Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Pastrimi i Tempullit
- 1 Ezekia u bë mbret në moshën njëzet e pesë vjeçare. Mbretëroi në Jerusalem njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Abi. Ishte bija e Zakarisë.
- 2 Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, siç kishte vepruar Davidi, stërgjyshi i tij.
Pastrimi i Tempullit - 3 Në muajin e parë, të vitit të parë të mbretërimit të vet, Ezekia i hapi dyert e Shtëpisë së Zotit dhe i ndreqi ato.
- 4 I thirri priftërinjtë e levitët, i bashkoi në sheshin e lindjes
- 5 dhe u tha: "Më dëgjoni, levitë! Më parë shenjtërohuni ju e pastaj pastrojeni Shtëpinë e Zotit, Hyjit të etërve tuaj! Mënjanoni nga Shenjtërorja çdo papastërti.
- 6 Etërit tanë mëkatuan e bën të keqen në sytë e Zotit, Hyjit tonë. E lanë atë. E kthyen fytyrën në anën tjetër, ia kthyen shpinën dhe shkuan larg shtëpisë së Zotit.
- 7 Për më tepër i mbyllën dyert që ishin në treme, i fikën dritëzat, nuk dogjën kem dhe nuk kushtuan fli të shkrumbimit në Shenjtëroren e Hyjit të Izraelit.
- 8 Këndej edhe u ndez flakë hidhërimi i Zotit kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie e loje, siç po shihni me sytë tuaj.
- 9 Dhe, ja, etërit tanë ranë rrah prej shpatës; bijtë tanë, bijat tona e gratë qenë humbur në robëri për shkak të këtij mëkati.
- 10 Tani kam vendosur në zemrën time të lidh besëlidhje me Zotin, Hyjin e Izraelit, që ta largojë prej nesh zemërimin e hidhërimit të vet.
- 11 Bijtë e mi, mos jini të pakujdesshëm, sepse ju ka zgjedhur Zoti të qëndroni para tij, t`i shërbeni, ta adhuroni e t`i digjni kem".
- 12 Atëherë u çuan levitët: Mahati, biri i Amasait e Joeli, biri i Azarisë, prej Kaatajve; kurse prej bijve të Merariut Cisi, biri i Abdiut e Azaria, biri i Jalelelit; prej bijve të Gersonit Joahi, biri i Zemës e Edeni, biri i Joahit;
- 13 kurse prej bijve të Elisafanit Samriu e Jahieli; ndërsa prej bijve të Asafit, Zakaria e Matania;
- 14 e prej bijve të Hemanit, Jahieli e Semeji, po edhe prej bijve të Iditunit, Semeja e Ozieli.
- 15 "I bashkuan vëllezërit e vet, u shenjtëruan dhe hynë sipas urdhrit të mbretit e të Zotit për ta shpërblyer Shtëpinë e Hyjit.
- 16 Hynë gjithashtu edhe priftërinjtë në Tempullin e Hyjit për ta pastruar atë, e larguan çdo papastërti që gjetën brenda në anije dhe e nxorrën jashta në oborr. Atëherë levitët i morën dhe i nxorrën përjashta në përroin Cedron.
- 17 Filluan të shenjtërojnë ditën e parë të muajit të parë dhe të tetën ditë të të njëjtit muaj, hynë në tremen e Tempullit të Zotit dhe e shenjtëruan Tempullin e Zotit gjatë tetë ditëve, kështu që të gjashtëmbëdhjetën ditë të të njëjtit muaj, e kryen.
Flia e pendimit - 18 Atëherë hynë te mbreti Ezeki e i thanë: "E kemi pastruar mbarë Shtëpinë e Zotit: lterin e flive të shkrumbimit, të gjitha enët e tija, tryezën e bukëve të kushtimit dhe enët e saja,
- 19 i kthyem të gjitha orenditë e tempullit që i kishte larguar mbreti Akaz gjatë mbretërimit dhe të pabesnikërisë së tij, dhe i shenjtëruam të gjitha. Ja, të gjitha i kemi vënë përbri lterit të Zotit".
