Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Reformat e gjyqit
- 1 Jozafati, mbreti i Judës, u kthye në shtëpi të vet në Jerusalem shëndosh e mirë.
- 2 Jehui vegimtar, biri i Hananiut, porsa e pa, i doli para e i tha: "Ti po i ndihmon të patenzonit, lidh miqësi me ata që e urrejnë Zotin që ta meritosh hidhërimin e Zotit!
- 3 "Megjithatë u gjetën në ty disa vepra të mira, sepse ti i zhduke prej vendit banirët dhe e përgatite zemrën tënde për ta kërkuar Hyjin".
Reformat e gjyqit - 4 Jozafati, pas një qëndrimi në Jerusalem, doli përsëri në mes të popullit prej Bersabesë deri në malet e Efraimit dhe e ktheu popullin kah Zoti, Hyji i etërve të vet.
- 5 I caktoi gjykatësit e vendit në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës, në çdo qytet.
- 6 Të gjithë gjykatësve u urdhëroi: "Kujdes çfarë bëni! Sepse ju nuk e ushtroni gjyqin në emër të njerëzve, por në emër të Zotit që është me ju në ushtrimin e drejtësisë.
- 7 Kini frikën e Zotit e bëni gjithçka me urtësi! Te Zoti, Hyji ynë, s`ka dredhi! Ai nuk pranon përkrahje as dhurata"!
- 8 Po edhe në Jerusalem Jozafati i caktoi disa levitë, disa priftërinj dhe disa prej krerëve të vëllazërive të Izraelit, që ta ushtrojnë drejtësinë e Zotit në rast mosmarrëveshjesh në mes banorëve të Jerusalemit.
- 9 Edhe atyre u urdhëroi: "Ja si duhet të veproni: me frikën e Zotit, me besnikëri e me zemër të çiltër.
- 10 Çdo mosmarrëveshje ndërmjet vëllezërve tuaj që jetojnë në qytetet e veta e vjen para jush;qoftë ajo çështje vrasjeje, ligji, urdhri, dokeje, përkujtoni të mos mëkatojnë kundër Zotit e që hidhërimi i tij të mos bjerë mbi ju e mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu e nuk do të mëkatoni!
- 11 Dhe ja, Amaria, prifti prijës, do të jetë në krye të të gjithë juve në ato çështje që kanë të bëjnë me Hyjin, kurse Zabadia, biri i Ismahelit që është prijësi i shtëpisë së Judës, do të kryesojë për të gjitha çështjet që i përkasin mbretit. Levitët do t`i keni pranë jush si shkrues. Zemër dhe nisjani punës! Zoti jua priftë mbarë"!