Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretërimi i Manaseut në Judë
- 1 Manaseu kishte dymbëdhjetë vjet kur filloi të mbretëronte dhe mbretëroi në Jerusalem pesëdhjet e pesë vjet. Nëna i quhej Hafsibë.
- 2 Bëri ç`është e keqe para syve të Zotit sipas kobësive të popujve që Zoti i zhduku në ardhjen e bijve të Izraelit.
- 3 I përtëriti lartësirat që kishte rrëzuar i ati, Ezekia. Ndërtoi lterë për nder të Baalit, e punoi banirin siç e kishte punuar Akabi, mbreti i Izraelit. I adhuroi të gjitha ushtritë qiellore dhe u shërbeu.
- 4 Ndërtoi lterë në Shtëpinë e Zotit, për të cilën ka thënë Zoti: Në Jerusalem do të banojë Emri im.
- 5 I ndërtoi lterë mbarë ushtrisë qiellore në dy tremet e Tempullit të Zotit.
- 6 E kaloi djalin e vet nëpër zjarr, ushtroi shorti e magji, themeloi thirrës të vdekurish e dijetar me qëllim që të bënte të keqen para Zotit e ta bënte të hidhërohej.
- 7 E vendosi edhe banirin e Aserës dhe madje në Tempull, për të cilin i ka thënë Zoti Davidit e Salomonit, birit të tij: Në këtë Tempull e në Jerusalem, të cilin e zgjodha prej të gjitha fiseve të Izraelit do të banojë përgjithmonë Emri im.
- 8 Sepse s`do të lejoj që këmba e Izraelit të luajë nga kjo tokë, që ua dhurova etërve të tyre me kusht që t`i zbatojnë të gjitha urdhërimet që i kam dhënë e ta mbajnë krejt Ligjin që u urdhëroi shërbëtori im Moisiu.
- 9 Ata nuk dëgjuan, por i ngashnjeu Manaseu të bëjnë çka është e keqe edhe më tepër se kombet që Zoti i ndrydhi para bijve të Izraelit.
- 10 Atëherë foli Zoti me anë të profetëve, sherbëtorëve të vet, e tha:
- 11 Pasi Manaseu, mbreti i Judës, i bëri këto kobësi tepër të tmerrshme, madje edhe më të mëdha se ato që i bënë amorrenjtë para tij dhe bëri të mëkatojë Juda me idhujt e tij,
- 12 për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të lëshoj të këqija mbi Jerusalem e mbi Judë, kështu që kushdo t`i dëgjojë, të dy veshët do t`i tingëllojnë.
- 13 Unë do ta ngreh mbi Jerusalem litarin e Samarisë dhe peshën e shtëpisë së Akabit, do ta fshij Jerusalemin sikurse kur fshihet kupa, e fshin dhe e kthen përmbys.
- 14 Do ta hedh larg meje Tepricën e trashëgimit tim e do ta lëshoj në dorë të armiqve të saj dhe do të bëhet pre e plaçkë për të gjithë armiqtë e saj,
- 15 sepse bënë çka është e keqe para meje dhe vazhduan të më hidhërojnë prej ditës që etërit e tyre dolën prej Egjiptit deri në ditën e sotme.
- 16 Manaseu për më tepër derdhi edhe gjak të pafajshëm me aq shumicë, saqë e mbushi Jerusalemin deri në buzë, pa marrë parasysh mëkatet e tjera me të cilat e bëri Judën të bëjë atë që është e keqe para syve të Zotit.
- 17 Veprat e tjera të Manaseut dhe gjithçka bëri, si dhe mëkati i tij që e mëkatoi, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 18 Edhe Manaseu pushoi pranë etërve të vet dhe qe varrosur në kopshtin e shtëpisë së vet, në kopshtin Ozë. Në vend të tij u bë mbret Amoni, djali i tij.Mbretërimi i Amonit në Judë /642-640/
- 19 Amoni kishte njëzet e dy vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem dy vjet. Nëna e tij quhej Mesalemet. Ishte bija e Harusit prej Jetebës.
- 20 Bëri ç`është e keqe para Zotit, gjithë si kishte bërë Manaseu, baba i tij.
- 21 Ai e ndoqi pikë për pikë udhën nëpër të cilën kishte ecur baba i tij. U shërbeu idhujve, të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi ata.
- 22 E la Zotin, Hyjin e të parëve të vet, dhe nuk eci udhës së Zotit.
- 23 I vunë prita oborrtarët e tij dhe e vranë mbretin në shtëpinë e tij.
- 24 Populli i thjeshtë i vrau të gjithë ata që bënë përbetim kundër Amonit mbret dhe, në vend të tij, e bënë mbret të vetin Jozinë, djalin e tij.
- 25 Veprat e tjera të Amonit, gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
- 26 E varrosën në varrin e tij, në kopshtin Ozë. Në vend të tij u bë mbret Jozia, djali i tij.