Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Pushtimi i Senakeribit
- 1 Pas këtyre ngjarjeve dhe pas dëshmisë së një besnikërie të tillë, erdhi Senakeribi, mbreti i asirëve, hyri në Judë dhe i rrethoi qytetet e fortifikuara për t`i pushtuar.
- 2 Kur Ezekia e pa se Senakeribi kishte ardhur dhe se gjithë fuqinë e rrëmbyeshme të luftës e kishte drejtuar kundër Jerusalemit,
- 3 u këshillua me parinë dhe me trimat e zgjedhur për t`i mbyllur grykat e burimeve që ishin jashtë qytetit. Pasi e pa mendimin e të gjithëve,
- 4 u bashkua një shumicë e madhe njerëzish dhe i mbyllën të gjitha burimet edhe përroin që rrjedh përmes vendit. Thonin: "Pse mbretërit e Asirisë ta gjejnë gjithë këtë ujë kur të vijnë"?!
- 5 Ndreqi gjithashtu, duke punuar me kujdes, çdo mur ku kishte qenë rrënuar, përmbi të punoi pirgje dhe përjashta ndërtoi edhe një mur. E rindërtoi Melon në Qytetin e Davidit dhe punoi shumë shigjeta e shqyte.
- 6 Emëroi prijës lufte përmbi popull, i thirri në sheshin e derës së qytetit dhe u mbajti një fjalim për t`u dhënë zemër. U tha:
- 7 "Jini trima e kini guxim! Mos u trembni as mos e druani mbretin e Asirisë as të tërë atë mori që është me të! Me ne janë shumë më tepër se me të:
- 8 me të është krahu i mishtë, kurse me ne është Zoti, Hyji ynë, i cili është ndihmësi ynë dhe ai lufton në vendin tonë"! Këto fjalë të Ezekisë, mbretit të Judë, i dhanë zemër e guxim popullit.
Fjalët e patenëzona të Senakeribit - 9 Pas të gjitha këtyre, Senakeribi, mbreti i Asirisë, që e mbante të rrethuar Lakisin me të gjitha forcat e ushtrisë, dërgoi lajmëtarët e vet tek Ezekia, mbreti i Judës, dhe te mbarë populli që ishte në qytet, me këto fjalë:
- 10 "Kështu thotë Senakeribi, mbreti i asirëve: Në çka e keni mbështetur shpresën që po rrini të rrethuar në Jerusalem?
- 11 Vallë a nuk ju gënjen Ezekia për t`ju bërë të vdisni nga uria dhe etja, i cili ju siguron se Zoti, Hyji juaj, do t`ju shpëtojë nga dora e mbretit të Asirisë?
- 12 "Pse a nuk është Ezekia ai që i mënjanoi lartësirat e tija dhe lterët dhe u urdhëroi judenjve e jerusalemasve: `Adhuroni para një lteri të vetëm dhe vetëm në të digjni flitë`.
- 13 "Pse a nuk e dini se çfarë u kam bërë unë dhe etërit e mi të gjithë popujve të tokës? Vallë a qenë të zotët zotat e popujve të dheut ta shpëtojnë vendin e tyre nga dora ime?
- 14 Cili zot i këtyre popujve të dheut, të zhdukur nga dora e të parëve të mi, do të mund ta shpëtonte popullin e vet prej dorës sime, që të mundet edhe Hyji juaj t`ju nxjerrë ju nga thonjtë e mi?
- 15 Prandaj, mos t`ju gënjejë Ezekia, dhe të mos ju mashtrojë me shpresë të kotë, dhe mos i besoni! Sepse, në qoftë se asnjë zot i të gjithë popujve dhe i të gjitha mbretërive nuk mundi ta shpëtojë popullin e vet prej duarve të mia e të etërve të mi, aq më pak Hyji juaj do të mund t`ju shpëtojë nga dora ime"!
- 16 Folën shërbëtorët e tij edhe shumë fjalë të tjera kundër Zotit Hyj e kundër Ezekisë, shërbëtorit të tij.
