Beselidhja e VjeterEster: Po shpejtojmë ne të dy të shkojmë para gruas sate për ta rregulluar shtëpinë
- 1 U nisën rrugës e arritën në Karran që është përballë Ninivës.
- 2 Atëherë Rafaeli tha: "Ti e di se në ç`gjendje e kemi lënë tët atë.
- 3 Po shpejtojmë ne të dy të shkojmë para gruas sate për ta rregulluar shtëpinë."
- 4 Të dy së bashku kaluan përpara. Rafaeli i tha: "Merre me vete tëmblin e peshkut!" Qeni u nda nga turma dhe e ndiqte Tobinë.
- 5 Ana kishte dalë jashtë e kundronte udhën nga do t`i vinte i biri.
- 6 Dhe ja, e pa se po vinte e i tha atit të tij: "Ja, po vjen yt bir dhe njeriu që ishte me të!"
- 7 Rafaeli i tha Tobisë para se t`i afrohej t`et: "E di se sytë e tij do të shërohen.
- 8 Zbraze tëmblin e peshkut në sytë e tij dhe bari do ta heqë lëkurëzën e të bardhëtit nga sytë e tij. Yt atë do të shikojë e do ta shohë dritën."
- 9 Ana vrapoi përpara tij, e përqafoi të birin e i tha: "Të pashë edhe një herë, o bir! Tani mund edhe të vdes!" Dhe s`i pushonin lotët.
- 10 U ngrit edhe Tobiti e, bjer e çou, ia doli disi të dalë në trinë të oborrit. Vrik iu afrua Tobia.
- 11 Në dorë mbante tëmblin e peshkut, i fryu në sy, e mori për krahut dhe i tha: "Ki besim, babë!" Atëherë ia qiti barin dhe ia mbajti ashtu për pak kohë.
- 12 Pastaj me të dy duart ia hoqi lëkurëzën e bardhë nga skajet e syve të tij.
- 13 Tobiti e pa djalin e vet, e përqafoi,
- 14 e me lot për faqe i tha: "Po të shoh, biri im, drita e syve të mi!" Atëherë tha:
"Qoftë bekuar Hyji!
Qoftë bekuar Emri i tij i madh!
Qofshin bekuar të gjithë engjëjt e tij të shenjtë
në shekuj të shekujve! - 15 Njëmend ai më kishte frushkulluar,
por ja, e shoh tim bir Tobinë!"
Atëherë Tobiti e gruaja e tij hynë në shtëpi dhe e bekuan plot gëzim e me zë të lartë Hyjin për gjithçka u kishte ndodhur. Atëherë Tobia e njoftoi t`anë se si Zoti Hyj ia kishte përfunduar mirë udhëtimin e tij: se i kishte marrë paratë, se e kishte marrë për grua të bijën e Raguelit, Sarën, që s`do të vononte të arrinte dhe se duhet të jetë afër derës së Ninivës. U mbushën gëzim Tobiti e Ana, - 16 dhe dolën ta ndeshin të renë e vet te dera e Ninivës. Gjindja e Ninivës që e shihnin Tobitin duke ecur e duke shpejtuar plot fuqi si dikur e pa e marrë askush për dore, mbetën të habitur.
- 17 Tobiti e pranonte haptas se Hyji kishte pasur mëshirë për të dhe e bekonte Hyjin me zë të lartë që ia kishte shëruar sytë. Pastaj Tobiti e takoi Sarën, nusen e djalit të vet, Tobisë, e bekoi e i tha: "Mirë se erdhe, bija ime! Qoftë bekuar Hyji yt që të pruri te ne, o bijë! Qoftë bekuar yt atë, qoftë bekuar im bir Tobia! Qofsh bekuar ti, o bijë! Hyr me hije të mirë në shtëpinë tënde në bekim e në gëzim, hyr, bija ime!" Gëzim i madh qe atë ditë për të gjithë judenjtë që ishin në Ninivë.
- 18 Erdhën te Tobia për t`u gëzuar së bashku me të, erdhën edhe kushërinjtë e tij Ahihari e Nadabi. U bë dasmë për shtatë ditë me gëzim të madh dhe u ndanë dhurata të shumta.