Beselidhja e Vjeter1 i Kronikave: Kushtet
- 1 Atëherë mbreti David i tha mbarë bashkësisë: Salomoni, im bir, që të vetmin Hyji e zgjodhi, është ende i ri e i njomë, kurse vepra është e madhe: sepse kjo ndërtesë nuk është për njeri, por për Hyjin, Zotin tonë.
- 2 Unë, njëmend, me të gjitha fuqitë e mia bëra gati për Shtëpinë e Hyjit gjithçka lypet: arin për enë të arta, argjend për enë të argjendta, bronz për enë të bronzta, hekur për të hekurta, lëndë për enë të drunjta, gurë oniksi e brilantë, gurë të palatuar dhe të ngjyrave të ndryshme, gjithfarë gurësh të paçmueshëm dhe mermer të bardhë me shumicë.
- 3 Për më tepër, prej dashurisë që kam për Shtëpinë e Hyjit, jap edhe prej çka kam personalisht ar e argjend për Tempullin e Hyjit tim, përveç atyre që kam bërë gati për godinën e shenjtë:
- 4 tri mijë talenta ar prej arit të Ofirit e shtatë mijë talenta argjend të kulluar për t`i veshur muret e Tempullit.
- 5 Ar për enë të arta dhe kudo lypet argjend për enë të argjendta dhe për vepër të dorës mjeshtrore. Nëse edhe ndokush tjetër ka dëshirë të dhurojë vullnetarisht, le të jetë dorëgjerë sot e le të dhurojë çka i dëshiron zemra në nder të Zotit.
- 6 Atëherë vullnetarisht dhuruan prijësit e vëllazërive, krerët e fiseve të Izraelit, mijëtarët dhe urdhërqindësit dhe mbikëqyrësit e veprës së mbretit.
- 7 Këta, për ndërtimin e Tempullit të Hyjit dhanë pesë mijë talenta ar, dhjetë mijë monedha, dhjetë mijë telenta argjend, tetëmbëdhjetë mijë talenta bronz dhe njëqind mijë talenta hekur.
- 8 Edhe kushdo kishte gurë të paçmueshëm, të gjithë i jepnin si dhuratë për thesarin e Shtëpisë së Zotit në dorë të Jahielit Gersonaj.
- 9 Popullit i kënaqej shpirti sepse ishin të gatshëm shpirtërisht të gjithë t`ia dhuronin Zotit me gjithë zemër. Po edhe mbreti David vërtet u gëzua fort.
- 10 Pastaj Davidi e bekoi Zotin para mbarë bashkësisë dhe tha: I bekuar je, o Zot, Hyji i Izraelit, atit tonë, prej amshimit e në amshim!
- 11 Ty, o Zot, të përket madhëria e pushtetit, lavdia, shkëlqimi dhe lartëmadhëria!Sepse gjithçka në qiell e në tokë, janë të tuat!Ty, o Zot, të përket mbretëria, ti lartësohesh si kokën përmbi çdo gjë!
- 12 Prej teje vjen pasuria dhe lavdia, ti zotëron me gjithçka!Në dorën tënde fuqia dhe pushteti.Ti mund të bësh gjithçka të madhërishme e të qëndrueshme!
- 13 Prandaj, o Hyji ynë, po të madhërojmëe po e lavdërojmë Emrin tënd të madhërishëm!
- 14 Po e kush jam unë dhe çfarë është populli im që të mund të t`i kushtojmë ty të gjitha këto gjëra? Por të gjitha këto janë të tuat dhe gjithçka të kushtuam, të gjitha i morëm prej dorës sate!
- 15 Shtegtarë jemi para Teje e ardhacakë, si etërit tanë, jeta jonë si hije mbi tokë dhe pa farë shprese.
- 16 O Zot, Hyji ynë, gjithçka kemi përgatitur për t`ia ndërtuar Shtëpinë Emrit tënd të shenjtë, vjen prej dorës sate dhe të gjitha janë të tuat.
- 17 Mirë e di, Hyji im, se ti i vë në provë zemrat dhe se të pëlqen thjeshtësia: këndej edhe unë, në thjeshtësinë e zemrës sime, t`i kushtova të gjitha këto me gëzim. Po edhe mbarë popullin tënd, që është këtu, e pashë se me një gëzim të jashtëzakonshëm t`i kushtoi këto dhurata vullnetarisht.
- 18 O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Izraelit, i etërve tanë, ruaje për amshim këtë vullnet të zemrës së tyre. Bëj që zemra e tyre të qëndrojë gjithmonë në nderimin tënd.
- 19 Po edhe Salomonit, tim bir, jepi një zemër të përsosur që t`i ruajë urdhërimet e tua, dëshmitë dhe ligjet e tua e t`i zbatojë të gjitha dhe t`ia dalë ta ndërtojë Shtëpinë për të cilën unë i bëra të gjitha përgatitjet.
- 20 Atëherë Davidi iu drejtua mbarë bashkësisë: Bekojeni tani Zotin, Hyjin tuaj! Dhe mbarë kuvendi e bekoi Zotin, Hyjin e etërve të vet. Pastaj u përkulën në nderim njëherë Hyjit e pastaj mbretit.Salomoni hip në fron, Davidi vdes
- 21 Të nesërmen i flijuan Zotit therorë dhe ia kushtuan flitë e shkrumbimit: një mijë mëzetër, një mijë desh, një mijë qengja me flitë e njomjes së tyre dhe shumë fli të tjera për mbarë Izraelin.
- 22 Atë ditë në praninë e Zotit hëngrën e pinë me gëzim të madh. Për së dyti e bënë mbret Salomonin, birin e Davidit dhe e shuguruan sipas dëshirës së Zotit për princ, kurse Sadokun e shuguruan për prift.
- 23 Kështu Salomoni hipi mbi fronin e Zotit që të jetë mbret në vend të të jatit, Davidit; punët i shkonin për së mbari e mbarë Izraeli e dëgjonte.
- 24 Po ashtu edhe të gjithë prijësit e trimat e zgjedhur si dhe të gjithë bijtë e mbretit David ia shtrinë dorën duke dëshmuar se i nënshtrohen mbretit Salomon.
- 25 Zoti e ngriti shumë Salomonin në sytë e mbarë Izraelit dhe ia dha një madhëri aq të madhe mbretërisë së tij, sa që të tillë kurrë nuk e pati asnjë mbret i Izraelit.
- 26 Kështu Davidi, biri i Isait, mbretëroi mbi mbarë Izraelin.
- 27 Mbretërimi i tij mbi Izraelin zgjati dyzet vjet. Në Hebron kishte mbretëruar shtatë vjet, kurse në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tri vjet.
- 28 Vdiq në pleqëri të lume, plot pasuri e lavdi. Në vend të tij u bë mbret i biri, Salomoni.
- 29 Veprat e mbretit David janë të shkruara prej fillimit deri në mbarim, në Librin e Samuelit vëgues, të Natanit profet dhe në vëllimin e Gadit vëgues
- 30 me mbarë mbretërimin e tij, trimëritë dhe kohërat që kaluan nën sundimin e tij qoftë në Izrael e qoftë në të gjitha mbretëritë e tokës.