asgjë, thotë Zoti.
- 18 E prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, disa do të merren e do t`i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonit`.
- 19 Ezekia i tha Isaisë: E mirë është fjala e Zotit që the. E mendonte: A do të ketë veç paqe e siguri gjatë ditëve të mia?Përfundimi mbi mbretërimin e Ezekisë
- 20 Veprat e tjera të Ezekisë, të gjitha trimëritë e tija, si e ndërtoi peshkoren, ujësjellësin dhe si e solli ujët në qytet, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 21 Ezekia pushoi me etërit e vet. Në vend të tij u bë mbret Manaseu, djali i tij.