Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Arka e Besëlidhjes bartet prej Kariatiarimit
- 1 Davidi e mbajti një këshillim me mijëtarët, me urdhraqindës dhe me tërë parinë.
- 2 Dhe i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: Nëse ju duket edhe juve dhe nëse Zoti, Hyji ynë e vendos ashtu siç po them unë, po u çojmë fjalë vëllezërve tanë të tjerë në mbarë krahinat e Izraelit si dhe priftërinjve dhe levitëve që banojnë në qytete e kullota të tyre, të bashkohen me ne,
- 3 që ta sjellim Arkën e Hyjit tonë te ne: sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit.
- 4 Mbarë populli u përgjigj që të bëhej ashtu: e njëmend mbarë popullit i pëlqeu parashtrimi.
- 5 Kështu, pra, Davidi e bashkoi mbarë Izraelin prej Sihorit të Egjiptit deri në hyrje të Ematit për ta sjellë Arkën e Hyjit nga Kariatiarimi.
- 6 Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Baalë, në Kariatiarim, që është në Judë për ta marrë prej andej Arkën e Hyjit, të Zotit që rri mbi kerubinë, ku u thirr emri i tij.
- 7 E ngarkuan Arkën e Hyjit mbi një qerre të re prej shtëpisë së Abinadabit. Oza e Ahioja e drejtonin qerren.
- 8 Ndërsa Davidi dhe mbarë Izraeli vallëzonin sa mundnin para Hyjit me këngë, me citara, me cetra, me tupana, me cimbale dhe bori.
- 9 Kur arritën te lëma e Kidonit, Oza e shtriu dorën e vet për ta mbajtur Arkën, sepse qetë përpak që nuk e kapërdinë.
- 10 Atëherë Zoti u hidhërua kundër Ozës dhe e goditi pse e preku Arkën dhe vdiq po aty në praninë e Hyjit.
- 11 Davidit i erdhi keq që Zoti e goditi ashtu Ozën dhe ai vend u quajt Faresoza /d. m. th. Plasja e Ozës/ deri në ditën e sotme.
- 12 Davidin atëherë e kapi frika e Hyjit dhe tha: Si do të mundem ta shtie Arkën e Hyjit tek unë?
- 13 Dhe për këtë arsye nuk e çoi te vetja, d. m. th. në Qytetin e Davidit, por e ktheu në shtëpinë e Obededomit Geteaj.
- 14 Kështu, pra, Arka e Hyjit qëndroi në shtëpinë e Obededomit për tre muaj.Zoti e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka kishte.