Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Vdekja e Salomonit
- 1 Po edhe mbretëresha e Sabës, kur dëgjoi për zërin e madh të Salomonit, erdhi për ta sprovuar atë me anë të gjëegjëzave. Erdhi në Jerusalem me një përcjellje të madhe e me gamile të ngarkuara me erëra të mira, me ar të shumtë e me gurë të paçmueshëm. Kur arriti te Salomoni, foli me të për gjithçka kishte në zemër të vet.
- 2 "Salomoni i shtjelloi gjithçka që ajo ia kishte parashtruar dhe s`i mbeti asgjë që ai nuk ia sqaroi.
- 3 E kjo, pasi pa, d. m. th. urtësinë e Salomonit, shtëpinë që kishte ndërtuar,
- 4 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve dhe shërbimin e mëkëmbësve të tij, veshjet e tyre, kuptarët dhe petkat e tyre, flitë që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, prej habisë, mbeti fare pa frymë!
- 5 Atëherë i tha mbretit: "Paska qenë e vërtetë fjala që kam dëgjuar në dheun tim për pasurinë dhe urtësinë tënde:
- 6 unë nuk u besoja fjalëve që thuheshin deri që erdha vetë e pashë me sytë e mi e po shoh se më paska qenë treguar a po a jo gjysma e urtësisë sate: ia tejkalove zërit të madh që kam dëgjuar!
- 7 Lum trimat e tu e lum shërbëtorët e tu që të rrinë pranë tërë kohën dhe e dëgjojnë urtësinë tënde!
- 8 "Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i pëlqeu të të caktojë ty mbi fronin e vet për mbret në emër të Zotit, Hyjit tënd! Pse Hyji yt e do Izraelin e pse do ta ruajë për amshim, për këtë arsye edhe të vuri ty mbret mbi të për ta ushtruar të drejtën dhe drejtësinë".
- 9 Atëherë ajo i dha mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë shumë dhe gurë të paçmueshëm. Kurrë më nuk pat aq erëra të mira si ato që mbretëresha e Sabës ia dhuroi mbretit Salomon!
- 10 Po ashtu edhe shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit i sollën ar prej Ofirit dhe dru sandali e gurë të çmueshëm.
- 11 Prej lëndës së sandalit mbreti i punoi shkallët në Shtëpinë e Zotit dhe në pallatin mbretëror si edhe cetra e harpa për këngëtarë. Kurrë nuk ishte parë lëndë e tillë në dheun e Judës!
- 12 Po ashtu edhe mbreti Salomon i dhuroi mbretëreshës së Sabës gjithçka dëshiroi dhe kërkoi, madje shumë më shumë se sa i kishte sjellë atij. Atëherë ajo u kthye me shërbëtorët e vet në vendin e vet.
- 13 Pesha e arit që i sillej Salomonit për çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
- 14 pa marrë parasysh sasinë që i vinte nga tregtarët dhe shitësit si tatim dhe sasinë e të gjithë mbretërve të Arabisë e të prijësve të vendit, të cilët i sillnin Salomonit ar e argjend.
- 15 Mbreti Salomon punoi dyqind mburoja ari: për secilën u përdor pesha e gjashtëqind siklave të artë.
- 16 Punoi gjithashtu edhe treqind mburojëza të arta: për secilën mburojëz shpenzoi nga treqind sikla të artë. Këto mbreti i vendosi në pallatin që quhet Pylli i Libanit.
- 17 Gjithashtu mbreti e punoi një fron të fildishtë të madh dhe e veshi me ar të kulluar.
- 18 I punoi edhe gjashtë shkallë, nëpër të cilat hipej në fron, mëkëmbëzën e artë dhe në të dy anët nga një bërrylëz si dhe dy luanë në këmbë afër bërrylzave.
- 19 "Gjithashtu edhe dymbëdhjetë luanë të tjerë të vegjël në këmbë përmbi shkallë në të dy anët: një fron i tillë nuk qe në asnjë mbretëri!
- 20 Të gjitha enët e tryezës së mbretit ishin të arta si dhe enët e pallatit të Pyllit të Libanit ishin prej arit të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi nuk çmohej si i vlershëm.
- 21 E njëmend anijet e mbretit shkonin me shërbëtorët e Hiramit në Tarsis dhe njëherë në tri vjet anijet ktheheshin prej Tarsisit të ngarkuar me ar, me argjend, me fildish, me majmunë e me pallonj.
- 22 Mbreti Salomon i tejkaloi të gjithë mbretërit e botës me pasuri e me urtësi.
- 23 Të gjithë mbretërit e botës dëshironin ta shihnin Salomonin për t`ia dëgjuar urtinë që ia kishte dhuruar Hyji zemrës së tij.
- 24 Vit për vit i dhuronin enë të argjendta e të arta, petka, armë e erëra të mira, kuaj e mushka.
- 25 Salomoni kishte katër mijë stalla kuajsh, kurse kuaj e kalorës dymbëdhjetë mijë. Ato i vendosi në qytete karrocash lufte si dhe në Jerusalem, ku qëndronte mbreti.
- 26 Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit prej lumit Eufrat deri në tokën e filistinëve e deri në kufinj të Egjiptit.
- 27 Në Jerusalem solli një sasi të madhe argjendi thua se gurë, një sasi lënde cedri si manat që rriten në Sefelë.
- 28 Tek ai sillnin kuaj prej Egjiptit e prej çdo krahine.
Vdekja e Salomonit - 29 Veprat e tjera të Salomonit, të parat e të mëpasmet, janë të shkruara në historinë e profetit Natan si dhe në Librin e profecisë së Ahisë nga Siloja si edhe në vëgimin e Ados, vegimtarit të Roboamit, birit të Nabatit.
- 30 Salomoni mbretëroi në Jerusalem mbi mbarë Izraelin dyzet vjet
- 31 e pastaj pushoi me etërit e vet. E varrosën në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Roboami, i biri.