Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Qëndrimi fetar i Amasisë
- 1 Amasia ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi njëzet e nëntë vjet. Nëna e tij e kishte emrin Joaden. Ishte nga Jerusalemi.
- 2 Ai bëri atë që është e mirë para syve të Zotit, megjithatë jo me zemër të përsosur.
- 3 Kur pa se ishte tashmë i sigurtë në fronin e vet, i vrau shërbëtorët e vet që ia kishin vrarë të jatin, mbretin,
- 4 por nuk i mbyti bijtë e tyre sipas asaj që shkruan në Librin e Ligjit të Moisiut, ku urdhëroi Zoti e tha: "Të mos vriten etërit për faj të fëmijëve, as fëmijët për faj të etërve të tyre, por secili le të vdesë për shkak të fajit të vet".
Lufta kundër Edomit - 5 Amasia i bashkoi të gjithë judenjtë dhe i renditi sipas vëllazërive dhe ua caktoi mijëtarët e urdhërqindësit për mbarë Judenë e Beniaminin. I numëroi prej njëzet vjeç e përpjetë. I dolën treqind mijë të rinj që do të mund të dilnin në luftë, të bartnin heshtë e shqyt.
- 6 Për para i mori me vete edhe njëqind mijë izraelitë, burra të fortë për njëqind talenta argjendi.
- 7 Por një njeri i Hyjit iu paraqit mbretit e i tha: "O mbret, mos të bjerë me ty në luftë ushtria e Izraelit. Ti e di se Zoti nuk është me izraelitët as me bijtë e Efraimit.
- 8 Nëse mendon të luftosh në sajë të fuqisë së ushtrisë, Zoti do të bëjë të mundesh prej armikut: e di se Hyjit i takon e të ndihmojë e të vërë në ikje"!
- 9 Atëherë Amasia iu përgjigj njeriut të Hyjit: "Po si t`i bëhet atëherë me njëqind talenta që ua dhashë ushtarëve izraelitë"? iu përgjigj njeriu i Hyjit: "Ka Zoti nga të jep shumë më shumë se kaq"!
- 10 Atëherë Amasia e ndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai prej Efraimit, që të ktheheshin në vend të vet. Ata, të zemëruar për së tepërmi kundër Judës, u kthyen në vendin e vet.
- 11 Atëherë Amasia, plot guxim, e mori ushtrinë e vet, shkoi në Luginën e Kripave dhe i vrau dhjetë mijë seiras.
- 12 Bijtë e Judës i zunë robër edhe dhjetë mijë të tjerë, i çuan në buzë të një qete të madhe, i plandosën prej buzës në greminë dhe të gjithë u bënë copë më copë.
- 13 "Por ushtria, të cilën Amasia e kishte kthyer prapa të mos shkonte me të në luftë, u ra qyteteve të Judës, prej Samarisë e deri në Betoron, dhe, pasi i vrau tri mijë, rrëmbeu edhe pre të madhe.
- 14 Por Amasia kur u kthye pas fitores mbi idumenj, i mori me vete idhujt e bijve të Seirit, i bëri hyjni të vetat, i adhuronte ata dhe u digjte kem.
- 15 Për këtë arsye zemërimi i Zotit u ndez kundër Amasisë dhe i dërgoi një profet për t`i thënë: "Përse i adhuron zotat që nuk e shpëtuan popullin e vet prej duarve të tua"?
- 16 Ndërsa profeti po i fliste këto fjalë, ai iu përgjigj: "Vallë a të kemi bërë këshilltar të mbretit? Pusho! Se të të vrasin"! Duke u larguar profeti, tha: "E unë e di se Hyji ka caktuar që ti të vritesh, sepse e bëre këtë gjë e tani as që po e merr parasysh këshillën time"!
Lufta kundër Izraelit - 17 Pasi e mbajti një këshillim, Amasia, mbreti i Judës, dërgoi disa njerëz tek Joasi, biri i Joakazit, të birit të Jehuit, mbretit të Izraelit, me këto fjalë: "Eja t`i sprovojmë forcat"!
- 18 Ai e dërgoi lajmëtarin me këtë porosi: "Ferra e gomarit që ka mjaft në Liban, dërgoi shkues te cedri i Libanit për t`i thënë: `Jepja vajzën tënde djalit tim për grua`! Por ja, kafshët e egra që ndodheshin në Liban, duke kaluar, e shqelmuan ferrën e gomarit.
- 19 Të ka shkuar ndër mend: `I shpartallova edomasit!`, prandaj edhe të është rritur mendja e krenohesh. Rri në shtëpinë tënde! Pse ia kërkon të zezën vetes, të sharrosh ti dhe mbarë Juda me ty"?
- 20 Por Amasia nuk deshi të dëgjonte. Ishte vullneti i Zotit që të binte në duar të armiqve pse i nderonte idhujt e Edomit.
- 21 Atëherë erdhi Joasi, mbreti i Izraelit. U ndeshën në luftim ballë për ballë ai dhe Amasia, mbreti i Judës, në Betsames të Judesë.
- 22 Judenjtë u shpartalluan prej izraelitëve dhe secili iku në çadrën e vet.
- 23 Joasi, mbreti i Izraelit, e zuri të gjallë Amasinë, mbretin e Judës, birin e Joasit, të birit të Joakazit, në Betsames dhe e çoi në Jerusalem, ku e rrënoi murin e Jerusalemit prej derës së Efraimit deri në derën e Këndit, katërqind kute.
- 24 E mori krejt arin e argjendin dhe të gjitha enët që i gjeti në Shtëpinë e Hyjit tek Obededomi, visaret e pallatit mbretëror si dhe disa pengje, dhe i çoi në Samari.
Mbarimi i mbretërimit - 25 Amasia, biri i Joasit, mbret i Judesë, jetoi pas vdekjes së Joasit, të birit të Joakazit, mbretit të Izraelit, edhe pesëmbëdhjetë vjet.
- 26 Veprat e tjera të Amasisë, prej fillimit e deri në fund, janë të shkruara në Librin e Mbretërve, të Judës e të Izraelit.
- 27 Amasisë, pas kohës kur e mënjanoi Zotin, i vunë një pusi në Jerusalem. Ky iku në Lakis. Ata dërguan pas tij në Lakis dhe aty i vranë.
- 28 "E mbartën me kuaj dhe e varrosën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.