Beselidhja e VjeterDalja: VIII. Karkalecat
- 1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Hyr te faraoni! Unë e bëra gur zemrën e tij e zemrën e shërbëtorëve të tij që t`i bëj ndër ta këto mrekulli të mia,
- 2 që të mund t`ia tregosh djalit tënd dhe nipave të tu sa herë i shtrëngova egjiptianët e sa mrekulli bëra kundër prej tyre, që ta dini se unë jam Zoti.
- 3 Hynë, pra, Moisiu dhe Aroni te faraoni dhe i thanë: Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: `Deri kur nuk do të më nënshtrohesh? Lëshoje popullin tim të më bëjë fli!
- 4 Por nëse kundërshton dhe nuk do ta lëshosh: ja, unë nesër do t`i sjell karkalecat brenda kufijve të tu.
- 5 Ata do ta mbulojnë sipërfaqen e tokës aq sa as trualli nuk do të shihet: do të përpijnë gjithçka që mbeti pas breshrit; do t`i zhveshin të gjitha lëndët që bulojnë në fushë.
- 6 Do t`i mbushin shtëpitë e tua, shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe të të gjithë egjiptianëve, një mori që kurrë nuk e panë as etërit dhe të parët e tu, që kur u zu froni i tyre e deri në ditën e sotme`. Ia ktheu shpinën dhe doli prej faraonit.
- 7 Faraonit i thanë shërbëtorët e tij: Deri kur do ta durojmë këtë kurth? Lëshoj njerëzit t`i bëjnë fli Zotit, Hyjit të tyre! A nuk po sheh se do të mbarojë Egjipti?
- 8 Çuan dhe i thirrën Moisiun e Aronin. Faraoni u tha: Shkoni e flijoni Zotit, Hyjit tuaj! Kush janë ata që duhet të shkojnë?
- 9 Moisiu tha: Do të shkojmë me fëmijët dhe me pleqtë tanë: me djem e me vajza, me bagëti të imëta e me bagëti të trasha: ne kemi festën e Zotit!
- 10 Ai u përgjigj: Ashtu e paçi në ndihmë Zotin, siç do t`ju lëshoj unë të shkoni me fëmijët tuaj! Kush dyshon se ju nuk mendoni zi e më zi?
- 11 Jo, s`do të bëhet ashtu! Por, shkoni vetëm ju burrat e bëni fli Zotit! Po këtë ju edhe vetë e kërkuat. Dhe menjëherë i qitën jashtë prej pranisë së faraonit.
- 12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Shtrije dorën tënde mbi Egjipt që të vijnë karkalecat, ta mbulojnë atë dhe le ta hanë krejt barin: gjithçka shpëtoi prej breshrit.
- 13 Moisiu e shtriu shkopin përmbi dheun e Egjiptit dhe Zoti e solli erën e ngrohtë gjithë ditën e gjithë natën. Kur zbardhi drita, era djegëse i ngrehi në ajër karkalecat.
- 14 Ata e mbuluan skaj më skaj mbarë dheun e Egjiptit dhe u lëshuan me shumicë të atillë që s`qenë parë deri në atë kohë dhe nuk do të shihen as në të ardhmen.
- 15 E mbuluan tërë sipërfaqen e tokës dhe e nxinë tokën. Kështu, pra, e përpinë të gjithë barin e tokës, të gjitha frutat e pemëve që kishin shpëtuar prej breshrit: nuk shpëtoi asgjë e blertë as në lëndë as në bar në mbarë dheun e Egjiptit.
- 16 Për këtë arsye faraoni thirri me nxitim Moisiun e Aronin dhe u tha: Mëkatova kundër Zotit, Hyjit tuaj, dhe kundër jush!
- 17 Por, tani ma falni mëkatin edhe këtë herë dhe lutuni Zotit, Hyjit tuaj, të ma heqë së paku këtë shuplakë vdekjeprurëse.
- 18 Moisiu, si u largua prej faraonit, iu lut Zotit,
- 19 i cili çoi një erë shumë të fortë prej perëndimit që i përmblodhi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq: s`mbeti as edhe një në mbarë dheun e Egjiptit.
- 20 Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ky nuk i lëshoi bijtë e Izraelit.IX. Errësirat
- 21 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Çoje dorën tënde drejt qiellit dhe le të bjerë terri mbi dheun e Egjiptit, terr aq i dendur sa të mund të preket!
- 22 Moisiu e çoi dorën drejt qiellit dhe ra një errësirë e tmerrshme për tri ditë rresht mbi mbarë dheun e Egjiptit.
- 23 Askush nuk mundi ta shohë askënd për tri ditë dhe askush s`luajti për ato ditë prej vendit. Kurse, gjithkund ku banonin bijtë e Izraelit, ishte dritë!
- 24 Atëherë faraoni e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: Shkoni e bëni fli Zotit! Lini vetëm bagëtitë e imëta e të trasha, kurse fëmijët tuaj, le të vijnë me ju!
- 25 Moisiu i tha: Po edhe të na i jepshe ti kushtet dhe flitë e shkrumbimit për t`ia kushtuar Zotit, Hyjit tonë,
- 26 megjithatë edhe grigjat tona duhet të vijnë me ne. Nuk do të mbetë prej tyre asnjë këmbë e vetme berri, sepse prej tyre do të marrim, sa është e domosdoshme për kultin e Zotit, Hyjit tonë. Aq më tepër kur nuk dimë se çka duhet të flijohet, derisa të arrimë në vendin e caktuar.
- 27 Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t`i lëshojë.
- 28 Atëherë faraoni i tha: Largohu këndej! Ruaju se më del më para sysh! Kurdo që do të marrësh guxim të dalësh para meje, do t ë vdesësh!
- 29 Moisiu iu përgjigj: Mirë e ke! S`do ta shoh më kurrë fytyrën tënde!