Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Regjistrimi
- 1 Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin ta numërojë Izraelin.
- 2 Dhe Davidi i tha Joabit e prijësve të Izraelit: Dilni e regjistrojeni Izraelin prej Bersabesë e deri në Dan dhe ma sillni numrin që ta di.
- 3 Joabi iu përgjigj: Zoti e shtoftë popullin e vet edhe njëqindfish më shumë se ç`është! Vallë, o Imzot mbret, a nuk janë të gjithë shërbëtorët e tu? Pse po e kërkon këtë gjë Zotëria im që t`i numërohet si mëkat Izraelit?.
- 4 Por fjala e mbretit ishte më e fortë se e Joabit. Doli pra, Joabi dhe e qarkulloi mbarë Izraelin dhe u kthye në Jerusalem.
- 5 Joabi ia dha Davidit numrin e regjistrimit dhe doli numri i gjithmbarshëm i Izraelit një milion e njëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës dolën katërqind e shtatëdhjetë mijë vetë të aftë për shpatë.
- 6 Joabit nuk i pëlqeu urdhëri i mbretit këndej edhe nuk e regjistroi fisin e Levit as të Beniaminit.Murtaja dhe falja e Zotit
- 7 Ky urdhër nuk i pëlqeu Hyjit, prandaj edhe e goditi Izraelin.
- 8 Atëherë Davidi i tha Hyjit: Mëkatova shumë që e bëra këtë gjë. Të lutem, shlyeja fajin shërbëtorit tënd, sepse veprova tepër marrëzisht.
- 9 Zoti i tha Gadit, vëguesit të Davidit:
- 10 Shko, fol me Davidin e thuaj: Kështu thotë Zoti: Tri gjëra i vë para teje: zgjidhe njërën, cilën të duash. Do të bëj atë që ta zgjedhësh.
- 11 Gadi erdhi te Davidi e i tha: Kështu thotë Zoti: Zgjidh çfarë të duash:
- 12 ose tri vjet urie, ose tre muaj të ikësh para armiqve të tu e të mos mundesh t`u ikësh shpatave të tyre, ose tri ditë shpatën e Zotit e murtaja ta përshkojë vendin dhe engjëlli i Zotit të shfarosë brenda mbarë kufijve të Izraelit. Vendos, pra, tani se çfarë duhet t`i përgjigj Atij që më ka dërguar.
- 13 Davidi i pëgjigji Gadit: Nga çdo anë qenkam ngusht! Por më mirë le të bie në duar të Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, e të mos bie në duar të njerëzve!
- 14 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën prej izraelitëve shtatëdhjetë mijë burra.
- 15 Gjithashtu Zoti e dërgoi engjëllin edhe në Jerusalem për ta goditur edhe atë. Kur filloi ta godasë, e pa Zoti, i erdhi dhimbje për këtë të keqe dhe i urdhëroi engjëllit shfarues: Mjaft! Ndale dorën tënde! Atëherë engjëlli po qëndronte pranë lëmës së Oan Jebuseut.
- 16 Davidi i lartësoi sytë dhe e pa engjëllin e Zotit duke qëndruar ndërmjet qiellit e tokës. E kishte nxjerrë shpatën prej millit dhe e kishte drejtuar dorën kundër Jerusalemit. Davidi dhe paria të veshur me grathore ranë me fytyrë përdhe.
- 17 Atëherë Davidi iu lut Hyjit: Po a nuk jam unë ai që dha urdhër të regjistrohet populli? Unë jam ai që mëkatova, unë e bëra të keqen: po ç`faj ka kjo grigjë? O Zot, Hyji im, le të sillet dora jote, po të lutem, kundër meje e kundër familjes së tim eti, deh të mos goditet populli yt!Ngritja e lterit
- 18 Atëherë engjëlli i Zotit i urdhëroi Gadit t`i thotë Davidit të ngritet e ta ndërtojë një lter në nder të Zotit në lëmën e Oan Jebuseut.
- 19 Kështu, pra, Davidi veproi sipas urdhërit të Gadit që ia tha në emër të Zotit.
- 20 Oani, kur u soll dhe e pa engjëllin, u fsheh ai dhe katër djemtë e tij sepse: në atë kohë po fshinte grurin në lëmë.
- 21 Kështu, pra, kur Davidi erdhi tek Oani, po sa e pa Oani, u nis e i doli përpara prej lëmës dhe u përkul para tij në nderim me fytyrë përdhe.
- 22 Davidi i tha: Ma jep lëmën tënde që ta ndërtoj në të një lter në nder të Zotit. Ma jep për aq argjend sa vlen e të pushojë shuplaka në popull.
- 23 Oani iu përgjigj Davidit: Merre lirisht e Imzot mbreti të bëjë me të çfarë të dojë. Unë i jap edhe kafshët për fli shkrumbimi dhe shqupitë për dru dhe grurin për fli kushtimore: të gjitha këto i jap falas me gjithë ëndje.
- 24 Davidi mbret i tha Oanit: Jo, kështu assesi! Por do t`i paguaj me argjend sa të vlejnë. Sepse nuk dua t`ia kushtoj Zotit gjënë tënde, t`ia kushtoj Zotit fli shkrumbimi gjënë e falur.
- 25 Davidi i dha Oanit për atë vend gjashtëqind sikla të artë me peshë të saktë
- 26 dhe e ndërtoi aty lterin në nder të Zotit, i kushtoi flitë e shkrumbimit, të pajtimit dhe e thirri në ndihmë Zotin.
- 27 Atëherë Zoti i urdhëroi engjëllit dhe ky e ktheu shpatën në mill.
- 28 Po në këtë kohë, pasi Davidi pa se Zoti ia kishte dëgjuar lutjen në lëmën e Oan Jebuseut, Davidi zuri të kushtojë aty fli.
- 29 Banesa e Zotit, e ndërtuar prej Moisiut në shkretëtirë, si dhe lteri i flive të shkrumbimit aso kohe ishin në kodrinën në Gabaon;
- 30 por Davidi nuk mundi të shkonte ta këshillonte Zotin atje, sepse e kishte kapluar një frikë e madhe duke e parë shpatën e engjëllit të Zotit.