Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Manaseu e shkatërron veprën e Ezekisë
- 1 Manaseu kishte dymbëdhjetë vjet kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi pesëdhjetë e pesë vjet.
- 2 Ai bëri atë që është e keqe para Zotit, sipas poshtërsive të paganëve, të cilët Zoti i dëboi para bijve të Izraelit.
- 3 Ai i rindërtoi lartësirat e rrënuara prej të atit, Ezekisë, ndërtoi edhe lterë për Baalët, punoi banirë, nderoi dhe i adhuroi ushtritë qiellore.
- 4 Ai madje ndërtoi edhe lterë në Shtëpinë e Zotit, për të cilën kishte thënë Zoti: Në Jerusalem do të banojë përgjithmonë Emri im.
- 5 I ndërtoi lterët në nder të mbarë ushtrisë qiellore në dy tremet e Shtëpisë së Zotit.
- 6 Ai i kaloi fëmijët e vet nëpër zjarr në luginën e birit të Enomit. Ushtroi magjinë, shortinë, përdorte mjeshtritë magjike, mbante në oborr shpirtpyetës e rropullikëqyrës dhe bëri shumë të këqija të tjera para syve të Zotit, për ta ngacmuar atë.
- 7 E punoi dhe e vendosi një trupore idhulli në Shtëpinë e Hyjit, për të cilën Zoti i ka thënë Davidit e Salomonit, birit të tij: Në këtë Shtëpi dhe në Jerusalem, të cilin e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, do ta vendos Emrin tim përgjithmonë.
- 8 Nuk do të bëj që Izraeli ta luajë këmbën prej tokës që ua kam dhuruar etërve të tyre, por me kusht që t`i ruajnë urdhërimet që ua kam dhënë, tërë Ligjin, urdhrat dhe rregulloret me anë të Moisiut.
- 9 Kështu Manaseu e mashtroi Judën dhe banorët e Jerusalemit të bëjnë të këqija më tepër se të gjitha kombet, të cilët Zoti i kishte zhdukur para fytyrës së bijve të Izraelit.
- 10 Zoti i foli atij dhe popullit të tij, por ata nuk deshën ta dëgjojnë.Burgimi dhe kthimi
- 11 Për këtë arsye Zoti kundër tyre i dërgoi prijësit e ushtrisë së mbretit të asirëve. Ata e zunë dhe e lidhën Manaseun në pranga dhe të lidhur me zinxhirë e çuan në Babilon.
- 12 Ky pasi ra ngusht, iu lut Zotit, Hyjit të vet, dhe u pendua plot përvujtëri para Hyjit të etërve të vet. u
- 13 U lut dhe Zoti pati dhimbje për të, ia dëgjoi lutjen dhe e ktheu në Jerusalem në mbretërinë e vet. Atëherë Manaseu e mori vesh se Zoti është Hyj i vërtetë.
- 14 Pas kësaj ai e ndërtoi murin e jashtëm të Qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, nga lugina deri te Dera e Peshqve dhe e rrethoi me mure edhe Ofelin. Murin e bëri shumë të lartë. Në çdo fortesë të qyteteve të Judës Manaseu e caktoi prijësin ushtarak.
- 15 I mënjanoi zotat e huaj dhe idhullin nga Shtëpia e Zotit, po ashtu edhe lterët që i kishte ndërtuar në Malin e Shtëpisë së Zotit e në Jerusalem dhe i humbi të gjithë jashtë qytetit.
- 16 Pastaj e rindërtoi lterin e Zotit dhe mbi të i flijoi flitë e pajtimit e të falenderimit dhe i urdhëroi Judesë t`i shërbejë Zotit, Hyjit të Izraelit.
- 17 Megjithatë populli edhe më tej vazhdoi të flijonte mbi lartësira, por tani vetëm Zotit, Hyjit të vet.
- 18 Pjesa tjetër e historisë së Manaseut, lutja e tij drejtuar Hyjit të vet, si dhe fjalët e vegimtarëve që flisnin me të në emër të Zotit, Hyjit të Izraelit, gjenden në Historinë e Mbretërve të Izraelit.
- 19 Lutja e tij si dhe vështrimi i uratës së tij, të gjitha mëkatet e tija si dhe përbuzja, vendet në të cilat ndërtoi lartësira, ku bëri banirë e trupore, para se të kthehej, janë të shkruara në Historinë e Hozait.
- 20 Edhe Manaseu fjeti me etërit e vet. E varrosën në oborrin e shtëpisë së tij. Në vend të tij u bë mbret i biri, Amoni.Kokëfortësia e Amonit
- 21 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem dy vjet.
- 22 Bëri të keqen në praninë e Zotit, ashtu si kishte bërë edhe Manaseu, i ati, dhe u flijoi e u shërbeu të gjithë idhujve që i kishte punuar Manaseu.
- 23 Dhe nuk e përvujtëroi vetveten para Zotit, siç ishte përulur Manaseu, ati i tij, madje Amoni bëri edhe shumë të këqija më të mëdha.
- 24 Oborrtarët e tij u përbetuan kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e tij,
- 25 por populli i vendit, i vrau të gjithë ata që ishin përbetuar kundër mbretit Amon dhe, në vend të tij, e bënë mbret të birin, Josinë.