Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Veprimtaria e Roboamit
- 1 Me të arritur në Jerusalem, Roboami e bashkoi mbarë shtëpinë e Judës e të Beniaminit: njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër Izraelit e për t`ia kthyer vetes mbretërinë.
- 2 Porse i erdhi fjala e Zotit Semejës, njeriut të Hyjit, e i tha:
- 3 Fol me Roboamin birin e Salomonit, mbretin e Judës dhe me të gjithë Izraelin që është në Judë në Beniamin:
- 4 Kështu thotë Zoti: Ruaj se dilni e luftoni kundër vëllezërve tuaj! Secili le të kthehet në shtëpinë e vet sepse kështu ka ndodhur pse unë ashtu kam dashur.Këta, kur e dëgjuan fjalën e Zotit, u kthyen dhe nuk shkuan në luftë kundër Jeroboamit.
- 5 Roboami banoi në Jerusalem dhe i rindërtoi qytetet e fortifikuara të Judës.
- 6 E rindërtoi Betlehemin, Etamin, Tekuen,
- 7 Betsurin, Sokon, Odolamin,
- 8 Getin, Maresën, Zifin,
- 9 Aduramin, Lakisin e Azekën,
- 10 Saranë, Ajalonin dhe Hebronin që ishin qytete shumë të fortifikuara në Judë e në Beniamin.
- 11 Pasi i rrethoi me mure, ua vuri udhëheqësit dhe shpuri në to nozulla drithërash, vaji e vere.
- 12 Madje edhe në çdo qytet punoi armatore shqytash e heshtash dhe i forcoi me kujdesin më të madh.Kështu u bë sundimtar i Judës dhe Beniaminit.Priftërinjtë marrin anën e Roboamit
- 13 Priftërinjtë dhe levitët që ishin kudo në Izrael i lanë vendet e veta dhe erdhën te Roboami.
- 14 Edhe levitët i lëshuan kullotat dhe pronat e veta dhe kaluan në Judë e në Jerusalem për arsye se Jeroboami dhe pasardhësit e tij i përjashtuan ata prej shërbesës priftërore të Zotit.
- 15 Jeroboami themeloi priftërinj për lartësira, për djaj e për viça që ai vetë i kishte punuar.
- 16 Por shumë vetë prej të gjitha fiseve të Izraelit, të gjithë ata që me zemër e kërkonin Zotin, Hyjin e Izraelit, i ndoqën ata dhe erdhën në Jerusalem për t`i kushtuar fli Zotit, Hyjit të etërve të vet.
- 17 Kështu e forcuan mbretërinë e Judës dhe e përkrahën Roboamin, birin e Salomonit, për tre vjet; sepse e ndoqën udhën e Davidit e të Salomonit vetëm për tre vjet.Familja e Roboamit
- 18 Roboami mori për grua Mahalatën, bijën e Jerimotit, të birit të Davidit dhe të Abihajlës, bijës së Eliabit, birit të Isait.
- 19 Prej saj i lindën djemtë: Jehusi, Somoria dhe Zoomi.
- 20 Pas kësaj mori edhe Maakën, bijën e Absalomit, prej të cilës i lindën Ablai, Etaji, Zizai e Salomiti.
- 21 Por Roboami e deshi Maakën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha gratë dhe konkubinat e veta, sepse kishte marrë tetëmbëdhjetë gra e gjashtëdhjetë konkubina. I lindën njëzet e tetë djem e gjashtëdhjetë vajza.
- 22 Roboami e vuri për kryetar të vëllezërve të vet Abinë, birin e Maakës, sepse atë mendonte ta bënte mbret.
- 23 Dhe urtësisht i shpëdau djemtë e vet nëpër të gjitha krahinat e Judesë e të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara. I nozulloi me shumë ushqime dhe i martoi me shumë gra.