Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Qortimet e Azarisë dhe zotimet e besnikërisë
- 1 Shpirti i Hyjit e pushtoi Azarinë, birin e Odedit,
- 2 e Azaria i doli para Asës dhe i tha: "Ti Asë e ju të gjithë djemtë e Judës e të Beniaminit, më dëgjoni! Zoti qoftë me ju, pasi ju qetë me të! Nëse ju do ta kërkoni, ju edhe do ta gjeni! Nëse ju do ta lini, edhe ai do t`ju lërë ju!
- 3 Kaluan shumë ditë në Izrael pa Hyjin e vërtetë, pa prift mësues e pa Ligj.
- 4 Por kur u kthyen te Zoti, Hyji i Izraelit, pse ranë ngusht, dhe e kërkuan atë, ata edhe e gjetën.
- 5 "Në ato kohë nuk kishte siguri as për atë që shkonte as për atë që vinte,
- 6 sepse ishte trazirë shumë e madhe për të gjithë banorët e vendeve: sepse sulej ndesh një komb kundër një kombi tjetër, një qytet kundër një qyteti tjetër, sepse Zoti i godiste me çdo lloj trazire.
- 7 Por juve të mos ju lëshojë zemra dhe të mos ju meken duart tuaja e shpërblimi nuk do t`ju mungojë"!
- 8 Kur Asa i dëgjoi këto fjalë dhe këtë profeci, mori zemër dhe i hoqi idhujt prej tokës së Judës e të Beniaminit edhe prej qyteteve të malit të Efraimit që i pushtoi dhe e shuguroi lterin e Zotit që ishte në treme të Zotit.
- 9 Atëherë i bashkoi të gjithë judenjtë, beniaminët dhe ardhacakët që ishin me ta nga fisi i Efraimit, i Manaseut e i Simonit, sepse me shumicë prej Izraelit ishin strehuar tek ai duke parë se Zoti, Hyji i tij, ishte me të.
- 10 Dhe u mblodhën në Jerusalem në të tretin muaj të të pesëmbëdhjetit vit të mbretërimit të Asës.
- 11 Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë që kishin sjellë: shtatëqind bagëti të trasha dhe shtatë mijë bagëti të imëta.
- 12 Dhanë besën se do ta kërkojnë Zotin, Hyjin e etërve të vet, me gjithë zemër e me gjithë shpirt:
- 13 "kushdo që nuk do ta kërkojë Zotin, Hyjin e Izraelit, do të vritet me të madh e me të vogël, burra e gra.
- 14 Iu përbetuan Zotit me zë të lartë e me brohoritje gazmore, me tinguj borish e brirësh.
- 15 Të gjithë banorët e Judesë u gëzuan shumë për shkak të këtij betimi, sepse u përbetuan me gjithë zemër. Vërtet e kishin kërkuar Zotin me gjithë shpirt. Këndej edhe Zoti lejoi ta gjejnë dhe u dhuroi paqe në të gjithë kufinjtë e tyre.
- 16 Mbreti Asa e shfronësoi edhe Maakën, nënën e vet, dhe s`e la të jetë më Zonja mbretëreshë, sepse e kishte punuar idhullin e Aserës; Asa e copëtoi idhullin dhe, pasi e bëri copë-copë, e dogji në përroin Cedron.
- 17 "Porse lartësirat u lanë në Izrael; megjithatë zemra e Asës ishte e përsosur gjatë gjithë jetës së tij.
- 18 Gjithçka kishte kushtuar ati i tij dhe ai vet, i çoi në Shtëpinë e Hyjit: argjend, ar dhe enë të ndryshme.
- 19 Nuk pati luftë deri në vitin e tridhjetepestë të mbretërimit të Asës.