Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Punimet
- 1 I caktoi shtatëdhjetë mijë vetë bartës krahu dhe tetëdhjetë mijë gdhendës guri në mal dhe tri mijë e gjashtëqind kryepunëtorë.
- 2 Atëherë i çoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit: Siç ke vepruar me babain tim Davidin dhe i ke dërguar lëndë cedri që ta ndërtonte pallatin për të banuar ai në të,
- 3 po ashtu vepro edhe për mua që t`ia ndërtoj një Shtëpi Emrit të Zotit, Hyjit tim, e ta shuguroj për të djegur para tij erëra të këndëshme tymuese, për të kushtuar vazhdimisht bukë dhe fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, të shtunave, hënëve të reja dhe në të gjitha të kremtet e Zotit, Hyjit tonë, për amshim që i janë urdhëruar Izraelit.
- 4 Shtëpia, të cilën dëshiroj ta ndërtoj, është e madhe, sepse i madh është Zoti ynë përmbi të gjithë zotat.
- 5 E kush do të kishte mundësi t`i ndërtojë Atij një Shtëpi të denjë? Në qoftë se qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund ta zënë Atë, po kush jam unë që të mund t`ia ndërtoj Shtëpinë? Por vetëm kaq sa të digjet kemi në praninë e tij.
- 6 Tani, ma dërgo një njeri të ditur që di të punojë me ar, me argjend, me bronz, me hekur, me purpur të kuq e ngjyrë vjollcë e që të jetë i ushtruar në mjeshtrinë e skalitjes; ai do të punojë me këta artizanët që i kam në Jude e në Jerusalem, të cilët i përgatiti im atë Davidi.
- 7 Ti më dërgo edhe lëndë cedri, bredhi e pishe prej Libanit. Unë e di se shërbëtorët e tu dinë ta presin drurin e Libanit, madje edhe shërbëtorët e mi do të jenë me shërbëtorët e tu
- 8 që të më përgatiten lëndë të shumta, sepse Shtëpia që dëshiroj ta ndërtoj duhet të jetë e vetme dhe e madhërishme.
- 9 Druprerësve, shërbëtorëve të tu, do t`u jap si ushqim njëzet mijë kora grurë po edhe aq kora elb, njëzet mijë batë verë si dhe njëzet mijë batë vaj.
- 10 E Hirami, mbreti i Tirit, iu përgjigj me anë të një letre që ia dërgoi Salomonit: Pasi Zoti e deshi popullin e vet, bëri që ti të mbretërosh mbi të.
- 11 Dhe shtoi: Bekuar qoftë Zoti, Hyji i Izraelit, i cili bëri qiellin e tokën, që ia dha Davidit mbret një djalë të dijshëm, të mençur, të arsyeshëm e të urtë që të ndërtojë Shtëpi në nder të Zotit dhe pallat për vete.
- 12 Tani po ta dërgoj një njeri të urtë, të dijshëm si ai, Hiramin, mjeshtrin tim,
- 13 djalin e njërës prej bijave të Danit, babai i të cilit qe tiras. Ky di të punojë në arë e në argjend, në bronz e në hekur, në gur e në dru, në purpur, në pëlhurë ngjyrë vjollcë e në pëlhurë të kuqe. Di të gdhendë çdo gdhendje; ia pret mendja hollë e, çka i sheh syri, ia bën dora. Do të punojë me mjeshtrit e tu dhe me mjeshtrit e zotërisë tim, Davidit, babait tënd.
- 14 Ti imzot, veç dërgoje grurin, elbin, vajin, verën që i ke premtuar për shërbëtorët e tu.
- 15 Ne do t`i presim drurët nga Libani aq sa të të nevojiten dhe do t`i përcjellim me trapa nëpër det në Jope e ty të mbetet vetëm t`i shpiesh në Jerusalem.Punimet
- 16 Atëherë Salomoni i regjistroi të gjithë burrat ardhacakë që ishin në tokën e Izraelit, pas numërimit që e bëri babai i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind.
- 17 Prej tyre i caktoi shtatëdhjetë mijë bartës dhe tetëdhjetë mijë guxjerrës në gurore, kurse për kryepunëtorë të tyre i caktoi tri mijë e gjashtëqind vetë.