Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Priftërinjtë kundër Atalisë
- 1 Të shtatin vit Jojada u vendos. Çoi e i thirri urdhërqindësit e ushtrisë: Azarinë, birin e Jerohamit, Ismahelin, birin e Johananit, Azarinë, birin e Obedit, Maasinë, birin e Adajës edhe Elisafatin, birin e Zekriut dhe bëri me ta besëlidhje.
- 2 "Këta e qarkulluan Judenë dhe i bashkuan levitët prej të gjitha qyteteve të Judës dhe prijësit e vëllazërive të Izraelit, dhe erdhën në Jerusalem.
- 3 Mbarë kuvendi i dheut, i mbajtur në Shtëpinë e Hyjit, lidhi besë me mbretin. Jojada u tha: "Ja, biri i mbretit! Le të mbretërojë siç ka thënë Zoti për bijtë e Davidit!
- 4 Dhe, ja, se çfarë duhet të bëni.
- 5 Një e treta e juaj që të shtunën hyni në shërbim edhe priftërinj edhe levitë e derëtarë, le të qëndrojnë në dyer; kurse një e treta pjesë le të qëndrojë në pallatin mbretëror dhe e treta pjesë tjetër në derën që quhet e Themelit, ndërsa mbarë populli tjetër le të qëndrojë në tremet e Shtëpisë së Zotit.
- 6 Askush tjetër të mos hyjë në Shtëpinë e Zotit përveç priftërinjve dhe ata levitë që janë në shërbim: le të hyjnë vetëm ata, sepse ata janë të shuguruar. Mbarë populli tjetër le t`u përmbahet urdhëresave të Zotit.
- 7 Të gjithë levitët, secili me armë në dorë, le të qëndrojnë përreth mbretit. Nëse ndokush tjetër hyn në Tempull, le të vritet. Le t`i rrinë përkrah mbretit ngado që të shkojë".
- 8 Kështu, pra, levitët dhe mbarë Juda bënë ashtu si u urdhëroi kryeprifti Jojada. Secili i mori njerëzit e vet që të shtunën hynin në shërbim bashkë me ata që të shtunën do ta lëshonin shërbimin: sepse kryeprifti Jojadë nuk i la të shkonin ndërresat që për çdo të shtunë e kishin zakon të zëvendësoheshin.
- 9 "Prifti Jojadë, ua dha urdhërqindësve heshtat, shqytat e shqytëzat e mbretit David që ruheshin në Shtëpinë e Hyjit.
- 10 E vendosi mbarë popullin, secilin me armë në dorë, prej pjesës së djathtë të Tempullit deri në pjesën e majtë të Tempullit rreth e rreth mbretit para lterit e Tempullit.
- 11 "Atëherë e nxorrën djalin e mbretit, ia dhanë kurorën dhe dëshminë, dhe e bënë mbret. Atëherë prifti Jojada dhe bijtë e tij e shuguruan dhe pastaj brohoritën: "Rroftë mbreti!".
- 12 Porsa Atalia dëgjoi popullin që vraponte e i brohoriste mbretit, hyri në mes të popullit në Tempullin e Zotit.
- 13 Kur e pa mbretin duke qëndruar në mëkëmbëzën e vet në hyrje, prijësit e borizanët përreth tij e mbarë popullin e vendit duke u gëzuar e duke u rënë borive, dhe këngëtarët me vegla muzikore të ndryshme duke i dhënë shenjë këndimit të këngëve të lavdit, i shqeu petkat e veta e bërtiti: "Tradhti! Tradhti!".
- 14 Atëherë prifti Jojada u urdhëroi urdhërqindësve që ishin në krye të ushtrisë, e u tha: "Nxirreni jashtë hijes së Tempullit! Ai që e përkrah, le të vritet përjashta me shpatë!". Sepse prifti u kishte urdhëruar: "Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit"!
- 15 Ata e kapën. Kur hyri nga dera e Kuajve të pallatit mbretëror, e vranë aty.
Reforma e Jojadës - 16 Jojada bëri besëlidhje ndërmjet vetes, mbarë popullit dhe mbretit se do të jenë popull i Zotit.
- 17 Prandaj mbarë populli shkoi në faltoren e Baalit dhe e rrënuan atë, lterët dhe truporet e idhullit i copëtuan, kurse Matanin, priftin e Baalit, e vranë para lterëve.
- 18 Jojada i caktoi mbikëqyrësit e Shtëpisë së Zotit nën pushtetin e priftërinjve dhe levitëve që Davidi i kishte ndarë përpara në rende për shërbesë në Tempull që të kushtonin flitë e shkumbimit në nder të Zotit, siç shkruan në Ligjin e Moisiut, me hare e këngë sipas vendosjes së Davidit.
- 19 I caktoi gjithashtu edhe derëtarët në dyert e Shtëpisë së Zotit që të mos hynte brenda askush i papastër dhe për asnjë arsye.
- 20 "Atëherë i mori urdhërqindësit e trimat e zgjedhur, prijësit e popullit dhe mbarë vogëlinë dhe e nxorën mbretin nga Shtëpia e Zotit, e kaluan nëpër derën e Sipërme në pallatin mbretëror dhe e vendosën në fronin mbretëror.
- 21 Mbarë populli u gëzua dhe qyteti ra në qetësi. Atalinë e prenë me shpatë.