Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Një nxënës i Elizeut e shuguron mbret Jehuin
- 1 Elizeu profet thirri një nga bijtë e profetëve dhe i tha: Ngjishe ijën tënde, merre këtë enë me vaj e shko në Ramot të Galaadit.
- 2 Kur të kesh arritur atje, do ta shohësh Jehuin, birin e Jozafatit të Namsiut, hyr brenda dhe thirre nga mesi i vëllezërve të vet e priji në dhomën e brendshme.
- 3 Merre enën e vajit, zbraze mbi kokë të tij e thuaj: Kështu thotë Zoti: `Të shugurova mbret mbi Izraelin`! Hape derën, ik e mos qëndro atje.
- 4 Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot të Galaadit
- 5 e hyri brenda, dhe ja, prijësit e ushtrisë po rrinin. Tha: Prijës, kam një fjalë me ty. Jehui iu përgjigj: Me cilin prej gjithë nesh? Ai i tha: Me ty, o prijës!
- 6 Ai u çua dhe hyri në dhomë. Atëherë ai ia zbrazi enën e vajit mbi kokë e i tha: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Të shugurova mbret mbi popullin e Zotit, Izraelin.
- 7 Vritie familjen e Akabit, zotërisë tënd, për t`ua marrë gjakun shërbëtorëve të mi profetëve dhe gjakun e të gjithë shërbëtorëve që i vrau Jezabela.
- 8 Do ta shuaj mbarë familjen e Akabit dhe do t`i vras të gjithë meshkujt prej familjes së Akabit, të madh e të vogël në Izrael.
- 9 Shtëpinë e Akabit do ta gjejë si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit dhe porsi shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë.
- 10 E Jezabelën do ta hanë qentë në fushë, dhe askush s`ka për ta varrosur. E hapi derën dhe iku.Jehuin e shpallin mbret
- 11 Jehui doli te shërbëtorët e zotërisë së vet, të cilët i thanë: A është gjithçka mirë? Pse erdhi tek ti ky marran? Ai u tha: E njihni njeriun dhe përrallat e tija.
- 12 Por ata i thanë: Gënjeshtër! Na e trego. E ai u tha: Kështu e kështu më ka biseduar e më tha:` Kështu thotë Zoti: Të shugurova mbret mbi Izraelin`.
- 13 Ata nxituan e i hoqën leshnikët e tyre dhe secili e shtroi nën këmbët e tija në shkallë, u ranë borive e brohoritën: Jehiu është mbret!Jehui përgatitet për ta marrë pushtetin
- 14 Kështu, pra, Jehui, biri i Jozafat Namsiut, bëri përbetim kundër Joramit. Jorami e kishte mbrojtur, ai e mbarë Izraeli, Ramotin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë,
- 15 dhe ishte kthyer për t`u shëruar në Jezrahel prej plagëve që kishte marrë nga sirianët duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Jehui foli: Nëse, pra, jeni me mua, askush të mos dalë prej qytetit, që të mos shkojë e të lajmërojë në Jezrahel.
- 16 Jehui hipi në karrocën e vet e u nis për Jezrahel. Atje Jorami lëngonte e Okozia, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë.
- 17 Rojtari që qëndronte në pyrgun e Jezrahelit, e pa togën e Jehuit duke ardhur dhe lajmëroi: Po shoh një grumbull njerëzish! Jorami urdhëroi: Merr një kalorës e dërgoje para tyre për t`i pyetur: a po vini për paqe?
- 18 Kalorësi shkoi para tij dhe e pyeti: Kështu thotë mbreti: A është gjithçka në paqe? E Jehui iu përgjigj: Ç`punë ke ti me paqen? Kalo dhe eja pas meje. Rojtari lajmëroi përsëri: Rojtari ka arritur tek ata e nuk po kthehet.
- 19 E nisi edhe kalorësin e dytë. Edhe ky kur arriti tek ata, tha: Kështu thotë mbreti: A është paqe? Jehui iu përgjigj: Ç`punë ke ti me paqen? Kalo e eja pas meje!
- 20 Rojtari lajmëroi: Arriti deri tek ata, por nuk po kthehet. Porse vrapimi është si ai i Jehuit, birit të Namsiut: vrapon si të kish flatra!
- 21 Jorami urdhëroi: Mbërtheje karrocën! E mbërthyen karrocën e tij. Jorami, mbreti i Izraelit, dhe Okozia, mbreti i Judës, dolën jashtë e hipën secili në karrocën e vet. U nisën në takim me Jehuin dhe u ndeshën me të në pronën e Nabotit jezrahelit.Vrasja e Joramit
- 22 Kur e pa Jehuin, Jorami, i tha: A është paqe, Jehu? E ai iu përgjigj: Çfarë paqeje! Kur vazhdojnë lavirësitë e Jezabelës, nënës sate, dhe shortitë e saja të shumta!
- 23 Atëherë Jorami u kthye dhe, duke ikur, i tha Okozisë: Tradhti, Okozi!
- 24 Jehui ngrehu harkun me dorë dhe e goditi Joramin ndërmjet shpatullave. Shigjeta i doli nëpër zemër dhe ai u rrëzua në karrocën e vet.
- 25 Jehui i tha prijësit Badacer: Kape dhe flake në arën e Nabotit jezrahelit! Të të bjerë ndër mend: unë e ti ishim bashkë me ata që dy e dy në karroca shkonin pas babait të tij Akabit, kur Zoti tha:
- 26 Gjakun e Nabotit e gjakun e bijve të tij, që e pashë dje;thotë Zoti;do ta marr po në këtë arë prej teje, thotë Zoti.` Tani pra, kape e hidhe në arë sipas fjalës së Zotit.Vrasja e Okozisë
- 27 Kur e pa këtë Okozia, mbreti i Judës, iku në drejtim të Betganit. Jehui e ndoqi dhe dha urdhër: Goditeni edhe këtë! E plagosën edhe këtë në karrocën e tij në përpjetën e Gaverit afër Jeblaamit. Por ky ia doli të ikte deri në Magedo dhe aty vdiq.
- 28 Shërbëtorët e tij e vunë në karrocën e tij dhe e çuan në Jerusalem. E varrosën në varrezën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.
- 29 Në të njëmbëdhjetin vit të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbret mbi Judën u bë Okozia.Vrasja e Jezabelës
- 30 Jehui po arrinte në Jezrahel. Kur mori vesh Jezabela për ardhjen e tij, i leu sytë, e stolisi kokën, e pa për dritareje
- 31 tek po hynte nëpër derë në qytet dhe tha: Gjithçka mirë, o Zambri, vrasës i zotërisë tënd?!
- 32 Jehui ngriti sytë nga dritarja e tha: A është kush me mua, a është kush? Dy a tre oborrtarë u kthyen drejt tij.
- 33 Ai u urdhëroi: Hidheni poshtë! Ata e hodhën poshtë. Gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt që e shqelmuan.
- 34 Jehui hyri brenda, hëngri dhe piu e atëherë tha: Shkoni e shiheni atë të mallkuar dhe varroseni, se është bijë mbreti!
- 35 Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën tjetër përveç kafkës, këmbëve dhe shuplakave të duarve.
- 36 U kthyen dhe i treguan. Jehui tha: U plotësua fjala që e kishte thënë Zoti me gojën e Elisë nga Tesbiu, shërbëtorit të vet, që tha: `Në fushën e Jezrahelit qentë do ta hanë trupin e Jezabelës.
- 37 Trupi i Jezabelës do të jetë si pleh në fushën e Jezrahelit, kështu që të mos mund të thuhet as: `Po a kjo qenka ajo Jezabela`!