- 17 Shkroi gjithashtu edhe letra plot hyjshmi kundër Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe thoshte kundër tij: "Sikurse as hyjnitë e popujve të dheut nuk mundën t`i shpëtojnë popujt e vet prej dorës sime, kështu as Hyji i Ezekisë nuk do të mundet ta shpëtojë popullin e vet nga kjo dorë".
- 18 Të dërguarit bërtitën me zë të lartë hebraisht dhe iu drejtuan popullit të Jerusalemit që po rrinte në mur, me qëllim që t`i trembnin e t`i mbrapshtonin për ta pushtuar qytetin.
- 19 "Senakeribi foli kundër Hyjit të Jerusalemit si për hyjnitë e popujve paganë që s`janë tjetër përveçse vepër e dorës së njeriut.
Suksesi i lutjes së Ezekisë - 20 Në këtë gjendje mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, biri i Amosit, u lutën kundër kësaj blasfemie dhe e thirrën në ndihmë Qiellin.
- 21 "Atëherë Zoti dërgoi një engjëll i cili e vrau çdo trim të fortë luftëtar dhe secilin prijës në fushimin e mbretit të asirëve. Senakeribi u kthye i turpëruar në vendin e vet. Kur hyri në shtëpinë e zotit të vet, të bijtë, ata që kishin dalë prej ijës së tij, e vranë aty me shpatë.
- 22 Kështu Zoti e shpëtoi Ezekinë dhe banorët e Jerusalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të asirëve dhe nga dora e të gjithë armiqve, dhe u dhuroi paqe gjithkund përreth.
- 23 Atëherë shumë vetë sillnin dhurata në nder të Zotit në Jerusalem. I sillnin edhe Ezekisë, mbretit të Judës, gjëra të çmueshme, sepse pas këtyre ngjarjeve erdhi e u lartësua shumë në sy të të gjithë popujve.
- 24 Po në këtë kohë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit. Zoti e dëgjoi dhe bëri për të një mrekulli.
- 25 Por Ezekia nuk i shpërbleu bamirësitë që mori, sepse erdhi e iu rrit mendja dhe zemërimi rëndoi mbi të, mbi Judën dhe mbi Jerusalemin.
- 26 Ezekia më vonë u përvujtërua vërtet për shkak të mendjes së madhe, u pendua ai dhe banorët e Jerusalemit, dhe kjo qe arsyeja që, gjatë jetës së Ezekisë, nuk u zbraz hidhërimi i Zotit mbi ta.
- 27 Ezekia qe shumë i pasur dhe i nderuar; ndërtoi thesarë për argjend e për ar, për gurë të çmueshëm, për erëra të mira, për shqyte dhe për lloj-lloj gjërash të çmueshme.
- 28 Punoi gjithashtu depo për drithëra, verë e vaj, stalla për çdo lloj bagëtie dhe vatha për grigjat.
- 29 "Ndërtoi edhe qytete për vete. Kishte tufa të panumërta bagëtish të imëta e të trasha, sepse Zoti i kishte dhuruar pasuri të madhe pa masë.
Fundi i mbretërimit dhe vdekja - 30 Ezekia e mbylli burimin e sipërm të ujërave të Gihonit dhe i kaloi ato teposhtes në anën e perëndimit të Qytetit të Davidit. Ezekisë të gjitha punët i shkonin mbarë.
- 31 Por kur erdhën të dërguarit e prijësve të Babilonit, tek ai për t`u njoftuar me mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Hyji hoqi dorë prej tij, kështu që ra në tundim dhe i zbuloi të gjitha që ishin në zemrën e tij.
- 32 Pjesa tjetër e historisë së Ezekisë, dhe veprat e dashurisë së tij janë të shkruara në vegimet e profetit Isai, birit të Amosit dhe në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit.
- 33 "Ezekia pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në tatëpjetën kur shkohet në varrezat e bijve të Davidit. Mbarë Juda dhe Jerusalemi i kremtoi salikimet e tija. Në vend të tij u bë mbret i biri i tij Manaseu.