Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Paqja e Asës
- 1 Asa bëri atë që ishte e mirë dhe e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit të vet. I zhduki lterët e hyjnive të huaja dhe lartësirat,
- 2 i theu shtyllat dhe i preu banirët,
- 3 i urdhëroi Judës ta kërkojë Zotin, Hyjin e etërve të vet, ta zbatojë Ligjin dhe të gjitha urdhërimet.
- 4 I zhduki prej të gjitha qyteteve të Judës lartësirat, lterët e kemimit dhe mbretëroi në paqe.
- 5 I rindërtoi qytetet e fortifikuara të Judesë, pasi vendi ishte në qetësi, dhe në kohën e tij nuk u bë asnjë luftë sepse Zoti i dhuroi paqe.
- 6 Asa i tha Judës: Ejani t`i ndërtojmë këto qytete, t`i rrethojmë me mure, t`i forcojmë me pirgje, me dyer e me shula deri që të gjitha t`i kemi në qetësi, pa luftë. Ne e kërkuam Zotin, Hyjin tonë; po ashtu edhe ai na kërkoi ne e na dha paqe kudo përreth.Ata rindërtuan dhe përparuan.
- 7 Asa pati edhe një ushtri të armatosur me shqyta e me heshta: treqind mijë prej Judës, kurse ushtria që e kishte prej Beniaminit ishte e armatosur me shqyta e me shigjeta dhe ishin dyqind e tetëdhjetë mijë: të gjithë këta trima të fortë.Sulmi i Zarës
- 8 Zara nga Etiopia u sul kundër tyre me një ushtri prej një milion ushtarësh e me treqind karroca lufte dhe arriti deri në Maresë.
- 9 Po edhe Asa vrapoi t`i dalë përpara dhe e rreshtoi ushtrinë për luftë në luginën që është në veri të Maresës.
- 10 Asa e thirri në ndihmë Zotin, Hyjin e vet, e tha: O Zot, për ty s`ka aspak rëndësie nëse po u ndihmon atyre që janë shumë apo pak! Na eja në ndihmë, o Zot, Hyji ynë! Me shpresë në ty dhe në Emrin tënd dolëm kundër kësaj shumice! Ti, o Zot, je Hyji ynë, të mos ngadhënjejë mbi ty njeriu!.
- 11 Këndej edhe Zoti i tmerroi etiopët para Asës e Judës: etiopët ikën!
- 12 Asa dhe ushtria, që ishte me të, i ndoqën deri në Gerar. Etiopët sharruan deri në shfarosje, sepse qenë zhdukur duke i vrarë Zoti e duke i luftuar ushtria e tij. Këndej edhe morën pre të madhe
- 13 dhe i goditën të gjitha qytetet në rrethinën e Gerarës: i kishte pushtuar tmerri i Zotit. I rrafshuan të gjitha qytetet dhe morën pre të madhe me vete.
- 14 U ranë edhe bunave të grigjave, morën një shumicë të panumërt delesh e devesh dhe u kthyen në Jerusalem.