Beselidhja e VjeterEster: Ka vdekur biri im!
- 1 "Ndërkaq Tobiti vazhdimisht i numëronte ditët që lypeshin për të shkuar e për t`u kthyer djali i tij. E pasi u kryen ditët e i biri nuk erdhi,
- 2 mendoi me vete: "Vallë, a do të jetë ndalur atje më gjatë? A mos do të ketë vdekur Gabaeli dhe s`ka kush t`ia kthejë paratë?"
- 3 E filloi të bjerë në mendime.
- 4 Po edhe gruaja e tij Ana thoshte: "Ka mbaruar im bir e më nuk është ndër të gjallët! Pse, pra, po vonon?" Dhe qante dhe e vajtonte të birin. Thoshte:
- 5 "E mjera unë, biri im, që të lashë të shkosh, drita e syve të mi!"
- 6 Tobiti i jepte zemër: "Mos, mos ndill zi, motër! Shëndosh e mirë është djali ynë, por patjetër do t`i jetë dashur të ndalet atje. Po pastaj edhe njeriu që është me të, është njeri besnik dhe prej vëllezërve tanë! Mos u dëshpro për këtë punë, o motër, s`do të vonojë e do të vijë!"
- 7 Por ajo i tha: "Mos më fol më! Pse don të më gënjesh? Ka vdekur biri im!" Dhe çdo ditë dilte e kundronte rrugën kah kishte shkuar i biri dhe s`shtinte gjë në gojë. Kur perëndonte dielli, hynte brenda e vajtonte gjithë natën dhe nuk flinte.
Kur u kryen katërmbëdhjetë ditët e dasmës që Ragueli ishte përbetuar t`i bënte për nder të vajzës së vet, Tobia u çua e i tha Raguelit: "Tani më lejo të nisem, sepse e di mirë se im atë e ime nënë nuk besojnë se do të më shohin më. Tani, pra, po të lutem, o atë, më lejo të nisem e të shkoj tek im atë, se tashmë ta kam shpjeguar gjendjen në të cilën e kam lënë." - 8 "Ragueli i tha Tobisë: "Rri, biri im, rri ende me mua e unë po dërgoj lajmëtarë tek yt atë Tobiti që t`i tregojë për ty."
- 9 Por Tobia ia preu: "Assesi! Por po të lutem, më lejo të nisem që tani për tek im atë."
- 10 Ragueli u ngrit dhe ia dorëzoi Tobisë Sarën, gjysmën e pasurisë së vet, shërbëtorë e shërbëtore, dele e lopë, gomarë e deve, petka, para e orendi.
- 11 E la të shkonte, i uroi udhë të mbarë e i tha: "Shëndet të mirë e udhë të mbarë, biri im! Zoti i qiellit ju priftë për së mbari në jetë, e mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë fëmijët tuaj!"
- 12 Atëherë e përqafoi bijën e vet Sarën. Asaj i tha: "Bija ime, nderoje vjehrrin tënd e vjehrrën tënde, sepse ata që tani janë prindërit e tu, pikërisht sikurse ne që të kemi lindur! Shko në paqe, bija ime! Ndjesha mirë për ty gjatë jetës sime!" E përqafoi dhe i la të nisen.
Kurse Edna i tha Tobisë: "Zoti i qiellit të çoftë shëndosh e mirë, bir e vëlla i dashur! Mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë bijtë e tu e të sime bijë Sarës që të gëzohem në praninë e Zotit. Po ta dorëzoj bijën time në roje e mos i sill kurrë gjatë jetës sate hidhërim! Shko, o bir, në paqe! Që tani unë jam nëna jote e Sara motra jote. E bëftë Zoti e të gjithë e kalofshim krejt jetën në lumturi!" I përqafoi të dy e i la të nisen të kënaqur. - 13 Tobia u nis nga Ragueli shëndosh e mirë duke e bekuar Zotin e qiellit e të dheut, Mbretin e gjithësisë, që ia kishte drejtuar për së mbari udhëtimin. Atëherë e bekoi Raguelin dhe gruan e tij Ednën e u tha: "E paça fatin e mirë t`ju nderoj si prindërit e mi gjatë krejt jetës suaj!"