- 20 Mbreti Ezeki u ngrit herët në mëngjes, i bashkoi të parët e qytetit dhe shkoi në Shtëpinë e Zotit.
- 21 Sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjepër si fli për mëkatet e mbretërisë, për Shenjtëroren dhe për Judën. Atëherë u urdhëroi priftërinjve, bijve të Aronit, t`i kushtojnë përmbi lter të Zotit.
- 22 I prenë mëzetërit dhe priftërinjtë e morën gjakun dhe e zbrazën mbi lter. I prenë edhe deshtë dhe gjakun e tyre e derdhën mbi lter; i prenë edhe qengjat dhe gjakun e tyre e zbrazën mbi lter.
- 23 "I afruan cjeptë e caktuar për fli për mëkat para mbretit dhe para bashkësisë dhe i vunë duart mbi ta,
- 24 priftërinjtë i flijuan ata dhe gjakun e tyre e spërkatën mbi lter për shpërblim të mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte dhënë urdhër të bëhej fli shkrumbimi dhe fli për mëkat e mbarë Izraelit.
- 25 Mbreti i caktoi levitët në Shtëpinë e Zotit me cimbale, harpa e cetra sipas rregullores së Davidit, të vegimtarit të mbretit, Gadit, dhe të profetit Natan, sepse urdhëri erdhi prej Zotit me anë të profetëve.
- 26 Qëndruan pra, në këmbë levitët me veglat muzikore të Davidit dhe priftërinjtë me bori.
- 27 Ezekia urdhëroi të kushtohej flia e shkrumbimit mbi lter. Ndërkohë që po flijohej flia e shkrumbimit, ia filluan t`i këndonin lavde Zotit, t`u bien borive dhe t`i përcillnin me vegla të ndryshme muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit.
- 28 "Mbarë populli adhuronte, këngëtarët dhe ata që mbanin boritë vazhdonin shërbesën e vet ndërkohë që flijohej deri që u krye flia e shkrumbimit.
- 29 Kur mori fund kushtimi, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, ranë me faqe përdhe dhe adhuruan.
- 30 Mbreti dhe prijësit u urdhëruan levitëve t`i këndojnë Zotit lavde me fjalë të Davidit dhe të Asafit vegimtar. E lavdëruan me hare të patregueshme, u gjunjëzuan dhe adhuruan.
- 31 Atëherë Ezekia shtoi edhe këtë: "Tani, pasi i keni shuguruar duart tuaja për t`i shërbyer Hyjit, afrohuni e kushtoni theroret e flitë e falenderimit në Shtëpinë e Zotit". Sepse mbarë bashkësia kishte sjellë kushte e fli falenderimi. Kushdo, që i mbastonte zemra, kushtonte fli shkrumbimi.
- 32 Numri i flive të shkrumbimit, që i kishte sjellë bashkësia, kishte: shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh, dyqind qingja; të gjitha këto fli shkrumbimi në nder të Zotit.
- 33 U shuguruan si kusht gjashtëqind bagëti të trasha e tri mijë bagëti të imëta.
- 34 "Meqenëse priftërinj ishin pak dhe nuk mund t`ia dilnin t`i rripnin kafshët për fli shkrumbimi, këndej u ndihmuan edhe levitët, vëllezërit e tyre, deri që nuk u krye puna e nuk u shenjtëruan priftërinjtë e tjerë, sepse levitët kanë qenë më të zellshëm se priftërinjtë për t`u shenjtëruar.
- 35 E pati shumë fli shkrumbimi, dhjamë të flive pajtimore si dhe njomje që u përkasin flive të shkrumbimit.
Kështu u rikthye shërbesa hyjnore e Shtëpisë së Zotit. - 36 Prandaj u gëzua Ezekia dhe mbarë populli që Zoti e bëri këtë gjë për popull, sepse të gjitha këto u bënë papritmas.