Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Feja dhe kënga e shenjtë në luftë kundër moabëve
- 1 Pas kësaj bijtë e Moabit, bijtë e Amonit e me ta edhe maonitët, u bashkuan për të luftuar kundër Jozafatit.
- 2 "Erdhën disa lajmëtarë dhe e njoftuan Jozafatin kështu: "Po vjen kundër teje një shumicë e madhe prej vendeve që janë përtej detit: prej Edomit dhe ja, arritën në Asasonta mar, d. t. th. në Engadi".
- 3 Ndërkaq Jozafati i tronditur nga frika, u përqëndrua krejtësisht në lutje Zotit dhe urdhëroi të agjërojë mbarë Juda.
- 4 Të gjithë judenjtë u bashkuan për t`iu lutur Zotit. Erdhën nga të gjitha qytetet për t`iu lutur Zotit.
- 5 Atëherë Jozafati u ngrit në këmbë para tubimit të Judës në Jerusalem, në Shtëpinë e Zotit, para tremes së re
- 6 dhe tha: "O Zot, Hyji i etërve tanë! Ti je Hyji qiellor, ti zotëron me të gjitha mbretëritë e kombeve! Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti! Askush s`mundet të të bëjë ballë ty!
- 7 A s`qe ti, Hyji ynë, ai që i çrrënjosi banorët e këtij vendi para popullit tënd, Izraelit, e ia dhurove farës së Abrahamit, mikut tënd të përhershëm?
- 8 Ata banuan në të dhe në të e ndërtuan në nder të Emrit tënd Shenjtëroren e u lutën:
- 9 `Nëse sulen kundër nesh të këqijat: shpata hakmarrëse, murtaja ose uria, do të qëndrojmë para kësaj Shtëpie, në praninë tënde;sepse Emri yt banon në këtë Shtëpi;dhe në vështirësitë tona do të kërkojmë ndihma prej teje e ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh`!
- 10 Dhe, ja, tani bijtë e Amonit, bijtë e Moabit e malësorët e Seirit, nëpër të cilët nuk i dha leje Izraelit të kalojë, kur po dilte nga Egjipti, por u shmangën prej tyre e nuk i shfarosën
- 11 e ata tani po bëjnë çmos e po mundohen të na dëbojnë prej pronës sate që ti na e dhurove.
- 12 Hyji ynë, vallë a nuk do ta zbatosh mbi ta dënimin tënd? E pra ne nuk kemi aq fuqi sa të mund t`i bëjmë ballë gjithë kësaj morie që po sulet mbi ne; por, pasi nuk dimë se çfarë na duhet të bëjmë, s`na ka mbetur tjetër shpresë përveç se t`i drejtojmë sytë tanë te ti".
- 13 Të gjithë judenjtë me foshnja, gra e fëmijë të vet qëndronin në këmbë para Zotit.
- 14 "Atëherë, mes kuvendit të dheut, shpirti i Zotit e pushtoi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Banajës, të birit të Jehielit, të birit të Matanisë, një levit prej bijve të Asafit.
- 15 "Ky tha: "Më dëgjoni të gjithë, o judenj edhe ju banorë të Jerusalemit dhe ti, mbreti Jozafat! Kështu ju urdhëron Zoti: Mos u trembni as mos ia kini frikën kësaj morie të madhe, s`do të luftoni ju, por Hyji!
- 16 Nesër zbritni kundër tyre! Ata do t`i ngjiten tatëpjetës që quhet Sis. Do t`i gjeni në krye të përroit të thatë, që është përballë shkretëtirës Jeruel.
- 17 S`do të jeni ju ata që do të luftoni; ju vetëm qëndroni në këmbë dhe do ta shihni ndihmën e Zotit mbi ju, o judenj e jerusalemas! Mos u trembni as mos kini frikë! Nesër dilni ballë për ballë kundër tyre dhe Zoti do të jetë me ju"!
- 18 Atëherë Jozofati ra me fytyrë përdhe si dhe të gjithë judenjtë e jerusalemasit ranë me fytyrë përdhe para Zotit dhe e adhuruan.
