Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Udhëzimet e Davidit lidhur me Tempullin
- 1 Davidi i bashkoi të gjithë prijësit e Izraelit, prijësit e fiseve dhe udhëheqësit e rendeve që ishin në shërbim të mbretit: mijëtarët e urdhërqindësit, si edhe ata që ishin kryekujdestarë të pasurisë së mbretit dhe të fëmijëve të tij, me oborrtarë, me trimat e fortë që i kishte në Jerusalem.
- 2 Davidi u ngrit në këmbë dhe tha: Më dëgjoni, vëllezërit e mi e populli im! Unë kam menduar të ndërtoj një shtëpi në të cilën të pushojë Arka e Besëlidhjes së Zotit e të jetë shtrojë për këmbët e Hyjit tonë. Gjithçka duhet për ta ndërtuar e kam bërë gati.
- 3 Porse Hyji më tha: `Ti s`do ta ndërtosh Shtëpinë në nder të Emrit tim, sepse je luftëtar e ke derdhur gjak`.
- 4 Prej mbarë shtëpisë sime Zoti, Hyji i Izraelit, më zgjodhi mua që të jem mbret mbi Izraelin përgjithmonë. Judën e zgjodhi për derë të parë, kurse prej shtëpisë së Judës, shtëpinë e tim eti e prej bijve të babait tim Atij i pëlqeu të më zgjedhë mua për mbret mbi mbarë Izraelin.
- 5 Po ashtu edhe prej bijve të mi;e Zoti më fali fëmijë shumë;Zoti e zgjodhi Salomonin, tim bir, për të ndenjur mbi fron të mbretërisë së Zotit mbi Izraelin.
- 6 Sepse Zoti më tha: `Salomoni, yt bir, do të ma ndërtojë shtëpinë dhe tremet e mia: sepse atë e kam zgjedhur për birin tim dhe unë do t`i jem atij babë.
- 7 Mbretërinë e tij do ta bëj të qëndrueshme deri në amshim në qoftë se do të vazhdojë t`i kryejë urdhërimet e mia dhe ligjet siç po vepron sot`.
- 8 E tani, para mbarë Izraelit, bashkësisë së Zotit, ku po na dëgjon Hyji ynë, ruani e shqyrtoni hollë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që ta gëzoni këtë tokë të mirë e t`ua lini fëmijëve tuaj trashëgim pas jush brez pas brezit deri në amshim.
- 9 Kurse ti, o biri im Salomon, njihe Hyjin e babait tënd e shërbeji me zemër të përsosur e me shpirt të gatshëm, sepse Zoti i shqyrton zemrat e të gjithëve dhe i di të gjitha mendimet e mendjeve: nëse do ta kërkosh, ai do të lejojë ta gjesh; nëse do ta lësh atë, ai do të të përbuzë e do të të flakë për amshim.
- 10 Kuptoje, pra, tani se Zoti të ka zgjedhur që ta ndërtosh Shtëpinë e Shenjtërores: merr guxim e kryeje.
- 11 Davidi ia dha Salomonit, djalit të vet, gjedhen e paraderës, të tempullit, të magazinave, të dhomave të brendshme, të dhomave në katin e shtëpisë dhe të Shtëpisë së Pajtimit;
- 12 si dhe gjedhen e të gjithave që i kishte sajuar me mendje, për treme të Shtëpisë së Zotit, të të gjitha dhomave përreth, për thesarë të Shtëpisë së Zotit dhe për thesarë të gjërave të shuguruara,
- 13 për rendet e priftërinjve e të levitëve, për çdo punë në shërbesë të Shtëpisë së Zotit dhe për çdo enë të shërbesës së Tempullit të Zotit;
- 14 arin në peshë për çdo enë të shërbesës, argjendin në peshë për të gjitha enët e argjendta që duhen për shërbime të ndryshme.
- 15 Po ashtu edhe qirinjmbartës të artë e dritëza të arta për ta e dha arin sipas masës së duhur të secilit qirinjmbartës e dritëz në peshë; po edhe për qirinjmbartës e dritëza të tyre të argjendta i dha argjend në peshë.
- 16 Arin në peshë për tryeza në të cilat kanë për t`u vendosur bukët e kushtimit, për secilën tryezë, po ashtu edhe argjendin për tryezat e tjera të argjendta.
- 17 Gjithashtu për pirunj, për kusia, për kupa ari të kulluar, për gota të arta sipas cilësisë aq sa duhej për një gotë; po ashtu edhe për gota të argjendta, caktoi argjend në peshë për çdo gotë.
- 18 Po ashtu edhe për lterin e kemimit, ar të pastër e ar për koçinë me kerubinë që i shtrijnë krahët dhe e mbulojnë Arkën e Besëlidhjes së Zotit.
- 19 Të gjitha këto;tha;ishin të shkruara me dorën e Zotit që të mund t`i njohë të gjitha veçorit e gjedhes.
- 20 Atëherë Davidi i tha birit të vet Salomonit edhe: Vepro si burrë, ki guxim dhe nisja punës dhe mos u tremb as mos ki frikë! Vërtet, Zoti, Hyji im, do të jetë me ty dhe nuk do të të lëshojë as s`do të lërë deri sa ta kryesh mbarë punën lidhur me Shtëpinë e Zotit.
- 21 Ja, rendet e priftërinjve dhe të levitëve: do të jenë të gatshëm në çdo shërbesë të Shtëpisë së Tenzot. Pranë teje për të ndihmuar do të jetë me vullnet çdo njeri i ditur për cilëndo punë për këtë vepër. Të gjithë prijësit dhe mbarë populli janë nën urdhrin tënd.