Beselidhja e VjeterEster: Tobia doli ta kërkonte një njeri që e dinte rrugën për të shkuar me të në Medi
- 1 Atëherë Tobia i përgjigjet babait të vet Tobitit: "Gjithçka më ke thënë, o babë, unë do ta bëj.
- 2 Por veç, si do të bëj për t`i marrë prej tij këto para? As ai nuk më njeh mua, as unë nuk e njoh atë. Çfarë shenje do t`i jap atij që të më njohë e të më besojë e të m`i japë këto para? Pastaj as udhët që çojnë në Medi nuk i di që të shkoj atje."
- 3 "Atëherë Tobiti iu përgjigj të birit, Tobisë: "Ma ka dhënë një vërtetim të nënshkruar prej tij. Edhe unë ia kam dhënë një tjetër të nënshkruar. E kam ndarë dysh e secili morëm nga një gjysmë dhe gjysmën time e kam lënë me paratë. Dhe ja, tani janë njëzet vjet që kur ato para i lashë për ruajtje tek ai. Por tani, biri im, kërkoje një njeri besnik që të shkojë me ty dhe do ta paguajmë për gjithë kohën deri kur të kthehesh. Shko, pra, deri sa jam gjallë e merri prej tij ato para."
- 4 Tobia doli ta kërkonte një njeri që e dinte rrugën për të shkuar me të në Medi. E takoi engjëllin Rafael në këmbë para tij, por nuk e dinte se ishte engjëlli i Hyjit.
- 5 Tobia i tha: "Prej nga je, djalosh?" Ai iu përgjigj: "Jam nga bijtë e Izraelit, vëllezërit e tu, e erdha këtu për të punuar." Tobia i tha: "A mos e di rrugën që shpie në Medi?"
- 6 Ai u përgjigj: "Po, si jo! Disa herë kam shkuar në Medi e kam qëndruar te Gabaeli, vëllai ynë, që banon në Rages të Medisë. Lypen dy ditë udhëtim për të arritur prej Ekbatanës në Rages. Ragesi është në mal e Ekbatana në mes të fushës."
- 7 Tobia i tha: "Më prit këtu, djalosh, sa të hyj e t`i tregoj tim ati. Kam nevojë të vish me mua dhe do ta jap shpërblimin tënd."
- 8 Ai i tha: "Ja, po të pres, por mos vono!"
- 9 Tobia hyri, e lajmëroi t`anë Tobitin e i tha: "Ja, e gjeta një njeri, një nga vëllezërit tanë, nga të bijtë e Izraelit, që të vijë me mua." I ati i tha: "Ma thirr atë njeri që ta di se cilës familje e fisi i përket. Duhet ta dimë a mund të kemi besim në të për të të përcjellë, biri im."
- 10 Tobia doli e thirri dhe i tha: "Djalosh, baba po të kërkon." Ai hyri dhe Tobiti e përshëndeti i pari. Djaloshi i tha: "Ju uroj lumturi të plotë." Tobiti iu përgjigj: "Po ç`lumturi unë pres më? Unë jam një njeri që i janë verbuar sytë. S`e shoh më dritën e qiellit, por jam në errësirë si të vdekurit që më nuk e shohin dritën. Jam i gjallë ndër të vdekur. E dëgjoj zërin e njerëzve, por njerëzit nuk i shoh." Ai iu përgjigj: "Mos të lëshojë zemra, s`do të vonojë e Hyji do të shërojë. Ki besim!" Tobiti vazhdoi: "Tobia, im bir, do të shkojë në Medi. A do të mund të shkosh me të si përcjellës? Unë do të paguaj, vëlla!" Ai iu përgjigj: "Po, mund të shkoj me të sepse e di rrugën. Disa herë kam qenë në Medi, i kam kaluar të gjitha fushat e malet dhe shtigjet e saja."
- 11 Tobiti i tha: "Vëlla, prej cilës familje e prej cilit fis je? Më trego, or vëlla!"
- 12 Ai iu përgjigj: "Po ç`nevojë ke të ma dish fisin?" Por ai i tha: "Dua ta di të vërtetën i kujt je dhe cili është emri yt."
- 13 "Ai iu përgjigj: "Unë jam Azaria, djali i Ananisë së Madh, një nga vëllezërit e tu."
- 14 Atëherë i tha Tobiti: "Mirë se na erdhe, o vëlla! Por mos m`u hidhëro, o vëlla, se desha ta di familjen tënde të vërtetë. Ti qenke vëllai im dhe prej familjes së mirë e bujare! I kam njohur Ananinë e Natanin, dy bijtë e Semelisë së Madh. Edhe ata shkonin me mua në Jerusalem dhe atje adhuronin bashkë me mua. Ata nuk e kanë lënë rrugën e vërtetë. Vëllezërit e tu janë njerëz shumë të mirë. Je prej derës së mirë. Na paç ardhur me këmbë të mirë!"
- 15 Atëherë vazhdoi: "Unë do të jap për çdo ditë nga një drakmë e, për më tepër, gjithçka është e nevojshme për udhëtim për ty e për djalin tim. Shko me të,
- 16 e do ta shtoj edhe më pagesën."
- 17 Ai iu përgjigj: "Do të shkoj me të. Asgjë mos druaj! Shëndosh do të shkojmë e shëndosh do të kthehemi te ti, sepse rruga është e sigurt." Tobiti i tha: "Paç bekimin, o vëlla!" Atëherë iu drejtua të birit: "Biri im;i tha;bëji gati gjithçka lypet për udhëtim dhe nisu me vëllanë tënd. Hyji që është në qiell ju mbrojtë atje dhe ai ju ktheftë tek unë shëndosh e mirë. Engjëlli i tij ju përcjelltë me ndihmën e vet, biro!"
Tobia u ngrit të niset për rrugë dhe i përqafoi babain e nënën e vet. Tobiti i tha: "Udha mbarë!" - 18 Nëna e tij ia plasi vajit e i tha Tobitit: "Pse e nise tim bir? Po a nuk është ai shkopi i dorës sonë, ai që shkon e vjen për ne?
- 19 Paraja kurrë mos u paftë: na ia marrtë të keqen djalit tonë!
- 20 Na dilte mjaft aq sa na ka dhënë Zoti për të jetuar!"
- 21 Ai iu përgjigj: "Ti mos ndill zi se djali ynë shëndosh do të shkojë e shëndosh e mirë do të kthehet te ne dhe sytë e tu do ta shohin atë ditë kur të kthehet shëndosh e mirë te ti! Mos u shqetëso, mos u tremb për ta, motër!
- 22 Një engjëll i mirë do ta shoqërojë, do të bëjë udhë të mbarë e shëndosh e mirë do të kthehet."