- 19 "Ndërkaq levitët;bijtë e Kaatit dhe bijtë e Koreut;u ngritën ta lavdëronin Zotin, Hyjin e Izraelit, me zë të lartë.
- 20 Të nesërmen u çuan heret e dolën në shkretëtirën Tekue. Ndërsa po niseshin, mes tyre zuri vend në këmbë Jozafati e tha: "Më dëgjoni judenj e banorë të Jerusalemit! Besoni në Zotin, Hyjin tuaj, e do t`i përballoni, besojuni profetëve të tij dhe gjithçka do t`ju shkojë për së mbari!"
- 21 U këshillua me popullin dhe i caktoi këngëtarët e Zotit që, të veshur me petka të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë për ta lavdëruar Zotin e të thonë me zë të përkueshëm: `Lëvdojeni Zotin, sepse e amshueshme është dashuria e tij`!
- 22 Porsa filluan të këndojnë lavde, Zoti i solli pritat e tyre kundër Amonit, Moabit e malësisë së Seirit, që kishin dalë të luftojnë kundër Judës dhe i goditi.
- 23 Bijtë e Amonit dhe bijtë e Moabit u ngritën kundër banorëve të malësisë së Seirit për t`i zhdukur e shfarosur. Pasi i sosën ata, zunë të sulmojnë dhe të vrasin njëri-tjetrin.
- 24 Kur judenjtë dolën në majë të kodrës nga shihej shkretëtira, panë gjithkund mbarë lëndinën të mbuluar me kufoma dhe se s`kishte mundur asnjë t`i shpëtojë vdekjes.
- 25 Atëherë shkoi Jozafati dhe mbarë populli me të për ta mbledhur prenë. Gjetën me shumicë kafshë, pasuri, petka e enë të çmueshme. Morën aq shumë sa s`mund t`i bartnin të gjitha: aq shumë pre morën sa që u desh t`i bartnin për tri ditë.
- 26 Të katërtën ditë u bashkuan në luginën Barakë. Aty i dhanë lavdi Zotit dhe për këtë arsye atë vend e quajtën Rrafshi i Bekimit deri në ditën e sotme.
- 27 Të gjithë judenjtë e jerusalemasit me Jozafatin në krye u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh, sepse Zoti i kishte kënaqur me fitoren mbi armiqtë
- 28 "dhe hynë në Shtëpinë e Zotit në Jerusalem me harpa, cetra e bori.
- 29 Frika e Zotit përshkoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur morën vesh se Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.
- 30 Mbretëria e Jozafatit gëzoi qetësi e Hyji i tij i dha paqe kudo përreth.
Mbarimi i mbretërimit të Jozafatit - 31 Jozafati mbretëroi mbi Judenë. Ishte tridhjetë e pesë vjeçar kur filloi të mbretëronte. Në Jerusalem mbretëroi njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selakiut.
- 32 "Eci udhës së babait të vet Asës duke mos u shmangur nga ajo e duke bërë vetëm atë që është e drejtë ndër sytë e Zotit.
- 33 Megjithatë nuk qenë hequr lartësirat, sepse populli ende nuk e kishte drejtuar zemrën e vet tek Hyji i etërve të vet.
- 34 Historinë tjetër të Jozafatit, prej fillimit e deri në mbarim, e ke të shkruar në tregimet e Jehuit, birit të Hananiut, që janë shënuar në librat e mbretërve të Izraelit.
- 35 Më vonë Jozafati, mbreti i Judës, lidhi miqësi me Ohozinë, mbretin e Izraelit, veprat e të cilit ishin tejet të këqija.
- 36 U bë pjesëtar me të për të ndërtuar anije që të lundronin në Tarsis. Anijet i punuan në Asiongabër.
- 37 "Eliezeri, biri i Dodisë, nga Maresa, profetizoi kundër Jozafatit e tha: "Pasi lidhe besëlidhje me Ohozinë, Zoti i prishi punët e tua". Anijet iu shpartalluan dhe nuk mundën të shkojnë në Tarsis.