Beselidhja e VjeterEster: Çdo ditë, biri im, kije Hyjin në mendje
- 1 Po atë ditë Tobitit i ranë ndër mend paratë që i kishte lënë t`ia ruante Gabaeli në Rages të Medisë.
- 2 Mendoi me vete: "Unë u luta të më marrë vdekja. Përse të mos e thërras tim bir Tobinë e të mos i tregoj për këto para që i lashë të m`i ruajnë, para se të më vijë vdekja?"
- 3 E thirri të birin Tobinë. Ai erdhi e ky i tha:
"Biri im, kur unë të vdes, më varros si ka hije. Nderoje nënën tënde dhe mos e lër asnjë ditë sa të jetë gjallë. Bëj si t`i pëlqejë asaj dhe me asgjë mos ia prish zemrën. - 4 "Mos e harro kurrë, biri im, se ajo ka pësuar shumë rreziqe për shkak tënd, kur ti ishe në kraharorin e saj. Kur të vdesë, varrose përbri meje në të njëjtin varr.
- 5 Çdo ditë, biri im, kije Hyjin në mendje. Mos dëshiro kurrë të mëkatosh e t`u shmangësh urdhërimeve të tija. Bëj vepra të mira çdo ditë të jetës sate dhe ruaju e mos shko udhëve të padrejtësisë,
- 6 sepse, po bëre të vërtetën, do të shkojë mbarë gjithçka që të veprosh si atyre që vënë në veprim drejtësinë.
- 7 Biro, prej pasurisë që do ta kesh, bëj lëmoshë dhe mos e mënjano faqen tënde nga asnjë skamnor që as Hyji të mos e mënjanojë faqen e vet prej teje.
- 8 Bëj lëmoshë sipas pasurisë që do ta keshë, o bir: nëse ke shumë, jep shumë, nëse ke pak, mos u mat, por jep edhe nga ajo pakicë:
- 9 kështu e bën gati një shpërblim të madh për ditën e ngushticës,
- 10 sepse lëmosha çliron nga vdekja e nuk lë të shkojmë në errësirë.
- 11 "Lëmosha është dhuratë e vyeshme për të gjithë ata që e bëjnë në praninë e Tejetlartit.
- 12 Ruaju, biri im, nga çdo fëlliqësirë. Para së gjithash, gruan merre nga fisi i të parëve të tu dhe ruaju e mos e merr nga kombet e tjera e që nuk është nga fisi i të parëve të tu, sepse ne jemi bij profetësh: të parët tanë janë përgjithmonë Noehi, Abrahami, Izaku e Jakobi! Biro, mos harro se të gjithë këta i morën gratë nga rodi i të parëve të vet dhe qenë betuar në fëmijët e vet: se fara e tyre do ta ketë për trashëgim dheun!
- 13 Duaj, biro, vëllezërit e tu dhe mos të të rritet mendja e t`i nënçmosh bijtë e bijat e popullit tënd, për të mos e marrë gruan prej tyre. Mendja e madhe sjell rrënim dhe pakënaqësi të madhe. Përtacia sjell dëm e mjerim, sepse përtacia është nëna e urisë.
- 14 Paga e çdo njeriu që të ketë punuar te ti, të mos rrijë assesi te ti, por jepja menjëherë dhe ruaju se ia zvogëlon! Nëse ti i shërben Hyjit, do ta marrësh shpërblimin. Ji i kujdesshëm, biro, në të gjitha veprat e tua dhe i mençur në të gjitha fjalët e tua
- 15 dhe mos i bëj askujt çka s`dëshiron të të bëhet ty.
Mos pi verë e mos u deh dhe pija të mos e shoqërojë jetën tënde! - 16 Ndaje bukën tënde me të uriturit dhe veshjen tënde me të zhveshurit. Gjithçka e ke tepër, jepe lëmoshë dhe, kur të bësh lëmoshë, në sytë e tu të mos ketë keqardhje.
- 17 Ndaje bukën tënde dhe zbraze verën tënde mbi varret e të drejtëve, por jo të mëkatarëve.
- 18 Kërkoji këshillat e të drejtëve e mos i përbuz këshillat e dobishme.
- 19 Në çdo kohë bekoje Zotin dhe kërko prej tij t`i drejtojë udhët e tua e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua, sepse urtia nuk u është dhënë të gjitha kombeve, por çdo e mirë vjen prej Zotit: sepse atë që e do ai e ngrit, dhe atë që ai e do e plandos në fundin e banesës së të vdekurve. Tani, o bir, mbaji mend urdhrat e mi dhe mos i shlyej nga zemra jote.
- 20 E tani, o bir, po të njoftoj se unë i kam lënë për ruajtje dhjetë talenta argjendi te Gabaeli, biri i Gabrisë, në Rages të Medisë.
- 21 Mos ki frikë, biri im, pse jemi bërë skamnorë. Ke pasuri të madhe nëse e ke frikë Hyjin, nëse i ruhesh çdo mëkati dhe nëse bën atë që është e mirë para syve të Zotit, Hyjit tënd."