Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Fillimi i mbretërimit të Ozisë
- 1 Mbarë populli i Judës e bëri mbret në vend të të jatit, Amasisë, Ozinë gjashtëmbëdhjetë vjeçar.
- 2 Ky e rindërtoi Ailatin pasi e ktheu nën sundimin e vet, pas vdekjes së mbretit.
- 3 Ozia kishte gjashtëmbëdhjetë vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi në Jerusalem pesëdhjetë e dy vjet. Emri i nënës së tij ishte Jekelia. Ishte nga Jerusalemi.
- 4 Bëri çfarë ishte e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte vepruar Amasia, i ati.
- 5 Ai e kërkoi Hyjin sa qe gjallë Zakaria i cili e mësoi në frikën e Hyjit. Tërë kohën sa e kërkoi Zotin, Hyji ia dha të mbarën.
Fuqia e tij - 6 Doli t`i luftojë filistinët; i rrënoi muret e Getit, muret e Jabnisë dhe muret e Azotit. Pastaj ndërtoi disa qyteza në krahinën e Azotit dhe të filistinëve.
- 7 Hyji i ndihmoi kundër filistinëve e kundër arabëve, që jetonin në Gurbaal, dhe kundër meunitëve.
- 8 Edhe amonitët i paguanin tatime Ozisë. Emri i tij u përhap deri në hyrje të Egjiptit, sepse ishte bërë shumë i fortë.
- 9 Ozia në Jerusalem ndërtoi kulla përmbi derën e Këndit, përmbi derën e Luginës e në Kënd dhe i fortifikoi.
- 10 Edhe në shkretëtirë ndërtoi kulla e hapi shumë ciste
a, sepse kishte shumë bagëti si në Sefelë ashtu edhe në vërri. Mbante gjithashtu shumë bujq e vreshtarë në male e në rrafshina të pjellore: ishte njeri që i pëlqente bujqësia. - 11 Ozia kishte një ushtri të stërvitur dhe të shkathët që shkonte në luftë në togje, të ndara në njësi sipas numërimit të bërë prej shkruesit Jehiel dhe mbikëqyrësit Masisë. E udhëhiqte Hanania, që ishte një ndër prijësit e mbretit.
- 12 "Numri i të gjithë krerëve të vëllazërive, trima të zgjedhur, ishte dy mijë e gjashtëqind.
- 13 Nën drejtimin e tyre ishte mbarë ushtria, treqind e shtatë mijë e pesëqind luftëtarë të aftë për luftë, të gatshëm të luftojnë për mbretin kundër çdo armiku.
- 14 Për ta, d. m. th. për mbarë ushtrinë, Oziu bëri gati shqyta, heshta, tarogza, mburoja, harqe dhe bahe për të goditur me gurë.
- 15 Në Jerusalem punoi disa makina të sendërtuara me mjeshtri, të cilat i vendosi në pirgje dhe në kënde të mureve për të gjuajtur me shigjeta e me gurë të mëdhenj. Për të u hap zë i madh dhe i shkoi larg, sepse Zoti i ndihmonte jashtëzakonisht dhe e kishte bërë shumë të fortë.
Krenaria dhe ndëshkimi - 16 Por kur u bë i fuqishëm, erdhi e iu rrit mendja për të zezën e vet. I ra në faj Zotit, Hyjit të vet. Hyri në Tempullin e Zotit dhe deshi të digjte kem në lterin e kemimit.
- 17 "Menjëherë hyri pas tij prifti Azaria e me të priftërinjtë e Zotit tetëdhjetë burra të fortë,
- 18 i dolën përballë mbretit e i thanë: "Nuk të takon ty, o Ozi, të djegësh kem në nder të Zotit, por priftërinjve, bijve të Aronit, që janë të shuguruar për këtë shërbesë. Dil nga shenjtërorja, sepse e ke lënë rrugën dhe Zoti Hyj këtë nuk do ta çmojë për nder"!
- 19 Atëherë Ozia u hidhërua dhe, duke e mbajtur kemoren në dorë për të kemuar me kem, iu kërcënua priftërinjve. Por aty për aty i doli gërbula në shteg të ballit në praninë e priftërinjve në Shtëpinë e Zotit mbi lterin e kemimit.
- 20 Kur e pa prifti Azaria dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë gërbulën në ballin e tij, menjëherë e hodhën përjashta; madje edhe ai vetë nxitoi të dalë jashtë, sepse Zoti e kishte goditur me këtë shuplakë.
- 21 Kështu, pra, mbreti Ozia mbeti i gërbulur deri në ditën e vdekjes së vet. Banoi në një shtëpi të ndarë veçmas, i zgjebosur, përherë i përjashtuar nga Shtëpia e Zotit. Kurse shtëpinë e tij e drejtoi Joatami, biri i tij, i cili e udhëhoqi popullin e vendit.
- 22 Historinë tjetër të Ozisë, prej fillimit deri në fund, e shkroi profeti Isaia, biri i Amosit.
- 23 Edhe Ozia pushoi me të parët e vet dhe e varrosën në arën e varrezave mbretërore, sepse thoshin: `Ka qenë i gërbulur`. Në vend të tij u bë mbret Joatami, i biri.