Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Tempullit në Shenjtëroren e shenjtëroreve
- 1 E punoi edhe lterin e bronztë të gjatë njëzet kute, të gjerë njëzet kute e të lartë dhjetë kute.
- 2 E punoi edhe Detin në metal të derdhur, prej buze e në buzë dhjetë kute, të rrumbullakët rreth e rreth. Ishte i lartë pesë kute dhe duhej një pe tridhjetë kutesh për ta pushtuar përreth.
- 3 Nën të ishin gjithreth e rreth përfytyrime demash, dhjetë për çdo kut, të renditur në dy rreshta, të derdhur në një derdhje me Detin.
- 4 Deti shtrihej mbi dymbëdhjetë dema. Prej tyre tre shikonin kah veriu, tre të tjerët në perëndim, tre të tjerë në jug, kurse tre të tjerët në drejtim të lindjes. Deti qëndronte mbi ta. Vithet e qeve ishin përbrenda, nën Detin.
- 5 Trashësia e tij ishte një pëllëmbë, buza e tij, si buza e gotës, e zambakut të çelur. Zinte tri mijë batë.
- 6 Punoi gjithashtu edhe dhjetë legena dhe i vendosi pesë në të djathtë e pesë në të majtë, që të lanin gjithçka që do të kushtohej për fli shkrumbimi. Në Det laheshin priftërinjtë.
- 7 Punoi edhe qirimbartës të artë, sipas gjedhes që ishte urdhëruar të bëheshin dhe i vendosi në Tempull pesë në të djathtë e pesë në të majtë.
- 8 Po ashtu edhe dhjetë tryeza dhe i vendosi në Tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë. Punoi gjithashtu edhe njëqind kupa të arta.
- 9 Punoi edhe tremen e priftërinjve, tremen e madhe dhe dyert në treme, të cilat i veshi me bronz.
- 10 Detin e vendosi në krahun e djathtë, në juglindje.
- 11 Hirami punoi kusi, lugica e kupa dhe e kreu mbarë punën e ngarkuar prej mbretit Salomon për Shtëpinë e Hyjit:
- 12 d. t. th. dy shtyllat, dy mëkrenëzat dhe kapitelet në majë të shtyllave, dy gërshetat që mbulonin mëkrenëzat e shtyllave;
- 13 katërqind shega për të dy gërshetat; dy rendesh ishin të vendosura shegat dhe lidheshin me çdo gërshet për t`i mbrojtur mëkrenëzat e kapitelëve të shtyllave.
- 14 Punoi edhe dhjetë baza e legena, të cilët i vuri mbi baza;
- 15 një Det dhe nën Det dymbëdhjetë dema;
- 16 enë për hi, lopata e pirunj: të gjitha enët për Shtëpinë e Zotit ia punoi mbretit Salomon, mjeshtri i Salomonit, Hirami prej bronzit të pastër.
- 17 "Mbreti caktoi të shkrihen në krahinën e Jordanit, në tokë argjile, ndërmjet Sukotit e Saredatës.
- 18 Salomoni punoi një shumë të madhe enësh të panumërta aq sa nuk dihej pesha e bronzit.
- 19 Salomoni i punoi të gjitha orenditë e caktuara për Shtëpinë e Hyjit: lterin e bronztë, tryezat dhe mbi to i vuri bukët e kushtimit.
- 20 "Punoi gjithashtu edhe shandanat dhe dritëzat e tyre që të bëjnë dritë pranë Dabirit, sipas kërkesës së ritit, prej arit të kulluar.
- 21 Punoi gjithashtu edhe boçat dhe dritëzat e gërshërët e arta: të gjitha u punuan me ar të kulluar.
- 22 "Gjithashtu edhe thikëzat, kupat e stërpikjes, kupëzat dhe kemoret prej arit të kulluar. Edhe dyert e brendshme të Tempullit në Shenjtëroren e shenjtëroreve, si dhe dyert e jashtme të Tempullit, u punuan prej ari.