Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Bartja e Arkës
- 1 Kështu u kryen punimet që Salomoni i bëri për Shtëpinë e Zotit. Salomoni i futi në thesarin e Shtëpisë së Hyjit gjithçka kishte kushtuar i ati i tij Davidi: argjend, ar dhe të gjitha enët.Bartja e Arkës
- 2 Pastaj Salomoni e bashkoi në Jerusalem të gjithë parinë e Izraelit, mbarë prijësit e fiseve dhe krerët e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta kaluar Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej Qytetit të Davidit, d. t. th. prej Sionit.
- 3 Të gjithë burrat e Izraelit u mblodhën te mbreti ditën e festës të muajit të shtatë.
- 4 Kur u bashkuan të gjithë krerët e Izraelit, levitët e bartën Arkën
- 5 dhe e sollën atë dhe Tendën e Takimit me të gjitha pjesët përkatëse të Tendës. Të gjitha enët e Shenjtërores që ishin në Tendë i mbartën priftërinjtë levitë.
- 6 Kurse mbreti Salomon dhe mbarë bashkësia e Izraelit: të gjithë ata që ishin bashkuar tek ai para Arkës, flijonin dele e lopë të panumërta: kaq i madh ishte numri i flive.
- 7 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj, në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtërve nën krahët e kerubinëve.
- 8 Kerubinët i kishin krahët e shtrirë përmbi vendin, në të cilin ishte vendosur Arka dhe e mbulonin përsipër Arkën dhe shtatkat e saja.
- 9 Majët e shtatkave, me të cilat bartej Arka, ngaqë ishin pak më të gjata, shiheshin brenda në Dabir, por ai që ishte përjashta, nuk mund t`i shihte. Kështu, pra, Arka qëndron aty deri në ditën e sotme.
- 10 Brenda në Arkë nuk mbahej asgjë tjetër përveç dy rrasave që i vendosi Moisiu në Horeb, kur Zoti bëri Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej Egjiptit.Hyji e bën pronë të veten Tempullin
- 11 Tani, posa dolën priftërinjtë jashtë Shenjtërores;sepse të gjithë priftërinjtë që u gjetën aty ishin shenjtëruar pa marrë parasysh rendin dhe ndërresën e shërbesave
- 12 ndërkaq edhe të gjithë levitët këngëtarë, të gjithë që ishin nën drejtimin e Asafit, të Emanit e të Iditunit, bijtë e vëllezërit e tyre, të veshur me pëlhurë liri, me cimbale, psalterë e me cetra, qëndronin në këmbë në krahun e lindjes së lterit e, së bashku me ta, edhe njëqind e njëzet priftërinjë që u binin borive
- 13 kështu, pra, ndërsa të gjithë së bashku e me bori e me zë e me cimbale e me vegla të ndryshme muzikore, duke u rënë e duke e lartësuar njëherësh zërin, ia filluan me një zë ta lavdërojnë Zotin e thanë: Lëvdojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij, Shtëpia e Hyjit u mbush me re,
- 14 dhe priftërinjtë për shkak të resë nuk mundën ta vijonin shërbesën: Lavdia e Zotit e mbushi Shtëpinë e Hyjit!