Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Mbretërimi i Ohozisë
- 1 Banorët e Jerusalemit në vend të tij e bënë mbret Ohozinë, djalin e tij më të voglin, sepse të gjithë më të mëdhenjtë i vranë hordhitë që kishin depërtuar në fushim me arabët. Mbret, pra, u bë Ohozia, biri i Joramit, mbretit të Judës.
- 2 Ohozia ishte djalë njëzet e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi vetëm një vit. Nëna e tij quhej Atali. Ishte bija e Amriut.
- 3 Edhe ky e ndoqi udhën e familjes së Akabit. Nëna e tij e shtyu të veprojë keq.
- 4 Kështu, pra, bëri keq para syve të Zotit porsi shtëpia e Akabit, sepse për rrënimin e tij pikërisht këta u bënë këshilltarë të tij pas vdekjes së babait.
- 5 Jetoi sipas këshillave të tyre dhe shkoi në luftë me Joramin, birin e mbretit të Izraelit, kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramot të Galaadit. Sirianët e plagosën Joramin.
- 6 Jorami u kthye në Jezrahel për t`u shëruar nga plagët që i mori në luftimin e sipërpërmendur.
Kështu Ohozia, biri i Joramit, mbret i Judës, zbriti për ta vizituar Joramin, birin e Akabit që lëngonte në Jezrahel. - 7 Në të vërtetë ishte vullneti i Hyjit në dëm të Ohozisë që të shkonte në vizitë tek Jorami dhe, kur qe tek ai, të dilte me të kundër Jehuit, birit të Namsiut, të cilin Zoti e kishte shuguruar mbret për ta shfarosur shtëpinë e Akabit.
- 8 Pra ndërsa Jehui po zbatonte vendimin e gjykatës kundër familjes së Akabit, i gjeti prijësit e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ohozisë duke i shërbyer atij, dhe i vrau.
- 9 E kërkoi edhe vetë Ohozinë dhe e kapën të fshehur në Samari. Kur e sollën tek Jehui, e vrau. E varrosën sepse thanë: është biri i Jozafatit që me gjithë shpirt e ka kërkuar Zotin.
Krimi i Atalisë
Dhe nuk mbeti askush në shtëpinë e Ohozisë që të mund të mbretëronte. - 10 "Atëherë, Atalia, nëna e tij, kur pa se i vdiq i biri, u çua dhe i vrau të gjithë trashëgimtarët mbretërorë të fisit të Judës.
- 11 Porse Jozabeta, bija e mbretit, e mori Joasin, birin e Ohozisë, e vodhi nga mesi i bijve të mbretit ndërkohë që po i vritnin, dhe e fshehi bashkë me nanëshoren e tij në dhomën e fjetjes. Jozabeta që e kishte fshehur atë, ishte bija e Joramit, gruaja e Jojadës, kryepriftit dhe e motra e Ohozisë. Kështu fëmija shpëtoi pa u vrarë nga Atalia.
- 12 Qëndroi, pra, me ta i fshehur në Shtëpinë e Hyjit gjashtë vjet, ndërsa mbretëronte mbi mbarë vendin Atalia.