Beselidhja e VjeterJobi: Satani e vë në provë Jobin
- 1 Na ishte dikur në tokën Hus një burrë që quhej Job. Ishte njeri i patëmeta dhe i drejtë, i cili e kishte frikë Hyjin dhe i shmangej të së keqes.
- 2 I kishin lindur shtatë djem e tri vajza.
- 3 Kishte shtatë mijë dele, tri mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomare dhe shumë shërbëtorë. Ishte ky njeri shumë i madh ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.
- 4 Bijtë e tij e kishin zakon të shkonin me radhë në gostitje te njëri-tjetri dhe çonin e i thirin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta.
- 5 Si kalonin ditët e gostive, Jobi i thërriste të vinin tek ai për t`i pastruar. Ngrihej heret në mëngjes dhe për secilin kushtonte fli shkrumbimi. Sepse i thoshte mendja: Ndoshta mund të kenë mëkatuar bijtë e mi dhe e kanë mallkuar Hyjin në zemrat e veta. Jobi vepronte kështu çdo herë.
- 6 E një ditë, Bijtë e Hyjit shkuan për t`u paraqitur te Zoti. Bashkë me ta qe edhe Satani.
- 7 Zoti e pyeti Satanin: Nga po vjen? Ky iu përgjigj: E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj.
- 8 Zoti e pyeti: A mos e pe kund Jobin, shërbëtorin tim? S`e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmeta dhe i drejtë, që e ka frikë Hyjin dhe i shmanget të së keqe.
- 9 Por Satani iu përgjigj Hyjit: Pse a thua Jobi kot e druan Hyjin?!
- 10 Pse a nuk e ke rrethuar me gardh atë, shtëpinë e tij e gjithçka ështe e tija? Pse a nuk ia ke bekuar çdo ndërmarrje të tij dhe kështu u rrit mbi tokë pasuria e tij.
- 11 Por sprovo e shtrije njëherë pakësa dorën tënde e preke në gjithçka ka, pale a nuk do të mallkojë në fytyrë!
- 12 Hyji iu përgjigj Satanit: Mirë, pra! Gjithçka është në dorën tënde: por ruaju se vë dorë në të. Satani u largua nga prania e Zotit.
- 13 Një ditë, kur bijtë e Jobit po hanin e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të madh,
- 14 ia behi lajmëtari te Jobi e i tha: Qetë po lëronin e gomaret po kullotnin afër tyre,
- 15 kur ja, papritmas u sulën sabenjtë, rrëmbyen qe e gomare, shërbëtorët i prenë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm.
- 16 Ndërkohë që ky ende po fliste, erdhi një tjetër e tha: Zjarri i Hyjit ra prej qiellit, i dogji delet e i përpiu barinjtë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm.
- 17 Po edhe ndërsa ky ende po fliste, ia behi një tjetër e tha: Kaldenjtë u ndanë në tri çeta, i sulmuan devet, i rrëmbyen ato, i prenë barinjtë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm.
- 18 Ende ky po fliste, dhe ja, një tjetër hyri e tha: Ndërsa djemtë e tu e vajzat e tua po hanin bukë e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të parëlindur,
- 19 u sul një stuhi papritmas tejet e fortë nga ana e shkretëtirës dhe i tundi katër këndet e shtëpisë. Shtëpia ra, i shtrydhi fëmijët e tu e mbetën vdekur, e shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm të zi.
- 20 Atëherë Jobi u çua në këmbë, i shqeu petkat e veta, e rroi kokën, ra me fytyrë përdhe në adhurim
- 21 dhe tha:Lakuriq dola nga kraharori i nënëse lakuriq do të kthehem atje.Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; si ka dashur Zoti, ashtu u bë:qoftë bekur Emri i Zotit!
- 22 Në të gjitha këto fatkeqësi Jobi nuk mëkatoi dhe s`e tha me gojën e vet asnjë marrëzirë kundër Hyjit.